“Ishte skenar i përgatitur”/ Duka ‘thumbon’ kritikët e stadiumit për kullën, presidenti i UEFA-s: Më ‘bombarduat’, Tirana do të presë…

Nov 17, 2019 | 21:48
SHPËRNDAJE

Një ceremoni e veçantë u organizua para ndeshjes Shqipëri-Francë, në ambientet e brendshme të “Air Albania Stadium”, ku patën fjalën e rastit edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, si dhe ai i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

bandicam 2019-11-17 21-44-51-103

Duka teksa nuk harroi të thumbonte edhe kritikët e stadiumit, i bëri edhe një kërkesë publike Ceferinit, që Shqipëria të zhvillojë një finale të madhe europiane në këtë stadium.

“I falënderoj të ftuarit e kësaj mbrëmje. Kemi shumë miq sonte. Na ndjekin me miliona, në inaugurimin e veprës më të rëndësishme të futbollit shqiptar. Kjo është një festë për të gjithë shqiptarët, sepse e duan futbollin. Do e kishim të vështirë të thonim pse kanë ardhur njerëzit sot, për të parë Kombëtaren Shqiptare, për të parë stadiumin, apo për të parë Kampionët e Botës.

Dua të falënderoj presidentin e UEFA-s, për kontributin financiar. Dua të falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, për ndërtimin e këtij stadiumi. Dua të falënderoj arkitektin italian, Marko Kasamonti. Dua të falënderoj të gjithë djemtë kuqezi, të të gjitha federatave, që me arritjet e tyre, e bënë domosdoshmëri ndërtimin e këtij impianti.

Do doja të falënderoja edhe ato pak, që nuk janë në këtë ceremoni sonte. Të cilët, nuk pranuan të vijnë në një stadium me kullë, apo pa kullë. Jam i sigurt që do e ndjekin këtë ndeshje nga televizioni, dhe pas këtij 90 minutëshi, do të binden që kjo është vepra më e mirë që ka bërë ndonjëherë Shqipëria. Dua të kërkoj nga kryeministri, që të mbështesë e financojë programin e FSHF për 100 fushat. Marr guximin të kërkoj edhe nga presidenti i UEFA-s, të lobojë bashkë me ne për të organizuar një finale të rëndësishme europiane në këtë stadium në 3 vitet e ardhshme.” – ishte fjala e Dukës.

Ndërkohë, në fjalën e presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, ky i fundit, u shpreh se në Shqipëri kishte parë një skenar. “Ishte si një aksion i menduar. I pari, ma kërkoi kryeministri faktin që të organizojmë një finale europiane në Shqipëri. Më tej, presidenti Duka. Edhe tre gazetarë më bënë të njëjtën pyetje. Dua të them këtë. Procedurat tona janë transparente, dhe nuk premtoj dot gjë. Por, duke parë këtë infrastrukturë, nuk mendoj se e teproj, po të them se në ttë ardhmen, me siguri Shqipëria dhe Tirana do presin një finale të madhe” – deklaroi presidenti Ceferin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura