Italia nderon përkthyesen me Çmimin Kombëtar të Përkthimit. Mimoza Hysa: Vlerësohem kur juria nuk më njeh

Mar 5, 2015 | 11:49
SHPËRNDAJE

“Unë marr çmim, vetëm kur juria nuk më njeh!”. E lumtur që Ministria e Kulturës i ka akorduar “Çmimin Kombëtar të Përkthimit”, përkthyesja dhe shkrimtarja Mimoza Hysa, nuk mund të mos ironizojë me juritë dhe komisionet shqiptare, të cilat jo rrallë herë vihen në shënjestër si “klanore”.
“Me kënaqësi informojmë se me një vendim unanim, të shprehur nga Komisioni i Vlerësimit, i dorëzojmë ‘Çmimin Kombëtar të Përkthimit’, për kontributin e rëndësishëm në përhapjen e kulturës italiane në botë”, shkruhet në motivacionin e vlerësimit, të dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Bibliotekave dhe instituteve kulturore në Ministrinë e Kulturës Italiane. Gëzimin për marrjen e këtij çmimi, Hysa e ka ndarë me miqtë e saj në rrjetet sociale. “Është një nga ato ditë, kur mbetesh gojëhapur dhe të zihet fryma, është dita e shpërblimit të madh të një mundi shumëvjeçar, e gëzimin e ndjen të plotë kur ‘Çmimin Kombëtar të Përkthimit’ ta jep Juria prestigjioze e Ministrisë së Kulturës Italiane, me motivacionin: ‘Për kontributin në përhapjen e letërsisë italiane në botë’. E kam kuptuar: unë marr çmim, vetëm kur juria nuk më njeh: më ndodhi kështu kur mora çmimin e tregimit më të mirë në 50 konkurrentë te “Fjala”, kur ende nuk njihja e nuk më njihte askush prej jurisë, e po kështu, edhe për këtë çmim prestigjioz për përkthimin”, shkruan ajo në “Facebook”. Mimoza Hysa është një nga zërat e rëndësishëm të përkthimit të letërsisë italiane në shqip. Ajo ka shqipëruar vepra si
“Ora e secilit” Maria Corti; Antologjia e poezisë italiane të shek XX: (bashkautore) përkthime nga: Unghereti, Quasimodo, Montale etj; “Shpirt pezull” M. Mazzantini; “Mistere të padukshme” D. Buzzati; “Netë të vështira” D. Buzzati; “Dëshmon Pereira” A. Tabuçhi; “Perandoria e dragonjve”; “Ti që më dëgjon”, A. Bevilacqua, etj. Gjithashtu është autore e veprave
“Koha e Erës” ; “Histori pa emra”; 2007; “Vend/imi”, etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura