Ish-sopranoja Irena Gjergo, bashkëshortja e skulptorit Fuat Dushku: “Si ma fshinë emrin nga Opera për një kushëri në Greqi”

Feb 25, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE

Shumë pak gjëra sjell ndërmend tani. Ca i ngatërrohen, të tjera me zor i vijnë në mendje apo lodhet t’i ndajë me të tjerë. Veç kësaj, ish-sopranoja Irena Gjergo, e cila tashmë i ka kaluar të 80-at, ngashërehet shumë lehtë. Sidomos nëse sjell ndër mend bashkëshortin, skulptorin Fuat Dushku.
Me të ka ndarë një jetë, ka qenë dashuria e parë e lindur bankave të Liceut, kur të dy ishin nxënës të një klase dhe sot i mungon më shumë se kushdo.
“Ishte njeri shumë i mirë, shumë i butë”, përsërit herë pas here, ndërsa sytë gjithë lot dhe ngashërimet ia ndërpresin fjalët e pakta.

Irena Gjergo e Gaqo Çako, 1963 te “La Boheme”
Megjithatë, kujton qartë kohën kur njohu Fuatin. “Jemi njohur që në Liceun Artistik, ku shkova për të studiuar dhe ai ishte atje. Ishim në një klasë. Atje u dashuruam”, shprehet sopranoja Gjergo, sipas së cilës vitet më të bukura, të paharrueshme, ishte vitet në Lice.
“Në Lice, profesori i tij i Pikturës ka qenë Sadik Kaceli. Pas Liceut, Fuati iku shpejt për studime në Çekosllovaki. Unë ika më vonë. Ai ndenji 6 vjet në Pragë, ku u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura të Aplikuara për Skulpturë dhe Qeramikë.
Kurse unë shkova në Moskë, ku studiova vetëm tre vjet. Pasi u prishën marrëdhëniet, u detyrova të kthehem. Ai ishte këtu se kishte mbaruar studimet”, rrëfen Gjergo.
Këtu filloi të kristalizohej dashuria mes dy të rinjve: ajo një soprano e re, nga më të talentuarat, ai një skulptor, po ashtu nga më të mirët e brezit të tij.
Irena dhe i shoqi, Fuat Dushku
Dasi fetare
Një vajzë që vinte nga një familje e krishterë, e ëma katolike nga Shkodra, kurse babai nga Kavaja, Irena Gjergo, nuk do ta kishte të lehtë të kurorëzonte historinë e saj të dashurisë me skulptorin Dushku. Për asnjë arsye më tepër, veç faktit që ai ishte mysliman. “Familja ime nuk donte se ai ishte mysliman dhe unë e krishterë. Por unë e doja dhe ai më donte. Mbaj mend se në momentin e fundit, thashë: unë do ta marr atë myslimanin! Si?!- më tha nëna. -Prit një minutë t’i them babës!  -I tha babës dhe shyqyr baba tha: Kurdo që të vendosë, të na lajmërojë! -Dhe kaq ishte”, kujton Gjergo, e cila, megjithatë nuk mundi të vishte fustan të bardhë nusërie, por kjo i dukej e parëndësishme përpara jetesës për ditë me të zgjedhurin e zemrës.
“Fuati ishte shumë i mirë. Edhe shoqëria që kishte, e donin. Vetëm se jetën e pati të shkurtër. Më kujtohet se kur punonte, donte një lloj qetësie. Ai e kishte këtë qetësi në shtëpi dhe më falënderonte: “Sajë teje, arrita të bëj diçka”, vëren Irena Gjergo, ndërsa shton se ata të dy shpesh diskutonin për punët që ai krijonte, si dhe për shfaqjet e rolet e saj në opera.
Spektatori më i rregullt
Sot, kujton me nostalgji vetëm mirësinë dhe butësinë e të shoqit, por jo gjithçka ka qenë e lehtë në ato vite. Të jetoje në Shqipërinë e atyre viteve, me një artist që i kushtohej me orar e pa orar krijimtarisë, nuk ishte e lehtë për një grua, gjithashtu artiste, si dhe nënë e dy vajzave.
Në vitet ’60, Gjergo u caktua në Opera si soliste dhe mbrojti diplomën bashkë me artistë të tjerë të brezit të saj, si Gaqo Çako, Luiza Papa, Tonin Harapi, Gjenovefa Heba etj.
Kthimi në Shqipëri pas tri viteve studimi në Moskë u shoqërua me emërimin në Opera, ku punoi gjithë jetën e saj.
Fuat Dushku
Bashkëshorti, Fuat Dushku dhe vajza e tyre e madhe, Morena, ishin spektatorët më të rregullt të çdo shfaqjeje ku Irena interpretonte në skenën e Teatrit të Operës. “Fuati e donte shumë këngën dhe ishte i lumtur që merresha me këtë. Sa herë më thoshte: Sa mirë, sa qejf që merresh me muzikën. Kur mblidheshim në rreth shoqëror këndonim, e ndonjëherë edhe ai këndonte për qejf”. Kurse, e bija i kujton edhe sot netët kur e ëma ngjitej në skenë dhe thuajse i dhemb, që në këto vite, shumë pak veta e përmendin emrin e së ëmës. “Gjatë gjithë historisë së Shqipërisë, përmenden vetëm 2-3 emra artistësh të Operës së atyre viteve, sikur kanë kënduar vetëm ata. Por ata kanë qenë shumë”, thekson ajo, ndërsa kërkon që vetë e ëma të kujtojë ato vite. E shpërndarë në momente të tilla, Irena  përmend në mënyrë të veçantë ish-pedagogen e vet, Marie Kraja. “Ishte njeri shumë i mirë. Donte të jepte sa më tepër. Madje më kujtohet kur përgatiste ‘Traviatën’ dhe më thoshte: merre akuten, provoje. Ishte pedagode e mirë, grua e mirë”. Vitet ’70, mënjanimi për shkak të kushëririt nga Greqia
Është për t’u shënjuar një periudhë kur gati i hoqën vizë nga çdo rol e shfaqje, porse, ajo që përmend vazhdimisht sopranoja Gjergji, është se në opera e “trajtonin mirë” dhe në teatër e donin, “që tek instrumentisti më i vogël deri te më i madhi”.
Por, pavarësisht kësaj dashurie, një periudhë ftohtësie do të përvijohej ndaj çiftit Gjergo-Dushku për disa vite me radhë.
Ishte një moment kur Fuat Dushku pësoi “një goditje e kthim mbrapa”, siç e cilëson e bija. Ishin vitet ’70, kur u rihap Ambasada Greke. “Një kushëri imi, djali i tezes, që kishin ikur gjatë luftës në Greqi, erdhi në Shqipëri”, thotë Gjergo. “Atëherë qe një tërmet për familjen tonë, se e akuzuan babain që ka takuar persona të Ambasadës Greke, që në fakt nuk qëndronte. Ai vërtet erdhi me punë nga shteti ku jetonte e bashkë me të erdhi dhe e ëma, tezja e mamit. Me të mami e babi u takuan. Erdhi dhe në shtëpi, por ishte një plakë 80 e ca vjeçe në atë periudhë”, kujton vajza e artistëve, Morena. Kështu, Fuat Dushkut iu hoq menjëherë anëtarësimi në Parti dhe u bë thjesht një kandidat, ndërsa e çuan të punojë si inxhinier i thjeshtë te ndërmarrja artistike “Migjeni”. Ndërsa sopranoja Gjergo u la në hije në gjithë aktivitetet që Opera bënte. “Nga ai moment u fshiva nga gjithë koncertet, gjithë operat. Në koncertet e Nëntorit, për shembull apo dekadat e majit emri im ishte me vizë, deri pas disa vitesh, kur e panë se asgjë nuk kishte ndryshuar e nuk kishte ndodhur, por bënim jetën tonë rregullisht”.

“Heroinat e Mirditës”, pengu i Dushkut

Me një veprimtari shumë të gjatë pune, duke filluar nga qeramist në Porcelan, për të vijuar me drejtimin e artistikes “Migjeni” si nëndrejtor e më pas si kryeinxhinier etj., ai ishte një prej atyre personave që “ngriti në këmbë” ndërmarrjen “Migjeni”. Ishte vazhdimisht në përkrahje të talenteve të reja, të cilët në jo pak raste kanë shkuar nga punëtorë të thjeshtë te “Migjeni”, në studentë e artistë në Institutin e Arteve. “E vlerësonte shumë punën e dorës dhe e çmonte njeriun që dinte të punonte dhe punonte bukur”. Në fund të viteve ’70, ai u emërua drejtor në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ishte ndër të parët që i dha rëndësi pjesës së restaurimit të veprave të artit. Autor dhe bashkautor i shumë veprave të rëndësishme, ai ka qenë edhe një prej bashkautorëve të monumentit “Katër heroinat e Mirditës”, që tashmë nuk ekziston më. “Heroinat e Mirditës”, ishte monumenti i parë i atyre përmasave aq të mëdha, “ndaj Fuatit i erdhi keq shumë, kur u prish”, kujton e shoqja, Irena. Ishte një dhimbje dhe pa asnjë dyshim, e bija dhe e shoqja, e quajnë pengun e artistit. “Ngaqë ishte puna e parë aq gjigande, komplekse e të gjithë punuan me dëshirë, me mish e shpirt, me orare të zgjatura e punë të paparë e në fund u zhduk, u shkatërrua, nuk u mor vesh, se ku shkoi”.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura