“Ismaili ka qenë në shërbim të agjenturave të huaja”/ ‘Arratisja’ e Kadaresë, ish-kryehetuesi rrëfen përndjekjen e shkrimtarit dhe përplasjen me Ramiz Alinë

Aug 26, 2020 | 15:25
SHPËRNDAJE

Kërkesa e Ismail Kadaresë për azil politik në Francë ishte një tronditje e thellë për regjimin komunist, i cili ishte në grahmat e fundit. Edhe pse ende në Tiranë nuk kishte mbërritur një konfirmim zyrtar për veprimin e shkrimtarit, Ramiz Alia dhe aparati i tij nisën punën për të marrë masa dhe për ta dënuar jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht shkrimtarin.

pjimage (2)

Për këtë u duhej ndihma e kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme, i cili ishte i pari që kishte mësuar lajmin nga “Zëri i Amerikës”. Në librin e tij, “Dritëhijet e kohës”, ish-kreu i këtij institucioni, Qemal Lame, tregon për reagimin e Ramiz Alisë dhe takimin me të të nesërmen e dhënies së lajmit.
Sipas Lames, Alia i kishte kërkuar mbështetje për dënimin e Kadaresë si agjent dhe tradhtar. Sipas shënimeve të Lames, ky i fundit ka bërë rezistencë, duke u shprehur se nuk kishte fakte të dokumentuara që të mbështesnin këto akuza.

QEMAL LAME

Mora në telefon Ramiz Alinë.

E vura në dijeni të bisedës me Hekuran Isain dhe i kërkova të takoheshim për të diskutuar për kërkesën e Ismailit për azil politik në Francë.

Ramizi më tha: “Kërkesa e Ismailit është një goditje e rëndë politike. Hajdeni, do t’ju pres menjëherë”.

… 08:00

Unë dhe Hekuran Isai shkuam në zyrën e Ramiz Alisë.

Takimi me Ramiz Alinë

Raportimi dhe kundërshtimi i masave penale kundër Ismail Kadaresë

Ramiz Alia:

-Shoku Qemal! Ju nuk keni pasur dijeni zyrtarisht për veprimtarinë armiqësore të Ismail Kadaresë. Vërejtja është e drejtë. Lajmi që na dhatë mbrëmë për kërkesën e Ismailit për azil politik në Francë, ishte befasues dhe revoltues. Pas njoftimit tuaj, mësuam më gjerë sesi ka ndodhur që Ismaili ka kërkuar azil politik në Francë. Mendova se është e domosdoshme të bisedojmë dhe të parashikojmë masat e domosdoshme për qëndrimin zyrtar dhe ligjor që kërkohet të mbajmë ndaj kërkesës së bërë nga Ismail Kadare për strehim politik në Francë.

Sigurimi i Shtetit ka të dhëna dhe prova se Ismaili ka qenë në shërbim të agjenturave të huaja. Ai ka kërkuar azil politik në Francë, sipas porosive të agjenturave të huaja. Qëllimi është që të godasin dhe të demaskojnë publikisht udhëheqjen, shtetin dhe socializmin në Shqipëri… Për të reaguar me forcë dhe për të mos lejuar propagandën e huaj që të na krijojë problem ndërkombëtarisht, kemi biseduar me shokët e sekretariatit. Autorizuam shokun Hekuran që të vinte te ju dhe të bisedonit të dy së bashku për koordinimin e masave të nevojshme agjenturore dhe ato hetimore e ligjore nga Sigurimi i Shtetit dhe nga Hetuesia. Prandaj shoku Hekuran erdhi sot në zyrën tënde.

-Problemi është shqetësues. Kërkohet të mbajmë qëndrim politik dhe ligjor. Qëndrimi politik është kompetencë e Komitetit Qendror. Qëndrimi ligjor imponon kritere ligjore për organin e akuzës për të filluar çështjen penale. Hetuesia vepron kur është kryer një vepër penale ose ka të dhëna të provuara, ose të provueshme për kryerjen e një vepre të rëndë penale. Në rastin e kërkesës për azil nga Ismaili, nuk kam ndonjë kallëzim ose dokument zyrtar për ndonjë vepër penale, shoku Ramiz. Së pari, realiteti dhe dyshimet janë dy dimensione të ndryshme të së vërtetës objektive.

Akuzat për tradhti dhe vënien në shërbim të agjenturave të huaja janë krimet më të rënda që parashikon Kodi Penal. Kërkohen prova ligjore, dokumente me shkrim, të dhëna, fakte etj., të bazuara në kriteret e rrepta procedurale. Së dyti, nuk kam të drejtë të paravlerësoj, të nënvleftësoj apo të vë në dyshim se Sigurimi i Shtetit ka pasur në ndjekje dhe ka prova për veprimtarinë armiqësore apo agjenturore të kryer nga Ismail Kadare. Po të kishin prova, sipas kërkesës së Kodit të Procedurës Penale, do të kishin bërë kallëzim në Hetuesi. Shoku Hekuran më tha: Po të na mbështesni ju si hetuesi, ne jua sjellim provat!

-Ashtu është. Sigurimi i Shtetit i ka provat. Shoku Hekuran ju ka thënë të vërtetën.

-Efektivisht, ne diskutojmë, por nuk kemi prova ligjore të paraqitura zyrtarisht. Në shumë raste unë vihem edhe para faktit, se Prokurori i Përgjithshëm është gati të miratojë arrestimin dhe kryetari i Gjykatës së Lartë të dënojë personin, po të vendosë kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme të fillojë çështjen dhe të hartohet vendimi i arrestimit.

-Kështu thuhet!

-Problemi nuk është besimi, por zbatimi i ligjit, shoku Ramiz. Akuzat janë të rënda. Po të ketë prova, veprohet sipas kërkesave procedurale. Bëhet kallëzim zyrtarisht në hetuesi. Nuk është e nevojshme të parapërgatitet mbështetja nga drejtuesit e hetuesisë, prokurorisë dhe gjykatës…

-Problemi qëndron në reagimin tuaj, shoku Qemal. Juve ju shikojnë si më kërkues për zbatimin e ligjit. Ndihet ndikimi juaj. Për këto arsye, Sigurimi i Shtetit do që të jetë më parë i sigurt se do ta mbështesni. Prandaj dërguam edhe shokun Hekuran, i cili ka më shumë kontakte me ju.

-Është e vërtetë. Shoku Hekuran merr mendime për mënyrën e zbatimit të ligjit. Unë mbështes çdo veprim dhe qëndrim ligjor zyrtar, shoku Ramiz.

-Më qartë! Do të mbështesësh Sigurimin e Shtetit?!

-Unë fola qartë, shoku Ramiz. Sigurimi i Shtetit ka detyrë ligjore që të bëjë kallëzim në hetuesi për dyshimet e vërtetuara me prova për veprimtari armiqësore. Dyshimet nuk duhet të jenë nga legjendat agjenturore apo nga bashkëpunëtorë të pabesueshëm. Nuk duhen mbivlerësuar dhe as imponuar mendimet me dyshime agjenturore. Theksoj po qartësisht, se nuk mbështes dhe nuk jap asnjë premtim për qëndrime pa u njohur konkretisht me kallëzimin ligjor, me provat dhe të dhënat që vërtetojnë veprimtarinë armiqësore.

-Hetuesi mund të thellojë hetimet dhe të dokumentojë më gjerë provat që ka Sigurimi i Shtetit.

-Shoku Ramiz! Kërkesa paraprake për të mbështetur Sigurimin e Shtetit pa bërë kallëzim zyrtarisht, është paragjykim i qëndrimit tim. Kjo është në kundërshtim me ligjin dhe me ndërgjegjen time juridike.

-Nuk mendojmë të paragjykojmë dhe as të vëmë në dyshim ndërgjegjen, shoku Qemal!

-Kërkesa është sugjestionuese, shoku Ramiz.

-Jo, jo! Nuk kemi atë qëllim shoku Qemal!

-Po ju deklaroj edhe mendimin konkret për këtë kërkesë: nuk besoj se kërkesa është e sinqertë. Po të kishte prova, Sigurimi i Shtetit do të kallëzonte duke dërguar menjëherë dokumentet, materialet kallëzuese dhe do të kërkonte ndjekjen penale.

-Sigurimi i Shtetit ankohet e akuzon përherë se hetuesia e ka bllokuar dhe paralizuar goditjen e veprimtarisë armiqësore.

-Hetuesi nuk bllokon dhe as paralizon Sigurimin e Shtetit, Hetuesia kërkon zbatimin e ligjit.

-Edhe Sigurimi i Shtetit është organ që zbaton ligjin!

-E drejtë! Këtë parashikon edhe Kodi i Procedurës Penale. Por Sigurimi i Shtetit duhet të reformohet, të rrisë efektivitetin dhe të bazohet në provat me vlerë ligjore. Çështjet që ka dërguar në hetuesi dhe janë kthyer kanë qenë me të dhëna agjenturore dhe kallëzime jo të besueshme, më konkretisht me dyshime nga burimet dhe bashkëpunëtorët pa vlerë, ose siç thonë vetë punëtorët operativë, bashkëpunëtorët e “djegur”, për t’i paraqitur si dëshmitarë. Kërkesa e hetuesisë për zbatimin e ligjit ka ndikuar të bëhen përmirësime në veprimtarinë agjenturore. Megjithatë, ky mbetet problem, pasi veprimtaria operative është e fshehtë. Punëtorët operativë dhe drejtuesit që duan të bëjnë karrierë të pamerituar, dyshohen për të dhëna jo të besueshme, bashkëpunëtorë fiktivë, apo raportime sipas formulimeve të vetë punëtorëve operativë… Ka edhe raste që janë hartuar dosje tërësisht të falsifikuara…

-Po akuzoni përsëri Sigurimin e Shtetit?

-Jo, shoku Ramiz. Këto përfundime i kemi bërë në kohë të qarta zyrtarisht. Edhe ju jeni në dijeni…

-Atëherë, shikojini konkretisht, ju, shoku Hekuran me Zylyftarin dhe pastaj bisedo konkretisht me shokun Qemal!…

-Të veprojmë sipas ligjit. Kjo është mënyra më e drejtë për bashkëpunimin.

-Si do të veprohet konkretisht për kërkesën për azil politik? (Me këtë pyetje Ramizi u tërhoq nga diskutimi për përgjegjësitë e Sigurimit të Shtetit dhe kaloi bisedën te problem tjetër)

-Hetuesia nuk është në dijeni zyrtarisht edhe për kërkesën e Ismail Kadaresë për strehim politik në Francë dhe nuk ka asnjë të dhënë apo njoftim nga Komiteti Qendror, ATSH-ja, nga Sigurimi i Shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme, ndonjë institucion tjetër shtetëror apo mënyrë tjetër informimi. Nuk është dinjitoze të vendos vetë kryesisht për fillimin e çështjes vetëm nga lajmi që dëgjova unë vetë në radio!

-Keni të drejtë. Megjithatë, kanë filluar të bëhen disa diskutime edhe këtu në Komitetin Qendror. Flasin e pyesin edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ATSH etj.!

-Në Hetuesinë e Përgjithshme nuk ka ndonjë lajm, pyetje, bisedë, shoku Ramiz.

-Ju besoj! Këtë mendim kam edhe unë. Edhe shokët e tjerë kështu ju njohim.

-Unë jam i përqendruar në punë, nuk kam as dëshirë dhe as kohë të shkoj në institucione të tjera për biseda, apo nëpër kafene apo lokale publike për të njohur të reja apo diskutime surprizuese, që bëhen në biseda intime, thjesht informuese apo të qëllimshme, deri edhe provokuese. Problemi është shumë shqetësues politikisht, për opinionin publik brenda vendit dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të shtetit tonë.

-Kështu është në fakt! Ngjarje e papritur nga Kadareja! Thikë pas shpine! Problemi është shumë shqetësues për Partinë dhe prestigjin ndërkombëtar të vendit tonë. Ismail Kadare ka bërë kërkesë për strehim politik dhe është marrë në mbrojtje nga autoritet shtetërore në Francë. Neve kërkohet të reagojmë menjëherë dhe të dëshmojmë me forcë qëndrimin tonë zyrtar politik, shtetëror, ligjor, të dënojmë aktin armiqësor të Ismailit dhe të publikojmë masat ligjore që parashikojnë ligjet e shtetit tonë. Çështja është e domosdoshme të hetohet dhe të mbahet qëndrim i rreptë dhe i merituar ligjor. Bashkësia ndërkombëtare të njohë forcën e shtetit tonë.

-Shoku Ramiz! Në rastin konkret, kështu siç u ekspozua njoftimi i ardhur nga Franca, nuk kemi vepër penale të kryer nga Ismail Kadare. Nuk ka as veprimtari armiqësore dhe as ordinere. Nuk kemi asnjë të dhënë apo provë ligjore për të vendosur fillimin e çështjes penale, apo deklaruar qëndrimin zyrtar të Hetuesisë së Përgjithshme për veprimtari armiqësore. Ka edhe një arsye shumë të fortë që kërkon vlerësim me qetësi. Me duhet të rikujtoj….

VIJON

 “Sigurimi i Shtetit ka të dhëna dhe prova se ai…”, ish-kryehetuesi zbardh bisedën me Ramizin ditën kur Kadare u arratis në 1990. Porosia që i dha

‘Dy akuzat në ‘80 për motrën dhe për takimin me Camajn’, rrëfimi i ish-kryehetuesit për Kadarenë: Kishte për të qenë me kohë në burg, por e shpëtoi…

“Nuk e prisnim këtë tradhti, dezertori. E përkëdhelëm, ja si na e shpërbleu”, ish-kryehetuesi zbardh debatin me Ramiz Alinë pas arratisjes së Kadaresë në ’90

“Agjent i Mehmetit, e ka thelluar vetë fajin dhe e pësoi”, ish-kryehetuesi rrëfen gjyqin në Lidhjen e Shkrimtarëve për Kadarenë: Pse erdhi Nexhmija dhe Ramizi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura