‘Ishte nudo në krevat, ku e kishte armën?’, pse u la në burg Stresi. U zbulua kur po përgjohej …

Oct 20, 2018 | 8:53
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Gjykata e Tiranës caktoi dje masën e sigurisë “arrest me burg” për reperin e njohur, Arkimed Lushaj.

stresi

Ai u arrestua vetëm tri ditë më parë në një hotel në zonën e Linzës në Tiranë, në mjediset e të cilit u gjet kokainë dhe një armë zjarri në dollapin e dhomës ku qëndronte Lushaj.

Seanca gjyqësore nisi në orën 11:30 dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të sekretit hetimor. Pas një ore, Gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për armëmbajtje pa leje për Arkimed Lushajn.

Pas seancës gjyqësore, avokati i Stresit, Marash Ibraj, foli për mediat, duke thënë se arrestimi është i paligjshëm. Ai paralajmëroi se do ta apelojë vendimin e Shkallës së Parë. “Nuk ka pasur vendim gjykate për kontrollin. Do ta apelojmë vendimin e Gjykatës. Nuk vërtetohet se pistoleta e gjetur i përkiste klientit tim. Ku e kishte armën klienti im? Ai ishte shtrirë në krevat dhe nudo. Arma ishte e mbështjellë me peshqir dhe ishte vendosur në dollap. Nga ta dimë ne që ajo nuk ishte vendosur aty nga persona të tjerë?”, tha avokati.

“Panorama” mëson se përgjimet për Stresin janë zbuluar rastësisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, teksa kishte vënë nën përgjim grupin e Safet Bajrit. “Nga këqyrja e materialit shkresor dërguar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, ka rezultuar se me vendimin nr. 613, datë 27.06.2018, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, ka vendosur vleftësimin e përgjimit të komunikimeve telefonike të disa numrave në përdorim të disa shtetasve në interes të procedimit penal nr. 60 të vitit 2018”, shkruhet në dosjen hetimore të siguruar nga “Panorama”.

Pikërisht, ky procedim penal nr. 60 është ai i grupit të “Bajrave”. Pra, Arkimed Lushaj është vënë nën përgjim automatikisht, pasi rezulton se ka komunikuar me një nga anëtarët e këtij grupi.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura