Ish-të përndjekurit, deri në 7 këste për ata që jetojnë

Feb 13, 2016 | 16:32
SHPËRNDAJE

Pas mbylljes së këstit të pestë për të gjithë ish-të përndjekurit që jetojnë, do të procedohet me ndarjen e këstit të radhës. Drejtoresha e Sektorit të Pagave dhe Dëmshpërblimeve në Ministrinë e Financës, Alma Delija, tha se me fondin që është vënë në dispozicion për këtë vit synohet edhe çelja e pagesës së shtatë, për rreth 2300 të dënuar që bëjnë pjesë në kategorinë parësore.

te-perndjekur-politike_dielli_al

Ndërkohë, ata që kanë tërhequr vetëm dy apo tri këste deri më tani, mjafton të plotësojnë dosjen dhe menjëherë do të kenë mundësi të tërheqin pagesat e prapambetura. “Në rast se një qytetar përfitues që është gjallë nuk ka përfituar këstin e katërt apo të pestë, ai mund të paraqitet pranë zyrave tona duke dorëzuar një certifikatë personale të muajit aktual dhe vërtetim të muajit të llogarisë bankare.

Që në momentin që i depoziton, ai hyn në radhë për pagesë, duke përfituar menjëherë edhe këstin e katërt edhe të pestë. Kësti i gjashtë nuk është çelur ende. Kjo është një ndër objektivat e Ministrisë së Financës për të çelur këstin e gjashtë dhe të shtatë.

Por kjo do të varet nga ecuria e punës në lidhje me plotësimin e dosjes nga ana e përfituesve të kategorisë parësore”, sqaroi Delija. Për 2016-n janë në total dy miliardë lekë, nga të cilat vetëm 600 milionë do të përdoren për trashëgimtarët. Me këta të fundit do të vijohet, sipas drejtoreshës, me ndarjen e këstit të dytë. Për këstin e tretë ata duhet të presin vitin e ardhshëm.

“Paralelisht jemi duke punuar edhe me kategorinë e trashëgimtarëve. Kemi në proces 837 dosje. Aktualisht jemi duke përfunduar një sistem të ri, që është krijuar enkas për procedurat dhe praktikat e shpërndarjes së fondit të dëmshpërblimit, i cili do të përshpejtojë ritmet e operimit”. Këto deklarata, drejtoresha e Sektorit të Pagave dhe Dëmshpërblimeve i bëri gjatë një konference për mediat. Më poshtë janë pyetje-përgjigjet e zhvilluara me gazetarët.

Sistemi i ri, i cili do të përshpejtojë kryerjen e pagesave për trashëgimtarët, kur do të vihet në funksion?

Sistemi që do të implementohet kërkon një punë shumë të madhe, pasi do të nevojitet skanimi i dokumenteve. Dhe nuk janë pak, por rreth 23 mijë dosje, që do të skanohen për t’u futur në arkivin elektronik. Është në objektivin e vitit 2016 dhe funksionimi i tij do të na mundësojë shpërndarjen më të shpejtë të dëmshpërblimeve.

A krijon mundësi fondi i vitit 2016 për të çelur pagesat për këstin e gjashtë dhe të shtatë?

Sigurisht që një nga objektivat që ka Ministria e Financave është edhe nisja e pagesave për këstin e gjashtë, pasi të ketë mbaruar shpërndarja e plotë e këstit të pestë. Për këtë na nevojitet edhe bashkëpunimi i qytetarëve që të sjellin dy dokumentet e domosdoshme, certifikatën aktuale dhe një numër llogarie bankare. Në momentin që të kemi ezauruar pjesën më të madhe të pagesave për këstin e pestë, do të bëjmë të mundur edhe çeljen e pagesave për këstin e gjashtë. Sërish, sipas një ecurie të ngjashme, mund të nisim dhe dëmshpërblimet për këstin e shtatë. Ky është një vit sulmi dhe objektivi ynë është që fondin ta shpërndajmë brenda gjashtëmujorit të parë.

Gjatë dy viteve të fundit, fokusi i qeverisë ka qenë te kategoria parësore. Është vënë një rend përparësie, por krahas kësaj, ecuria me pagesat e trashëgimtarëve ka qenë më e ngadaltë, madje është përfolur edhe për heqjen nga shpërblimet të nipërve dhe mbesave nga radha e përfituesve. Çfarë risish priten në këtë drejtim?

Aktualisht, ne jemi duke zbatuar ligjin që është në fuqi. Kështu që, deri sa ligji e përcakton se janë të përfshirë dhe nipërit e mbesat, atëherë ne do të vijojmë sipas këtij rendi në shpërndarjen e lekëve. Në momentin që do të ketë ndryshime ligjore (kjo nuk bëhet vetëm me veton e Ministrisë së Financave), sigurisht që do të krijojmë mundësinë të biem në një emërues të përbashkët. Ne mund të bëjmë propozime vetëm nëse do ta shohim të arsyeshme. Ne përgjigjemi për emrat që janë miratuar dhe tashmë nuk ka asnjë plan për përjashtimin e nipërve dhe të mbesave.

Pritet të nisë kësti i tretë për trashëgimtarët brenda këtij viti?

Nuk e kemi si objektiv për këtë vit. Do të vazhdojmë të shpërndajmë këstin e dytë të dëmshpërblimit. Kjo për shkak se edhe fondi është i limituar, vetëm 30 për qind e fondit vjetor, pra 600 milionë lekë që adresohen për këtë kategori. Prioritet kemi përfundimin e këstit të pestë për të dënuarit që jetojnë dhe çeljen e këstit të gjashtë.

A keni parashikime se kur do të mbyllet skema e dëmshpërblimeve për kategorinë parësore?

Në varësi të ecurisë, në momentin që do të mundë- sojmë çeljen e këstit të gjashtë, me gjasë edhe të këstit të shtatë për këtë vit, në 2017-n do të krijojmë mundësinë për lëshimin e këstit të tetë, duke mbyllur plotësisht dhënien e dëmshpërblimeve.

Sa ish-të dënuar janë aktualisht në skemë?

Sa u përket ish-të përndjekurve që janë gjallë, në regjistër kemi 2300 përfitues. Në total, si dosje janë 23 mijë. Pra, 20 700 janë vetëm trashëgimtarë (kategoria joparësore). Këta nuk lexohen individualisht si përfitues, pasi një dosje mund të ketë më shumë se një trashëgimtar, madje deri në 10 të tillë.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura