Ismail Kadare dhe çmimi “Nobel”

Oct 10, 2019 | 12:28
SHPËRNDAJE

ALFRED PAPUÇIU

Alfred-Papuciu

Në 10 tetor do të jepen dy çmime “Nobel për Letërsinë”, një për 2018 dhe tjetri për 2019. Ato mund të jenë për polaken Olga Tokarczuk, kenianin Ngugi Wa Thiong’o, shqiptarin Ismail Kadaré, amerikanen Joyce Carol Oates apo japonezin Haruki Murakami. Natyrisht, ne dëshirojmë që ta marrë Ismail Kadaré si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të kohës sonë dhe të pjesës së dytë të shekullit të njëzetë. Deri më sot, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë. Ai vazhdon të shkruajë, duke mos u kufizuar vetëm te gjinia e romanit. Ai krijon novela, ese, poema të reja, por gjithashtu edhe pjesë teatrale, pa harruar edhe publicistikën. Ismail Kadaré ka marrë shumë çmime dhe dekorata për talentin e tij të papërshkruar. Ai është autori më i lexuar shqiptar në botë. Edhe pse ka arritur këtë sukses, deri tani atij nuk i është dhënë çmimi “Nobel”, të cilin ai e ka merituar prej kohësh, megjithëse është favoriti i tij. Ai njihet ndërkombëtarisht, më tepër se presidentët e botës. Ai nuk i përket vetëm Shqipërisë, por njerëzimit. Nuk është e rastit që ai ka marrë ndër vite çmimin botëror “Cino del Duca”, çmimin “Man Booker” ndërkombëtar, Çmimin e letërsisë së Princit të Asturias, çmimin “Jerusalem”, çmimin “Nonino 2018” që i është dhënë nga një juri e autorizuar nga “Nobel”, çmimin “Bokacio”, çmimin “Lerici Pea” po në Itali. Presidenti francez i dha titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”, duke e cilësuar si “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”. Kadaré është anëtar përjetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Blanco Calderón, pas një ankete që u bë kohët e fundit në Spanjë, shkruan se: “Nga kjo anketë, më habiti dhe më gëzoi konsensusi i gjerë se një nga autorët, të cilit i duhet dhënë pa asnjë dyshim ‘Nobeli’, është shqiptari Ismaíl Kadaré”. Kadaré do të nderohet me çmimin “Pak Kyongni” për vitin 2019, më datë 26 tetor në Korenë e Jugut. Ai është cilësuar nga shkrimtarë të sërës së tij të njohur në botë si: “krijues i një universi të rrallë letrar”, “iluminist dhe humanist, njeri i lirë dhe një demokrat i flaktë”, “transmetues i mendimit, ideologjisë, dëshirës për liri”. Ai është një nga gjenitë e artit që ka bota. Ismail Kadaré mbush jetën tonë me një kënaqësi estetike dhe intelektuale të paparë, me një lumë emocionesh, me njohjen reale të dekadave dhe shekujve të kaluar, me ideale që na stimulojnë ta shohim me guxim të ardhmen, me respekt dhe dashuri për gjeniun krijues. Që nuk e ka fituar çmimin “Nobel”, mund të radhiten shumë arsye, pavarësisht se askush nuk mund të thotë me saktësi arsyen e vërtetë. Fakt është që, duke u nisur nga përvoja botërore e nominimeve, Ismail Kadaré përbën vërtet një histori më vete dhe të rrallë të këtij çmimi. Vështirë të gjesh në historinë e dhënies së këtij çmimi një shkrimtar tjetër që të jetë nominuar kaq shumë herë dhe t’i jetë afruar kaq shumë titullit. “Kurrë nuk është vonë që, sipas së drejtës cezariane, merita e shpërblyer të shkojë te i merituari”.

Para disa kohësh, isha në shtëpinë e gazetarit zviceran Pierre Barde, që e ka prejardhjen nga një familje me zë të Gjenevës. Ai dhe e shoqja arkitekte, Liza, si dhe vajza e tyre kineaste, Severina, janë të dëshiruar pas artit, letërsisë…

Ishim ulur jashtë, në shtëpinë e madhe në Zhento, të trashëguar nga të parët e tij, por të transformuar me shije. Përtej dukej liqeni Leman me varkat dhe anijet e tij, si edhe pulëbardhat që kohë pas kohe e mbulonin ujin me shkumë. Pas një çasti, Pierre na ftoi në dhomën e pritjes, ku midis të tjerash, ai ka relikte të udhëtimit të tij të paharruar në Shqipëri. Pierre Barde filloi të më tregojë botimet e fundit të shkrimtarit tonë Ismail Kadaré dhe më fliste me një respekt të veçantë për figurën dhe talentin e tij të madh. Gazetari zviceran, në bibliotekën e tij të pasur, ka radhitur në një vend ballor, të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në frëngjisht, por gjithashtu edhe në gjuhë të tjera të huaja. Atje, gjenden gjithashtu, botimet në shqip që i kam dhënë unë. Për të dhe miq të tij, Ismail Kadaré e meriton çmimin “Nobel”.

Në atë çast, kur Pierre është duke më lexuar pjesët e veprës së fundit të Ismailit, m’u kujtua takimi i ngrohtë me shkrimtarin, nga fundi i vitit 1994, në Universitetin e Gjenevës, kur më dha me autograf një nga librat e tij që e mbaj me kujdes, krahas veprave të tjera të tij. Atje ishte e pranishme edhe e shoqja, Helena, një grua fisnike që e ka prejardhjen nga krahina e prindërve të mi. Më kujtohen gjithashtu takimet me të, te Panairi i Librit në Palekspo të Gjenevës dhe më vonë në shtëpinë e tij dhe jam tepër i gëzuar kur shoh se në libraritë më të mëdha në Zvicër, si edhe në bibliotekat e shumta jo vetëm në Gjenevë, por edhe në qytete të tjerë, si në bibliotekat e organizatave ndërkombëtare ku kam punuar, emri i Ismail Kadaresë zë një vend të veçantë. Në bibliotekën madhështore të Pallatit të Kombeve në Gjenevë, ku kam pasur fatin të punoj, kërkoheshin dhe lexoheshin me kënaqësi veprat e shkrimtarit Ismail Kadaré. Dhe unë isha krenar që vija nga “vendi i Kadaresë”. Edhe sot, shkoj kohë pas kohe te Biblioteka e Kombeve të Bashkuara, ku miqtë dhe ish-kolegët e mi më japin disa botime lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët, si edhe shkrime për kombin tonë, Kadarenë dhe shkrimtarë të tjerë.

Personalisht nuk dua të futem në polemikën që lind herë pas here në disa organe të shtypit shqiptar, lidhur me ndonjë shkrim apo poemë të Ismail Kadarese të periudhës së diktaturës. Nuk arrij të kuptoj se ku është qëllimi i një sulmi të tillë pa skrupull, sidomos nga ana e ndonjë përfaqësuesi të asaj diktature ogurzezë, që kishte hipnotizuar atë popull të mirë, të urtë, por që diti të ruajë gjuhën e zakonet e veta, kulturën, shekuj të tërë, që diti të përballoje sulme nga më të kobshmet në historinë e njerëzimit: disa invazione të huaja. Atij regjimi, si kudo në botë, tashmë i ka kaluar koha.

Më kujtohet si sot, kur takova vite më parë një ish-komandantin tim të mirë dhe të përgatitur, pasi kreva shërbimin ushtarak, të pezmatuar, pasi e kishin liruar, meqenëse një kushëri i tij kishte “dashur të arratisej”. Dhe ai vazhdoi: “Po të shohim Shqipërinë me dy milionë e gjysmë banorë, të gjithë do dalim kushërinj”. A mendon ai dikushi që përdor për qëllimet e veta dokumente qesharake të asaj periudhe të ‘ngurtë’, se është më mirë që t’i fusë ato në sirtar dhe të përfitojë nga të mirat që i dha demokracia, qoftë edhe e brishtë në Shqipëri, pas viteve ‘90-të, pasi një ditë nipat dhe mbesat e tij ose të saj do ta kujtojnë jo për mirë.

Jam i mendimit se figura e Ismail Kadaresë, këtij shkrimtari të shquar të kombit tonë, por edhe të botës moderne, të shekullit të njëzetë e tani, nuk duhet të përlyhet, as nuk duhet të denigrohet, pasi nëpërmjet tij dhe veprave të tij, shumë qytetarë të botës kanë mundur të njohin edhe Shqipërinë e vogël, me njerëz të mirë, mikpritës, me karakter, luftëtarë trima, por edhe që e kanë dashur dhe e duan paqen dhe fqinjësinë e mirë. Anatemat kundër Kadaresë edhe nga ndonjë shqipfolës, në të kaluarën, deri tek ata që vendosin për çmimin “Nobel në Letërsi”, godasin indirekt edhe çdo shqiptar të ndershëm kudo qoftë. Kadareja nuk i përket vetëm kombit tonë, por edhe kombeve të tjera, ku ai ka fituar zemrat e miliona njerëzve me shkrimet e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, për Ballkanin, Europën, në veçanti dhe Kosovën dhe më tej. Nuk dua të përmend edhe tituj të tjerë dhe lavdërime që ka marrë Kadareja në Francë apo gjetiu, apo sa kryetarë shteti njohin më mirë Ismail Kadarene dhe veprën e tij sesa një President republike të çdo vendi qoftë. Duam a nuk duam ne, ai nuk ka nevojë për ne, ne kemi nevojë për të, për gjithçka ai do të shkruajë edhe tani, edhe në të ardhmen, për kombin e tij të lashtë. Pra, të nderuar zonja e zotërinj, lëreni Kadarenë të qetë, të lirë të punojë e të shkruajë për të mirën e të ardhmen e Shqipërisë që para më pak se dy dhjetëvjeçarëve nuk njihej as nga popuj të Europës. Lëreni atë të shkruajë, siç duhet të lini të qetë të punojë tokën e tij atë fshatar që do të mbjellë grurin dhe ta korrë atë, atë bukëpjekës që na përgatit bukën e përditshme, ata që kujdesen për shëndetin tonë, ata që duan të këndojnë, ata që falen para Zotit, ata që pikturojnë, ata që qëndisin, ata që ndërtojnë, ata që mendojnë, ata që…. Duke respektuar punën e tjetrit, mijëra e mijëra njerëz të kësaj toke jetojnë në harmoni, respektojnë njeri-tjetrin, janë solidarë! Tani, në botë ka me miliona njerëz që jetojnë pranë njëri-tjetrit: pra, ta respektojmë njeritjetrin, punën e tij, pasionet e tij, pasi kështu respektojmë veten dhe njerëzit tanë të afërm apo edhe të largët.

Shkrimtarë të shquar zviceranë si MarieLuce Dayer, gazetari i televizionit zviceran Pierre Barde, Antoine Bordier, Liliane Perrin, Francine Koch etj., etj, e kanë njohur fillimisht Shqipërinë nëpërmjet veprave të Kadaresë. Di që zvicerani Marcel Cellier, një nga njohësit më të mirë në botë për muzikën popullore të kombeve të ndryshme dhe i njohur në Francë, Zvicër, Amerikë e kudo për disqet me muzikë popullore shqiptare, bullgare etj., në emisionet e tij të përkryera për Festivalin e Gjirokastrës, dhënë te “Radio Suisse Romandë”, përmend disa herë me respekt birin e shquar të atij qyteti: Ismail Kadarenë. Di që profesori zviceran JeanPhilippe Assal, mik i shqiptarëve, i apasionuar pas profesionit të tij fisnik, por edhe letërsisë, ka pranë tavolinës së tij të punës apo në bibliotekën e tij të pasur edhe veprat e Kadaresë, të cilat i citon në seminaret e Grimenzit, ku vijnë mjekë nga gjithë bota. Di që shkrimtarja e paharruar zvicerane Lilianë Perrin e ka pasur për nder që parathënien e librit të saj e ka nënshkruar Ismail Kadare, ku ndër të tjera shprehet: “Në rast se këto faqe të larta janë larg çdo ambicieje apo zhargoni politik, ato shkojnë më larg se një sajim i thjeshtë, më larg se një takim pa të nesërme”.

Di që emri dhe vepra e Ismail Kadaresë zënë një vend të nderuar në letërsinë europiane dhe atë botërore të shekullit XX-të, paçka që ai nuk ka marrë çmimin “Nobel në letërsi”, të cilin e ka merituar në fakt nga lexuesit e shumtë në botë. Di nga udhëtimet që kam pasur fat të bëj në botë, si rezultat i punës me organizatat ndërkombëtare, që nuk kam gjetur asnjë libër të Kadaresë në kioskat e shumta të librave tashmë të lexuar e stërlexuar, pasi ato ruhen në bibliotekat e njerëzve të thjeshtë, të atyre të kulturës, të artit dhe të shkencës.

Të gjitha këto nuk janë pak për të respektuar këtë figurë. Urojmë nga zemra që shkrimtari ynë më i shquar ta marrë çmimin “Nobel”, që e meriton së tepërmi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura