Ish-të përndjekurit dhe pronarët, Qeveria do të ndajë edhe 43 milionë USD

Aug 28, 2018 | 23:00
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Ish-të përndjekurit, brenda vitit 2018 do të përfitojnë edhe 17 milionë dollarë dëmshpërblime. Nga fondi për kompensimin e ish- pronarëve kanë mbetur pa u shpërndarë edhe 26 milionë dollarë. Në total, për këto dy kategori janë për t’u shpërndarë edhe 43 milionë dollarë.

Foto ilustruese
Foto ilustruese

Shifrat për fondin e mbetur që do të shpërndahet deri në fund të vitit për dy kategoritë, u publikuan dje në tabelën fiskale të Ministrisë së Financave për 7-mujorin. Ish- të përndjekurit, brenda vitit 2018 do të përfitojnë edhe 17 milionë dollarë dëmshpërblime. Për kompensimin e ish-pronarëve kanë mbetur pa u shpërndarë edhe 26 milionë dollarë. Referuar statistikave fiskale, qeveria deri tani ka shpenzuar 228 milionë lekë për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve.

Fondi i miratuar me buxhetin e vitit 2018 është 2 miliardë lekë për dëmshpërblimet e kësaj kategorie. Për 4 muajt e ardhshëm, qeverisë i kanë mbetur për të shpenzuar edhe 1,772 milionë lekë për ish- të përndjekurit. Fondi për kompensimin financiar të ish-pronarëve me buxhetin e vitit 2018 ishte në vlerën e 4 miliardë lekëve. Në shtatë muajt e parë, qeveria ka shpenzuar nga fondi i kompensimit 1,384 milionë lekë. Deri në fund të vitit, për kompensimin e ish- pronarëve do të shpërndahen 2,616 milionë lekë.

TË ARDHURAT DHE SHPENZIMET

Për periudhën janar-korrik, totali i të ardhurave që kanë hyrë në buxhet janë 256 miliardë lekë, sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Financave, duke shënuar një rritje 7,3 miliardë lekë më shumë se viti 2017. Shpenzimet e përgjithshme të qeverisë arritën 252,8 miliardë lekë. Kjo periudhë fiskale është mbyllur me suficit buxhetor në vlerën 3,1 miliardë lekë.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat u realizuan në 224.4 miliardë lekë, 8 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017 dhe me realizim kundrejt planit të periudhës në masën 98 për qind. Të ardhurat nga TVSH-ja, një nga treguesit kryesorë të qarkullimit në ekonomi, u rrit 3,4 për qind apo 2,6 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në total, të ardhurat e arkëtuara nga TVSh-ja janë 81 miliardë lekë.

Zhvlerësimi i euros ka ndikuar në të ardhurat nga TVSH. Ministria e Financave shpjegoi se rënia e kursit të këmbimit të monedhave të huaja, si euro dhe dollari kundrejt monedhës vendëse, ka dhënë efekte të ndjeshme negative në uljen e të ardhurave nga TVSH-ja të importeve për të gjitha kategoritë e mallrave. Sipas Financave, janë rimbursuar rreth 8 miliardë lekë ose 1.4 miliardë lekë më shumë se 7-mujori i vitit 2017.

Shpenzimet e përgjithshme publike për muajin e shtatë të vitit 2018 arritën në rreth 252.8 miliardë lekë, me një realizim në masën 95.1 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, ky zë ka rezultuar 3 për qind më i lartë ose rreth 7.3 miliardë lekë më shumë.

fiskalja

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura