Ish-të përndjekurit, Klosi: Rrisim fondet për dëmshpërblimin

Jun 23, 2016 | 12:26
SHPËRNDAJE

Për të përshpejtuar procesin e dëmshpërblimit për ish-të përndjekurit e regjimit komunist dhe familjarët e tyre, Qeveria do të lëshojë dorën me buxhetin.

Më shumë fonde në dispozicion në vitet në vijim. Ka qenë ky zotimi i bërë nga ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

klosi-300x200

I pranishëm në tryezën e organizuar nga Instituti i të Përndjekurve Politikë, me temë “Së bashku për ndërtimin e Memorialit Kombëtar në nder dhe respekt të viktimave të diktaturës”, Klosi tha se ritmet e ndarjes së kësteve do të përshpejtohen edhe për trashë- gimtarët.

“Nën drejtimin e kësaj qeverie është vendosur një rend përparësie për ish-të përndjekurit që janë gjallë dhe do të dëmshpërblehen, kemi ndërtuar një sistem të mirë në lidhje me dëmshpërblimin, duke u munduar të shmangim çdo ankesë nga përfituesit. Njëkohë- sisht do të vijohet dhe me dëmshpërblimin e trashëgimtarëve, duke premtuar që çdo vit do të ketë rritje në buxhetin e shtetit, për sa i përket dëmshpërblimit, duke bërë të mundur që ky proces të ecë sa më shpejt”, tha Klosi.

Megjithatë, ajo që nuk dihet ende është se kur do të përmbyllet ky kapitull. Ligji i miratuar në 2007-n dhe ndryshimet e bëra në 2014-n nuk përcaktojnë afate konkrete për përfundimin e procesit të dëmshpërblimit.

Kjo shton riskun e tejzgjatjes në kohë me disa vite të tjera. Këtë shqetësim e përçoi dje edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili kërkoi nga Qeveria që të vendosë afate.

LIGJI I RI

Pjesë e dëmshpërblimit do të bëhen edhe ata të dënuar, të cilët kanë aplikuar jashtë afatit. Ministri Klosi ka konfirmuar dje ndryshime të tjera ligjore, në të cilat parashikohet rihapja e afatit për ata që janë gjallë.

“Qeveria jonë po përgatit një bazë të re ligjore me fokus ata të cilët kanë humbur të drejtën e aplikimit, duke u munduar të përshpejtojmë dëmshpërblimin për ata persona të cilët e mendonin të humbur këtë mundësi nga qeveria paraardhëse”. Në ligjin bazë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve në Ministrinë e Drejtësisë ishte data 1 korrik 2009.

Drafti i ri i cilëson këto aplikime të vlefshme, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë marrjes në shqyrtim të tyre. Por kjo nuk do të ndodhë me të gjitha dosjet, por vetëm me ato që janë depozituar nga të dënuar që aktualisht janë gjallë. Mësohet se janë mbi 3 mijë dosje jashtë afatit, nga këto vetëm 500 mund të jenë nga radhët e ish-të përndjekurve që aktualisht janë gjallë.

MEMORIALI

Në fokus të tryezës së djeshme ishte ngritja e një memoriali kombëtar në nderim të të gjitha viktimave të komunizmit. Sipas Klosit, ky memorial do të shërbejë jo vetëm si nderim për të gjithë ata që u sakrifikuan në emër të vlerave të lirisë dhe demokracisë, por edhe për gjeneratat e ardhshme që të njihen me atë pjesë të errët të historisë. Projekti do të mbështetet financiarisht edhe nga Bashkia e Tiranës. Në krye të këtij institucioni, kryebashkiaku Veliaj konfirmoi vullnetin për të kontribuar në mënyrë direkte në ndërtimin e këtij memoriali. Ai theksoi se ruajtja e kujtesës historike përbën një sfidë me të cilën duhet të përballet sot shoqëria shqiptare, në mënyrë që rinia të njohë krimet e komunizmit dhe sakrificat e të gjithë atyre që dhanë jetën dhe lirinë e tyre për një Shqipëri më të mirë.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura