Iu prish shtëpia nga tërmeti, e moshuara: Jetoj unë dot në çadër?! Jam për në varr. Më thanë do 100 mijë lekë, mund të blesh vetëm biskota

Oct 10, 2019 | 21:20
SHPËRNDAJE

“Stop” ka udhëtuar drejt Selenicës në zonën “Lagjia e Re”, por me banesa të vjetra, si pasojë e amortizimit dhe fatkeqësive natyrore.

1-38

Tërmeti i 4 qershorit dhe 21 shtatorit të 2019-s hodhi në tokë banesat e 3 familjeve: Dedja, Rustemaj dhe Bregasi.

Zgjidhja e vetme që u është ofruar janë disa çadra, që gjithë shiun dhe erën e fusin brenda. Mes banorëve që duhet të shtyjnë ditët në çadër është edhe 85-vjeçarja Mbete Dedaj, e cila thotë se e ka të pamundur jetesën në këto kushte.

Mbete Dedaj: Çfarë do bëj unë? Ku do vete tani? Ra tërmeti, ne u trembëm shumë, dolëm përjashta.

Gazetarja: Sa vite kanë këto banesa?

Mbete Dedaj: Kanë vite shumë. Tërmeti i shkretoi, i fundosi plot. Vajtëm në bashki, do 100 mijë lekë më thanë. Po çfarë do marr unë biskota, unë dua strehim. S’kemi fond tha. Na sollën çadra. Po jetoj unë dot në çadër, unë jam për në varr.

Banorët e prekur nga tërmeti, takojnë kreun e Emergjencave Civile, Albert Rexhepi, i cili si zgjidhje sheh vetëm zëvendësimin e çadrave.

Qytetari: Çfarë do bëhet me ne, për ato çadrat?

Përgjegjësi i Emergjencave Civile: Po ne ju pajisëm me çadra.

Qytetari: Po, ngaqë fusin ujë. Hajde shikoje vetë! Unë thashë, shiu i parë, nuk mban fare!

Përgjegjësi i Emergjencave Civile: Këto janë çadrat! Do bëjmë kërkesë për t’ju ndryshuar çadrën. Këto ishin mundësitë tona! Ne s’kemi mundësi tjetër financiare!

Njëkohësisht ata takohen edhe me Nënkryetaren e Bashkisë, e cila e adreson tek Kryetari i bashkisë duke u shprehur se është një kompetencë e tij.

Qytetari: Si jeni? Përshëndetje!

Nënkryetarja: Mirë!

Qytetari: Ne jemi 3 familje këtu, që na ka rënë shtëpia nga tërmeti. Vajtëm tek “Emergjencat Civile”, bëni kërkesë thotë ai, t’ju ndërrojmë çadrat. Bashkia nuk ka ndonjë mundësi zgjidhjeje? Ndonjë bonus, a ndonjë shpërngulje, a ndonjë shtëpi me qira? Po jemi në rrugë…

Nënkryetarja: Epo, duhet të flasësh me Kryetarin, se është kompetencë e Kryetarit. Ditën e takimit e ka të enjten, zakonisht!

Gazetarja e “Stop” takohet me përgjegjësin e Emergjencave Civile dhe me kryetarin e Bashkisë Selenicë, Pëllumb Binaj, i cili pranon të paguajë një bonus qiraje për këta banorë e t’u sigurojë një fond për riparimin e shtëpive në Janar të vitit 2020./tvklan.al

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura