Iu zbuluan SMS-të me vajzën e lidhur me djalin nga Laçi, si u rrëmbye dhe dhunua 16-vjeçari. Kur panë se Policia po i ndiqte…

Mar 10, 2020 | 14:26
SHPËRNDAJE

Shkëmbimi i disa SMS-ve me një bashkëmoshatare i ka kushtuar rëndë një 16-vjeçari nga Gramshi, i cili jetonte në Durrës si konviktor, në konviktin e Shkollës Profesionale të Kuzhinës.policia durres

Pak ditë më parë, 16-vjeçari kishte nisur të njihej me një vajzë nga Mirdita, po konviktore, e cila paralelisht ishte në një lidhje me një djalë disa vite më të madh nga Laçi. Mirëpo, komunikimi mes tyre është mësuar nga i dashuri i saj, i cili merr me vete edhe dy shokë të tij dhe organizojnë rrëmbimin e adoleshentit.

Ngjarja u regjistrua paraditen e djeshme në afërsi të shkollës “Bernardina Qeraxhia”, por për fatin e mirë të 16-vjeçarit ishin të pranishëm edhe persona të tjerë, të cilët kanë lajmëruar Policinë. Sipas Policisë, tre persona, dy nga Laçi dhe një nga Lezha, futën forcërisht në makinën e tyre 16-vjeçarin, u nisën në drejtim të Tiranës dhe u kthyen sërish për në Durrës. Gjatë udhëtimit, ata e kanë dhunuar fizikisht adoleshentin.

Por, kur pikasën se Policia u ishte vënë pas, ata e hodhën nga makina 16-vjeçarin në afërsi të rrethrrotullimit të Kënetës. Pak çaste më vonë, Policia bëri të mundur arrestimin e tre autorëve, konkretisht shtetasit me inicialet F. D. (K.), 32 vjeç, banues në Lezhë, A. P., 35 vjeç dhe A. H., 33 vjeç, banues në Laç.

RRËMBIMI

Tre personat e arrestuar tashmë nga Policia kishin monitoruar lëvizjet e 16- vjeçarit, me të cilin kishin një konflikt, pasi ai kishte nisur komunikimin me një bashkëmoshatare, që paralelisht kishte lidhje dashurore me njërin prej tre autorëve. Në momentin që e kanë pikasur në afërsi të shkollës, ata e kanë futur forcërisht në makinën e tyre duke u nisur me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të kryeqytetit. Adoleshenti mësohet të ishte nën shoqërinë e shokëve të tij në momentin e rrëmbimit. Madje, ishin këta të fundit që lajmëruan Policinë për rrëmbimin e shokut të tyre. Ata nuk kanë reaguar në momentin që tre personat futën forcërisht në makinë shokun e tyre.

ARRESTIMI

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Durrës, pas informacionit se një shtetas e kishin marrë me dhunë, organizuan punën për identifikimin e kapjen e autorëve dhe gjetjen e personit.

Falë reagimit në kohë, veprimeve profesionale dhe punës së mirorganizuar u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i tyre në flagrancë: F. D. (K.), 32 vjeç, banues në Lezhë, i cili ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata Lezhë e ka dënuar me 1 vit burg, për veprën penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP”; A. P., 35 vjeç dhe A. H., 33 vjeç, banues në Laç.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen Nr. 16, Durrës, për motive të dobëta, kanë marrë me dhunë shtetasin E. N., 16 vjeç, në mjetin tip “Audi” e më pas e kanë dhunuar fizikisht. Mbi ta rëndon akuza “Heqja e paligjshme e lirisë, kryer në bashkëpunim”.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura