Ish Sigurimsi Mark Dodani shpërthen pas dekorimit të 400 diversantëve që solli CIA në Shqipëri

Mar 15, 2017 | 13:03
SHPËRNDAJE

Më 20 shkurt, pra tre javë më parë, Mark Dodani 91-vjeçar, atje larg në Francë ku jeton prej vitesh, po ndiqte lajmet e mbrëmjes që vinin nga Tirana. Papritmas, përplas grushtin në tavolinë dhe thërret: “Poshtërsi! S’ka poshtërsi më të madhe!”. Ç’pate? E pyet Hatemja, e shoqja.

“Po shiko moj se çfarë bëhet në Tiranë. Presidenti Nishani ka dekoruar me dekoratën e Skënderbeut 400 diversantët terroristë që u hodhën në Shqipëri në vitet ’50. Po a ka turp më të madh? Ata ishin terroristë, ishin armiq që përfunduan në koshin e plehrave të historisë siç e meritonin… Ky vete dhe i dekoron… Turp e faqja e zezë!

Mark Dodani
Mark Dodani

Qysh atë natë na mori në telefon në gazetë, sikurse bën shpesh herë. Ishte tejet i indinjuar. “Do ulem e do shkruaj t’i tregoj Nishanit dhe të gjithë shqiptarëve se kush ishin ata…”, na tha.

Mark Dodani, një nga figurat emblematike të ish-Sigurimit të Shtetit, ka qenë pjesëmarrës i vijës së parë në luftën kundër diversanteve në vitet 1949-1954. Në këtë material që dërgoi enkas për DITA-n, duke u ndalur te figura e Heroit të Popullit Asim Aliko, ai përshkruan se ç’ishin ‘bandat’ e diversantëve që u hodhën në atë kohë, kush i financonte, fundin e tyre dhe të vërtetën për agjentin e shumëfishtë Kim Filbi

Nga Mark Dodani

Ju flet Asim Aliko

Të flasësh për bolenasin Asim Aliko ‘Hero i Popullit’ me pseudnimin “Tomorri”, do të duheshin volume më vete me hapësira të pafund në shpjegim të hijeve të kohërave furtunë ballë për ballë të cilave udhëtoi tërë jetën. Por vepra dhe jeta e tij, falë dhe krahëpërkrah të të cilit shokët e tij mësuan dhe u kalitën për gjysëm shekulli rresht, duket sikur është gjallë dhe përhedh zërin: Ju lutemi më dëgjoni!…

***

“ … Jam bolenasi Asim Aliko, i inflitruar vet’i pestë midis t’arratisurve terroristë. Mos harroni që pamë me sytë tanë kur terroristët prangosnin forcërisht vajza dhe gra, i lidhnin trungjeve të pemëve pyjeve dhe shpellave, u ngulnin thika gjokseve të njoma, u shqyenin gjinjtë mizorisht, u digjnin shtëpitë njerzëve të pafajshëm, vrisnin e masakronin fëmijë e mësues, me gjakun e të cilëve lanin dërrasat e zeza për të vetmin faj, se shkruanin gërmat e para të alfabetit të gjuhës shqipe.

Pamë prerje kokash të shqiptarëve që guxonin të merrnin përsipër detyra nëpër punëra të ndryshme për të fituar bukën e fëmijëve, koka të cilat të prera i kalonin në zyrat gjakbërëse të mjeshtrave të tyre tejpiramidash, që synonin të zhbënin Kombin Shqiptar, që nuk duronin dot Shqipërinë më vete të zhvilluar e të bashkuar. Pamë fëmijë ndër djepe, të cilët rrëmbyer nga gjiri i nënave dhe djepet ku përkundeshin, u hodhën në zjarrin e shtëpisë së kallur flakë, ku plakun e kishin mbytur në gjak vdekur, ndërkohë që plaka e tij e shkretë lidhur me plakun pa frymë, midis gjakut e tmerruar, nuk merte me mënd nga i vinte gjithë ajo gjëmë.

Pamë e ç’nuk pamë në atë luftë “Të ftohtë “ i thënçin, veçse gjithë zjarr për jetë a vdekje. Ndërkohë kategoria jonë, infiltruar midis bandave gjakbërëse, terroriste, teksa flinim me vdekjen, kontrastoheshim me kategorira të tjera bashkëkohorësh që studionin bankave të shkollave nëpër Shqipëri, apo atyre nga më luksozet nëpër botë, madje krahas pajisjeve me dije dhe diploma të larta, të cilat aq për zemër i ka rinia shqiptare, shquheshin të përkedhelur orëve të lira deri ballove dhe shoqërive nga më dëfryeset.

Por edhe ne, të infiltruar midis bandave terroriste, ndjeheshim krenarë, por jo pa tronditje, që i shërbenim idealit të shenjtë të mbrojtjes se Atdheut për të shmangur me çdo çmim vrasjet dhe terrorin e shqiptarit me shqiptar, terror nga  i cili edhe në ditët tona antishqiptarët nuk kanë hequr dorë. E kush nga rinia shqiptare ardhur nga Lufta e Dytë Botërore kundër Nazifashizmit, nuk do t’i mbronte fitoret e arritura?!  E kush nga rinia 20-30 vjeçare shqiptare dhe populli i tërë nuk do të merrej me rindërtimin, ndërtimin dhe mbrojtjen e vendit të shkatërruar nga lufta dhe prapambetja?! E kush nga ne dhe gjithë atdhetarët e ndershëm nuk do të ngrihej dhe të asgjësonte bandat terroriste që vrisnin njerëz të pafajshëm për të vetmin shkak se ndërtonin, zhvillonin dhe mbronin Shqipërinë?!

Të gjithë do ta bënin dhe të gjithë e bënë detyrën e mbrojtjes kombëtare. Sakrifikuam jetën tonë private, familjen, fëmijët dhe shumë ëndrra dhe dëshira rinore të kohës, ashtu siç do bënte çdo atdhetar dhe shtetas në mbrojtje të kombit të vet.

***

Nuk ka shtet pa Sigurim Kombëtar, organizëm në të cilin kërkohen njerëz që përkushtohen deri me jetë, përkushtohen me zemrën e tyre të ngrohtë , me duar të pastra për të mos rënë në kompromentim moral dhe material, pa lënë në harresë kulturën me arsimimin e domosdoshëm dhe mendçurinë e natyrshme. Por fatkeqësia jonë vjen nga qeveritë tona.

Sidomos nga ato të parat, njëlloj me të cilat e teprojnë deri në hatara, qeveritë e ditëve tona që nuk vlersuan, as nuk vlerësojnë, nuk nderuan, as nuk nderojnë dhe nuk i mbrojtën as nuk i mbrojnë figurat, sikundër kanë vepruar dhe veprojnë shtetet e mëdha demokratike të botës, si Amerika, Anglia, Franca, Rusia deri te Italia e shumë të tjera anëkend botës, që figurat i mbrojnë dhe i mbajnë në ballë të kombit të tyre. E si për t’i vënë kapakun gjithë këtyre bëmave e gjëmave, Presidenti vete e dekoron më një dekoratë nga më të lartat 400 diversantët që erdhën t’i vinin flakën Shqipërisë në vitet ’50 të shekullit të kaluar…

Është e dhimbshme që në Shqipëri nuk u vlersuan as nuk vlerësohen, por i njollosën, nuk i nderojnë, por i poshtërojnë, duke i shpallur tradhëtarë, nuk i mbrojnë por i vrasin, paçka se historia flet dhe do të flasë për secilin. Kjo hata po vazhdon edhe në këto kohëra tranzicioni të vështirë kur vriten dhe zhduken pa nam dhe nishan deri në figura të mëdha kombëtare dhe, për asnjërën syresh, nuk përgjigjet askush, ndonëse ligji i detyron.

Vjen e dhimbshme deri në skajshmëri të paparë kur jeta e njeriut po krahasohet me “insekte – kandrra kenës këso bote”, siç shkruante Migjeni i madh, apo “minj dhe kavje laboratori” sikundër i portretizonte diversantët Prof. Abaz Ermenji.

Heroika e Asim Alikos gjurmon e mozaiktë në Bolenë e Kurvelesh, anekënd nëpër Labëri dhe më gjërë, tejpërtej nëpër Shqipëri.

Terroristët e banditizmit politik të armatosur deri në dhëmbë i njohëm dhe i mundëm, por ruhuni nga ata që do t’u vijnë me kollaro, porosiste Asim Alikon, Tomorrin me shokë, legjendari i legjendave Kadri Hazbiu.

Asim Aliko kur u nda prej nesh na la dhuratë guximin dhe trimërinë, mënçurinë dhe zemërbardhësinë. Mos u trembni nga trimat, ruhuni nga frikacakët e kollarisur , thonte rëndom Asimi se kështu do t’i shërbejmë mbrojtjes së lirisë, të drejtësisë, paqes dhe demokracisë …

Me ndjenjë të thellë nderimi Asim Aliko  Tomorri, do të përfundonte mesazhin e tij: Falënderoj shumë gjithë lexuesit që na ndjekin …

***

Bota ishte ndarë mëdysh, mbiquajtur kampi kapitalisto – revisionist me SHBA-n në krye dhe Demokracitë Popullore  Socialiste që kryesoheshin nga Bashkimi Sovjetik.

Anglo – Amerikanët në krye të kampit kapitalist, përdorën taktikën e Banditizmit terrorist Politik si më e gjetura kundër regjimit kushtetues të asaj periudhe historike në Shqipëri. Lufta përmes Banditizmit politik Terrorist, si taktika më e zgjedhur Anglo – Amerikane në funksion të qëllimit strategjik për shkëputjen me dhunë të Shqipërisë nga kampi socialist, dështoi. Madje u konsiderua model dështimesh. Këto dështime që arritën kulmin në periudhën 1949-1954, u përjetuan në mënyrë tragjike nga drejtuesit e Shërbimeve Inteligjente Sekrete Anglo Amerikane, të cilat u përmendën të regjistruara në memoriet e historisë.

Në një kohë të mëvonshme këto dështime i konfirmoi edhe vetë Kryeministri Tony Bler i Britanisë së Madhe. Që këtej vjen logjikshëm fakti që ky dështim superfuqish kundër Shqipërisë së vogël pati jehonë të madhe.

Diversantët para drejtësisë

Më 5 prill dëgjohet zëri i spikerit të Radio – Tiranës: “ U hap në Tiranë gjyqi kundër bandave të spiunëve dhe diversantëve  – terroristë –  në shërbim të zbulimit Amerikan.

Populli i kryeqytetit ndoqi me interesim këtë proçes  gjyqësor. Në seancat e gjyqit marrin pjesë edhe përfaqësues të shtypit botëror, ndër të cilët Kashenko i Pravdës, Alito i “ TASS-it”, bullgari Fiskov, i Maks Leos i “Humanite-s”, korespodenti i gazetës italiane “ UNITA” Lina Anxhel, përfshirë dhe shumë mediatikë  vendas.

Këtë jehonë, shpërndarë anekënd botës, e shtoi më tepër aviacioni i shtyrë nga CIA-SIS Amerikano – Angleze, kur mbi Tiranë fluturon më se një avion. Lëshuan qindramijëra fletushka drejtuar shqiptarëve që të ngriheshin kundër Qeverisë së kohës me kërcënimin që të mos dënoheshin përfaqësuesit e Mbretit, ndryshe do të hakmerreshin …do të kishte reperkusione të rënda.

Kjo situatë ashpërsoi më tej krerët e Qeverisë “Hoxha – Shehu”, sikundër shpreheshin ata për Pushtetin Popullor të Republikës së Shqipërisë.

Gjyqi i shkallës më të lartë udhëhiqej nga trupi gjykues: Shuaip Panariti Kryetar i Gjykatës së Lartë me anëtar Major Loni Dimoshi dhe Kapiten Ilmi Telegrafi si dhe, i mirënjohuri Aranit Çela, Prokuror i Përgjithshëm.

… Në atë gjyq u përballën Mbretërorët , Kapiten Zenel Shehu, Hamit Matjani, Halil Branica, Ahmet Kabashi , Gani Malushi, Naun Sula e të tjerë. Ky gjyq iu dha  mësim të gjithë kundërshtarëve të Shqipërisë së asaj kohe. Madje përkthyer ndryshe, iu tha troç: Larg duart nga Shqipëria! CIA dhe SIS  i amerikano – anglez u zunë pisk. Ai gjyq u kthye në një flakaresh të paparë në historinë e tyre diskredituese para botës. Ishte ky shkaku që, të papërmbajtur sulmuan ajrin shqiptar me avionë në lartësira të pakapshme nga lëshuan fletushkat kërcënuese me të cilat mbuluan Tiranën dhe më gjërë. “Mos prekni bijtë e Komitetit “ Shqipëria e Lirë”, bijtë e Mbretit të Shqipërisë…” – shkruanin në ato mijra fletëza që derdheshin lartësive qiellore mbi tokën shqiptare. Teksa grumbullonin fletushkat , Asim Aliko – Tomorri dialogonte me shokët :

“Mor po ky, Komiteti Shqipëria e Lirë është ai për të cilin na foli edhe Zenel Shehu …

Kishte në krye Mitat Frashërin, por ky vdiq në Nju Jork më Nëntor 1949 … “ ja priti tjetri i grupit të Tomorit .

Vdiq dhe mbeti enigëm – konkludoi i treti.

Paçka! Kemi Mbretin tani, mbylli dialogun Asim Tomori, të cilin e ndihmonin në grumbullimin e fletushkave edhe shokët e tjerë të shërbimit sekret të sigurimit të shtetit, ndër të cilët u shquan Refat Xhaferi , Shaqo Koro, Gole Bashari, Hysen Gorica, Niko Paskali, Koço Agora, Jorgo Kareco e shumë të tjerë.

Fletushkat u grumbulluan në Ministrinë e Punëve të Brendëshme nga të cilat do të mbahej sasia e domosdoshme si dokumenta me vlera arkivore .

Gjyqi i ashpërsuar në kulm mori vendime me dënime kapitale për të gjithë të përmëndurit . Mbahet mend që personalisht Mehmet Shehu kishte biseduar me Zenel Shehun , të cilit i kishte premtuar rihabilitimin si kontribues në luftën dhëmbë për dhëmbë me CIA-n dhe Inteligjens Servisin Amerikano – Anglez. Por këta të fundit do ta merrnin për dobësi të Qeverisë Shqiptare nëse tërhiqej nga rreptësia e gjykimit të mbretërorëve, kështu që CIA – SIS anglo–amerikan çuan në humbje jete pa përjashtim të Mbretërorëve . Në këtë ndërlikim ngjarjesh Mexhit Shehu , i mirënjohur Mexhi, me pseudonimin Shqiponja është takuar me ish Sekretarin e Komitetit të Partisë të rrethit Dibër, Sinan Osmani.

Sinan Osmani kthjelltëson përmblethtas , që Mexhit Shehu , i mirënjohur në këtë ndërthurje ngjarjesh me kodin Mexhi ishte i kënaqur qysh në krye te herës, ashtu si dhe të afërmit e Zenel Shehut në tërësi. Më tej akoma vetë Mexhit Shehu i kishte dëshmuar Sinan Osmanit që me porosi nga lart, pushteti në rreth, u soll me dashamirësi e ngrohtësi të veçantë ndaj gjithë familjes së Zenel Shehut, përfshirë fëmijët deri tek dhëndrri i nderuar, Profesor Lutfi Hanku, mikut të tij Sinan Osmanit. Ky kishte marrë urdhër nga lart, përcjellë edhe përmes Banush Goxhës (ish Kryetar i Degës së Punëve të Brendëshme Dibër), që, në familjen e Zenel Shehut , të mos hapeshin “ceremonira” ngushëlluese , teksa asisoj lihej të kuptohej se ai ishte falur, madje rihabilituar si një atdhetar i flaktë, paçka se i njohur deri në vdekje, po aq i flaktë dhe besnik i patundur ndaj Nalt Madhnisë së Tij , Zogu i I – rë .

Në kërkim të fundit rreth enigmës së jetës së Zenel Shehut , ish Presidenti Ramiz Alia ju ishte përgjigjur, gjithnjë sipas Sinan Osmanit dhe të afërmve, sipas Profesor Lutfi Hankut , që Zenel Shehu nuk ishte pushkatuar . Veçse Koloneli i nderuar Idriz Seiti, ish Drejtor i Sigurimit të Shtetit Shqiptar për kohë lufte, vërtetonte që, Zenel Shehu ishte pushkatuar, por nuk ishte në gjendje të fiksonte vendvarrimin e saktë, deklaratë të cilën ja ka dhënë me shkrim dhe gojarisht Profesor Lutfi Hankut, ku kam qenë i pranishëm edhe unë.

Midis këtyre kontradiktave u përcoll enigma e jetës së atdhetarit të pastër, Zenel Shehu.

Ai e donte Shqipërinë , madje gjithë Kombin Shqiptar të bashkuar, por me në krye Zogun e I-rë , si besnik i patundur i tij. Ky vrull strategjiko-taktik i CIA-SIS-it amerkano-anglez për të mposhtur Shqipërinë e “Hoxhë-Shehut”, si kurndër përdornim gjuhë gjarprinjësh kundërshtarët, ishte në fund të fundit dështimi i turpshëm që mbartën në kurriz autorët dhe aktorët e shpikjes së banditizmit politik në Shqipëri.

Kim Filbi Më qesharakë akoma bëhen ata soj kundërshtarësh deri në armiqësi me përdorimin e një farë Kim Filbi. Nuk pushuan “së lehuri” nëpër gjithfarësoj mediash elektronike dhe të shkruar, teh më teh botës, që paskësh qenë ai, tradhtari Kim Filb, i cili paskësh shkaktuar dështimin e asaj strategjie dhe taktike të anglo-amerikanëve të cilët përmes Banditizmit Politik do të përmbysnin Shqipërinë e asaj periudhe historiko – shoqërore.

Është e njohur tanimë, që Kim Filbi, ishte vërtetë tradhtari i madh, shumë i rrezikshëm kundër Mbretërisë së Britanisë së Madhe; aq sa ishte Hero po aq i madh në shërbim të KGB-s Sovjetike, por ndërkohë ishte krejtësisht i pa qenësishëm për Shqipërinë. Ashtu sikundër me forcat e veta u çlirua nga pushtuesit fashinazistë, në të njejtën mënyrë me forcat e veta, Shqipëria përkreu mbrojtjen e lirisë së atdheut kundër çdo revanshizmi, mbeturina të po atyre pushtuesve nazifashist, tanimë shfaqur në formën e banditizmit të përgjakur politik. Banditizmi Politik u likujdua derisa nuk mbeti këmbë banditi në Shqipëri. Asisoj CIA-SIS, u detyruan të shpikin alibira të gjthëfarsojshme.

Alibia e përdoruar me emrin  e tradhtarit të tyre Kim Filb, nuk është asgjë tjetër veçse përpushja si gështenja në prush për të justifikuar dështimin katastrofik, të turpshëm që pësuan në duel me kundër zbulimin dhe zbulimin heroik të shërbimeve informative sekrete të Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Për këtë fund të palavdishëm të CIA-SIS, janë shprehur edhe lider të mëdhenj britanik, siç përsëris mikun e sinqertë të shqiptarëve, të madhin Toni Bler, ashtu si kundër këtë çështje vetë historia e ka daltuar në themelet e saj kushtuar të mirënjohurës Luftë e Ftohtë. Për këtë, lexuesi i nderuar do të  mund të formulojë konsideratat e tij edhe gjatë leximit të fakteve në këtë libër…

Kujtojmë Dante Aligerin I cili thonte: “ Shpesh herë rrugët që të çojnë në ferr janë të kalldramosura nga qëllime të mira”.

Kush ishte Asim Aliko

Asim Aliko lindi në Bolenë të Vlorës. Që në moshë të re ai u inkuadrua në radhët e forcave partizane, ku u shqua për trimëri të rrallë. Pas çlirimit deri në vitin 1946, ai ka mbajtur postin e shefit të sigurimit shqiptar. Më pas, së bashku me Kadri Hazbiun dhe agjentë të tjerë të sigurimit realizoi me sukses shumë misione në eliminimin e bandave, të cilat përpiqeshin për të rrëzuar pushtetin e sapo ngritur në atë kohë. Ai mori pjesë në radiolojat më të famshme të sigurimit të shtetit si të njohur me emrat “Liqeni i Vajkalit”, “Buza e Bredhit” dhe “Fronti i Rezistencës”. Asim Aliko ka punuar për shumë vjet në radhët e sigurimit të shtetit ku ka pasur poste shumë të rëndësishme drejtuese. Ai mbante pseudonimin Tomori dhe njihej për dollitë që ngrinte. Kolegu i tij me të cilin bashkëpunonte më shumë ishte Heroi i Popullit, Hekuran Pobrati.

Kush ishte Kim Filbi

Më 1 korrik të  vitit 1963, qeveria britanike pranon se ish-diplomati i saj, Harold Adrian Russell “Kim” Philby, kishte vepruar si agjent sovjetik. Dezertim i tij në Bashkimin Sovjetik në janar 1963 ishte një prej momenteve më dramatike të Luftës së Ftohtë. Në kohën kur ishte me detyrë në Uashington në fillim të viteve 1950 si ndërmjetës mes shërbimeve sekrete britanike dhe atyre amerikane, Filbi tradhtoi operacionin sekret të dërgimit të mijëra shqiptarëve të arratisur në vendin e tyre për të përmbysur regjimin komunist të Enver Hoxhës.Filbi ishte përjashtuar vite më parë nga shërbimi i zbulimit britanik MI6 – ai dyshohej si spiun e tradhtar. Në rrezik për t’u arrestuar, Filbi kërkoi ndihmën e qendrës në Moskë. Filbi kurrë nuk shprehu keqardhje që u arratis, por mbeti i zhgënjyer, i tronditur kur pa njerëz të varfër të rreckosur dhe kuptoi se “ne po ndërtojmë komunizmin” nuk kishte ndodhur. Harold Adrian Russell “Kim” Philby vdiq në Moskë në vitin 1988, në moshën 76 vjeçare; ai është cilësuar si një prej spiunëve më dinakë të shekullit XX. /DITA/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura