Iva Shtrepi: Si e ktheva bunkerin e Enver Hoxhës në një bujtinë

Oct 15, 2012 | 16:01
SHPËRNDAJE
Grupi i studentëve shqiptarë dhe gjermanë gjatë momenteve të punës në bunker

Nga gjermania “Der Spiegel” te “The Guardian”, jehona e mediave ndërkombëtare mbi projekt diplomimin e studentes së Arkitekturës Iva Shtrepi. Transformimi i një bunkeri të harruar si copëz e reminishencës së të kaluarës komuniste të vendit tonë në një bujtinë të mirëfilltë, me të gjitha kushtet e nevojshme të akomodimit në të. Uji, dritat, një kënd gatimi, shtretër për të fjetur dhe një hapësirë komode nën një tavan-kupolë betoni.

Kur e dëgjon për herë të parë, tingëllon rrëqethshëm. Të flesh në… bunker. Dikur, funksionaliteti i këtyre “kërpudhave” të ndërtuara gjatë viteve 70′-’80 as që vihej në diskutim. Sot, disa dekada më vonë, bunkerët nuk e kanë më “lavdinë” e dikurshme me qëllim mbrojtës, përkundrazi. Diku të mbuluara me shkurre, diku përdoren si kotece pulash, pse jo për të ruajtur zahiretë e dimrit me ftohtësinë akull. Por gjithsesi nuk kanë dalë nga vëmendja. Sa herë shkruhet për Shqipërinë, flitet për breshkat që mbushin hartën shqiptare. Së fundmi tema rreth tyre ka ndryshuar. Përmes një investimi disajavor, të një grupi studentësh të Arkitekturës në Gjermani dhe atyre të një universiteti privat në kryeqytet, bunkeri i përmasave gjigante, i pozicionuar në Tale të Lezhës, u bë funksional duke u shndërruar në një bujtinë që pret turistë. Për të huajt bunkerët janë një zbulim kulturor që nuk duhet humbur. Dhe studentja Iva Shtrepi ka meritë për këtë…

Iva Shtrepi, ideatorja e projektit

Ishte vetëm një temë diplome, por projekti juaj përfundoi në faqet e para të gazetave më prestigjioze të botës, “Der Spiegel”,  “The Guardian”. Si erdhi kjo ide te ju?
Megjithëse kam 10 vjet që jam larguar nga Shqipëria, e pëlqej dhe e dua shumë natyrën, sidomos bregdetin e vendit tim. Që e vogël e kam mësuar notin duke i shijuar pothuaj të gjitha vendet ku mundet të notojë, veçanërisht ato me shkëmbinj, nga jugu në veri. Që atëherë kam parë fortifikatat ushtarake që ndodheshin të pozicionuara në vendet më panoramike të bregdetit, zhytur në mes të bimësisë së harlisur mesdhetare. Forma e tyre ndërtimore tepër e veçantë, ku muret janë njëkohësisht edhe tavan, më ka bërë gjithmonë përshtypje. Gjatë studimeve për Arkitekturë interiale në Mainz të Gjermanisë, isha në kërkim të një teme diplome, të cilën doja ta lidhja patjetër me Shqipërinë. Menjëherë më shkuan ndër mend bunkerët dhe fillova të mendoj se si mund të përdoren ndryshe këto konstruksione gjigante, që shikohen si absurde në kohë paqeje. Projekti që ofrova, u prit shumë pozitivisht prej trupës mësimore të universitetit tim. Interes të veçantë ngjallën informacionet mbi Shqipërinë, kulturën dhe historinë e kaluar të saj. E quajta “bunkerkunft”, që është shkrirja e fjalëve bunker me fjalën bujtinë.
Pse kjo qasje drejt reminishencave të së kaluarës?
Si arkitekte, kam krijuar vetinë që arkitekturën ta vlerësoj e ta perceptoj pa kontekste dhe jam gjithnjë në kërkim të së pazakontës, në kërkim të asaj që bie në kontradiktë me normalen. Në syrin tim, bunkerët kanë një formë tepër të veçantë dhe komplekse arkitektonike. E duke qenë se këto janë ndërtesa ekzistuese të shpërndara në të gjithë Shqipërinë, është më e thjeshtë dhe e dobishme të shfrytëzohen, sesa të prishen.
Unë studiova tipa të ndryshëm dhe përzgjodha prototipin e bunkerit në formë kupole, pasi ishte më i madhi në formën e tij. Pas analizës që bëra, nxora disa konkluzione. Një ndër më kryesorët, shpërndarja strategjike e tyre është përgjithësisht në vende tepër panoramike. Sipërfaqja e brendshme e një bunkeri artilerie është rreth 55 metra katrorë dhe e rrethuar në formë gjysmësfere prej muresh të trasha gati 1.40 m, me një dritare panoramike me kanata të trasha betoni, gjysmë metri dhe gjithashtu derë të trashë harkore. Thjesht duke u inspiruar nga natyra ime ekskursioniste dhe peizazhi piktoresk ku ndodheshin bunkerët, mendova që do të ishte ideale sikur këto të ktheheshin në bujtina për ekskursionistët individualë që lëvizin në këmbë, me biçikletë apo motoçikletë. Këta ekskursionistë kërkojnë të mbeten sa më pranë natyrës, dhe kanë nevojë vetëm për kushte minimale. Bunkerët janë idealë për të përmbushur kësi nevojash praktike.
Në ç’gjendje e gjetët bunkerin mbi të cilin punuat, për ta bërë mandej funksional si një bujtinë e mirëfilltë?
Bunkeri i përzgjedhur për këtë projekt ndodhet në Tale të Lezhës, rreth 300 metra larg bregut të detit. Ai rrethohet nga një peizazh i qetë tipik i zonës, dhe ndodhet rreth 11 km larg rrugës nacionale që lidh Tiranën me Shkodrën. Imazhi i heshtur i këtij kolosi shkrihet në natyrën e qetë të Talës, duke u shoqëruar në sfond me rrahjen e dallgëve, me këmborët e bagëtive apo edhe tingullin tipik të gjinkallave. Bunkeri i përzgjedhur është ndërtuar nga fundi i viteve 80′, dhe nga ana inxhinierike duket që është i papërfunduar. Gjithashtu edhe koha ka lënë gjurmët e saj. Brendësia e bunkerit ishte mbushur me bimësi të egër, me fole dallëndyshesh, dhe kafshë të vogla që kishin gjetur strehim në të. Nga jashtë, ky bunker ishte shfrytëzuar për parulla zgjedhjeje elektorale, reklama apo edhe mesazhe dashurie! Fillimisht u desh të bëhej izolimi i kupolës kundra lagështirës, e gjithashtu dhe vënia në funksion e menteshave të ndryshkura të dyerve apo të frëngjisë, të cilat kanë përmasa gjigante. Pas këtyre filluan punimet për ndryshimin në brendësi të bunkerit.
A mund të akomodohen turistë aty?
Ky projekt parashikon akomodimin e tetë personave në një ambient fjetjeje të përbashkët, me një vend gatimi, një vend për të ngrënë, tualet dhe dush. Të gjitha këto janë funksionale. Thelbi kryesor i kësaj ideje nuk është thjesht të vendosësh disa shtretër dhe një sobë për gatim, por të gjitha këto të shkrihen në një dizajn cilësor, bashkëkohor dhe profesional që i përshtatet formës së brendshme të bunkerit. E gjithë struktura e brendshme, dyshemeja, muret e banjës dhe vendi i fjetjes është bërë me material druri. Vendi i fjetjes ka një formë jo konvencionale dhe krijon një sipërfaqe harkore, që mundëson fjetjen e disa personave. Në frëngjinë e bunkerit u vendos një dritare e madhe panoramike, ku mund të shijohet natyra e qetë apo edhe perëndimi i diellit. Muret dhe tavanet janë lënë të paprekura dhe është vetë struktura e brendshme e bunkerit në dukje. Ky projekt, pavarësisht ku ndodhet bunkeri, u parashikua të jetë funksional, uji dhe dritat të merren direkt nga zona e banuar ku ndodhet bunkeri, dhe shkarkimi i ujërave të bardha apo  të zeza të bëhet duke krijuar një gropë septike.
Gjatë kohës së punimeve në Tale erdhën shumë vizitorë, të huaj, por edhe vendës. Ky projekt u realizua nga një grup studentësh të Arkitekturës në Gjermani dhe disa nga universiteti “Polis” në Tiranë. Ishte një punë e palodhur, por me shumë interes për një produkt final sa më interesant.
Projekti juaj nuk kaloi pa u vënë re. Për të shkruan mediat e huaja…
Shkas u bë një intervistë për këtë projekt në gazetën e njohur gjermane “Der Spiegel”. Ndërkohë që ne ishim në mes të punimeve, u përhap lajmi nëpërmjet mediave të ndryshme, jo vetëm në Shqipëri dhe Gjermani, por edhe në Angli, Itali, Greqi, Çeki, etj., e madje dhe në një gazetë në New York. Në lidhje me bashkëpunimin e dy universiteteve, negociatat filluan menjëherë pas diplomimit tim në FH Mainz në Gjermani. Universiteti “Polis” në Tiranë tregoi shumë interes duke iu përgjigjur menjëherë ftesës së FH Mainz për të bashkëpunuar. Pas disa muajsh, me ndihmën e profesorëve të secilit universitet, u përzgjodhën 20 studentë, 10 gjermanë dhe 10 shqiptarë. Ishte një eksperiencë e shkëlqyer, si nga ana profesionale, ashtu edhe nga interaksioni kulturor i të dyja palëve. Të gjithë punonim të palodhur nga mëngjesi deri në darkë, si në diell ashtu dhe në shi. Jam shumë optimiste dhe e bindur që ky nuk do të mbetet projekti i fundit i këtij lloji.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura