ISSH: Si do të llogariten pensionet e invaliditetit/ Dokumentet që duhet të dorëzoni për të përfituar

Aug 6, 2018 | 12:02
SHPËRNDAJE

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka shpallur emrat e personave që do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore në KMCAP Epror gjatë muajit gusht për të marrë pensionin. “Gazeta Shqiptare” publikon sot listën me emrat e 311 personave që duhet të kryejnë ekzaminimet brenda muajit pranë Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

Këta individë, në rastin që nuk do t’i nënshtrohen kontrollit mjekësor, nuk do të mund të marrin apo rimarrin pensionin e invaliditetit nga ISSH. Të gjithë ata persona që bëhen të paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe kanë dëmtime fizike apo gjymtime të forta, duke përfshirë verbimin, iu lind e drejta për pension invaliditeti.ISSH

Për të përfituar këtë lloj pensioni të plotë, të reduktuar dhe të pjesshëm, përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në ALSSH të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të invaliditetit. Përfituesi për pension invaliditeti ose i autorizuari me prokurë, së bashku me kërkesën duhet të paraqesë edhe dokumentet që vërtetojnë moshën e identitetin, ato që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës si dhe dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara e gjendjen shëndetësore.

Ky dokumentacion i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit njofton datën për të kaluar në KMCAP, ose i kthen mbrapsht dokumentet për pasaktësi. KMCAP në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentet, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit-tip. Kundër këtij vendimi i sëmuri ose invalidi mund të ankohet tek KMCAP-i epror. Ankesa bëhet me shkrim dhe dorëzohet në DRSSH përkatëse.

Kriteret
Të gjithë ata persona që bëhen të paaftë për çdo veprimtari ekonomike dhe kanë dëmtime fizike apo gjymtime të forta, duke përfshirë verbimin, iu lind e drejta për pension invaliditeti. Në manualin e publikuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore ditën e premte, përcaktohen kushtet që duhet të plotësojë individi si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojë për të përfituar këtë pagesë.

Sipas ligjit nr. 7703, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, invaliditeti klasifikohet në tri grupe. Invaliditet i pjesshëm është grupimi i parë, ku bëjnë pjesë të gjithë ata persona të siguruar që humbin aftësinë për punë në profesion, por janë ende në gjendje të kryejnë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it. Më tej grupi i dytë klasifikohet si invaliditet i reduktuar në rastet kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, ndërsa invaliditeti i plotë është grupimi i fundit i kësaj kategorie pensionesh nga i cili mund të përfitojnë të gjithë ata individë që ndodhen në kushtet e nevojës për kujdestari.

Pension invaliditeti të plotë përfitojnë të gjithë ata persona që kanë plotësuar periudhën minimale të sigurimit, e cila është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç.

Gjithashtu, duhet që individi në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror si dhe të ketë humbur plotësisht aftësinë për punë, jo për shkak të aksidentit në punë apo sëmundjes profesionale. E drejta për të përfituar këtë lloj pensioni fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë.

Ndërkohë në manualin e ISSH-së bëhet me dije se masa mujore e pensionit të plotë të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni që llogaritet si pensioni i pleqërisë. “Shuma bazë e pensionit u jepet gjithë personave të siguruar.

Ndërsa shtesa që u jepet personave të punësuar është 1% për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme neto, që i siguruari ka arritur nëpërmjet kontributeve gjatë gjithë historisë së tij kontributive”, – citohet në manual. Gjithashtu, ISSH bën me dije se shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi. Sipas ligjit “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, në rastet kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdes të vazhdueshme nga një person tjetër, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15% të bazës së vlerësueshme neto. Ndërsa, një person që merr pension invaliditeti të plotë e ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5% të pensionit bazë, por jo më shumë së 30% e tij.

Pensioni i reduktuar i invaliditetit
Individët të cilët kanë humbur plotësisht aftësinë për të punuar e që nuk kanë plotësuar periudhën minimale të sigurimit mund të përfitojnë pension të reduktuar invaliditeti. E drejta për të përfituar pension të reduktuar invaliditeti fillon pas mbarimit të periudhës 6-mujore të trajtimit me raport mjekësor për paaftësi të përkohshme në punë.

Vlerësimi nga KMCAP duhet të bëhet në muajin e pestë ose të gjashtë, para përfundimit të kësaj periudhe. ISSH thekson se masa mujore e pensionit të reduktuar të invaliditetit është e barabartë me masën e pensionit të reduktuar të invaliditetit të llogaritur sipas masës së pensionit të plotë të invaliditetit, shumëzuar me raportin e viteve të periudhave të sigurimit, që janë periudhat e sigurimit që i duhen për pension të reduktuar të invaliditetit. Gjithashtu, në rastet që ka nevojë për kujdestari si dhe në rastet kur ka fëmijë në ngarkim, pagesat llogariten po njësoj si në pensionin e plotë të invaliditetit, me kushtet specifike përkatëse.

Pensioni i pjesshëm i invaliditetit
Ashtu si në rastet e sipërpërmendura, personat që bëhen të paaftë për të punuar përfitojnë në bazë të ligjit, pension të pjesshëm invaliditeti. Kushtet për ta përfituar këtë pension janë po njësoj me kriteret e renditura për 2 pensionet e tjera të invaliditetit. Ndërkohë, masa mujore e pensionit të pjesshëm të invaliditetit përbëhet nga pensioni bazë dhe nga një shtesë pensioni, që llogaritet si pensioni i pleqërisë. Në manualin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore theksohet se pensioni i invaliditetit të pjesshëm është sa 50 për qind e pensionit të plotë të invaliditetit e llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i plotë i invaliditetit.

Dokumentacioni

Dokumentet që vërtetojnë moshën dhe identitetin:
¨ Fotokopje e kartës së identitetit.
¨ Certifikatë e gjendjes familjare.
¨ Certifikatë martese (vetëm për aplikueset femra).
¨ Dy fotografi.
Dokumentet që vërtetojnë periudhat e sigurimit dhe llojin e punës janë:
¨ Libreza e punës.
¨ Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.
¨ Vendimi i emërimit në punë, si kuadër në ish-kooperativat bujqësore.
¨ Vendim gjykate për njohje të vjetërsisë në punë (nëse periudha e punës nuk provohet me dokumente zyrtare).
¨ Vërtetim-tip i vjetërsisë në punë për ushtarakët.
¨ Fotokopje e noterizuar e diplomës së shkollës së lartë (kur kanë mbaruar studimet e larta, me shkëputje nga puna).
Dokumentet që vërtetojnë të ardhurat e realizuara:
¨ Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut për periudhat e sigurimit që nga 01.01.1994 deri në momentin e shkëputjes nga puna, sipas formularit-tip.
¨ Çdo dokument tjetër justifikues, që vërteton pagën ose derdhjen e periudhave kontributive.
Dokumentet që vërtetojnë gjendjen shëndetësore:
¨ Fletë-drejtimi për në KMCAP, lëshuar nga institucione shëndetësore me shtretër, shoqëruar me fletë-dalje nga spitali, ekzaminime e dokumente të tjera plotësuese, të kërkuara kur del për herë të parë në KMCAP.
¨ Fletë-drejtimi nga KML për ato gjendje shëndetësore, që nuk janë objekt trajtimi në spital, sipas përcaktimit në rregullore.
¨ Epikrizë përcjellëse, lëshuar nga mjekë specialistë, apo konsulta e shoqëruar me ekzaminimet e nevojshme. Kur del për rikontroll duhet shoqëruar me ekzaminimet përkatëse zyrtare.
¨ Kartela personale dhe libri i shëndetit për të vërtetuar ecurinë e sëmundjes, ndjekjen dhe trajtimin mjekësor me ilaçe.
¨ Fletë-drejtimi për KMCAP, që vërteton rëndimin e gjendjes shëndetësore, e vlefshme për KMCAP, para afatit të rikontrollit.
¨ Raport mjekësor lëshuar nga Komisioni Mjekësor, që përcakton gjendjen shëndetësore dhe aftësinë për punë (para fillimit të punësimit ose të përfshirjes në çdo skemë sigurimi).
¨ Raport mjekësor i lirimit nga ushtria, lëshuar nga KMU pranë SQU, për ushtarët që bëhen invalidë gjatë shërbimit ushtarak.
¨ Vërtetim për pagesën e paaftësisë për punë, shkaktuar nga një sëmundje e përgjithshme (për punëmarrësin).

Burimi: http://www.gsh.al/2018/08/06/lista-e-plote-kempi-311-personat-qe-do-te-kryejne-kontrollet-mjekesore/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura