“Isha alkoolist, po tretesha i vetëm”- Këngëtari Tiziano Ferro rrëfen të shkuarën e tij të errët dhe të qënurit homoseksual: Dëshiroja të vrisja veten

Oct 16, 2020 | 13:18
SHPËRNDAJE

Këngëtari i famshëm italian, Tiziano Ferro ka folur pa tabu për veten në dokumentarin “Ferro”, që flet për jetën e tij personale.

Tiziano Ferro rrëfeu pa dorashka momentet e tij të suksesit por edhe ato të vështirat.

Këngëtari tregoi detaje tronditëse nga jeta personale, duke zbuluar se ka qenë alkoolist.

“Një natë grupi më bindi që të pija dhe që nga ajo kohë nuk jam ndalur më. Pothuajse gjithmonë pija vetëm, alkooli më dha forcën për të mos menduar për dhimbjen dhe trishtimin, por kjo më bënte të dëshiroja gjithnjë e më shpesh që të vdisja,”- tha kantautori për revistën 7 të Corriere della Sera.

Ai u shpreh se pirja e alkoolit e bëri që të humbiste shumë mundësi dhe miq.

“Humba shumë mundësi dhe miq. Isha një alkoolist. Alkooli ju bën që të treteni në vetmi, ndërsa buzëqeshni para të gjithëve. Isha alkoolist, bulimik, homoseksual, në depresion dhe i famshëm. Madje fjala i famshëm më dukej defekt, madje më i keqi,”- rrëfeu këngëtari.

Më pas artisti u kthye pas në të kaluarën e tij, teksa ishte student në shkollë.

“Nuk kam qenë kurrë i pari i klasës, isha një anonim, aspak i bukur, përkundrazi isha i shëndoshë, i ndrojtur, më thoshin bullafiq, je si femër, humbës. Po prisja që dikush të ndërhynte për të më mbrojtur, por nuk ndodhi kurrë. Kam jetuar gjithmonë me zhgënjim, i mërzitur dhe madje i poshtëruar. Më pas, fillova të këndoja dhe për herë të parë pashë që bota ndryshoi. Muzika ishte e vetmja gjë qe kisha. Pastaj këndova për herë të parë dhe bota ndryshoi. Muzika ishte e vetmja gjë që kisha, një kanal për t’u shprehur në një botë ku nuk e njoha veten,”– u shpreh Tiziano Ferro.

/Panoramaplus.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura