Ish-Sigurimi i Shtetit dhe roli i Policisë në kohezionin social

Sep 4, 2020 | 9:45
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO Pellumb nako

Debati mbi praninë e ish-oficerëve të Sigurimit në radhët e Policisë është rihapur me përplasje të fortë ndërmjet opozitës dhe qeverisjes edhe sot, plot 29 vite pas vendimit të vitit 1991 për të ndarë Policinë nga Sigurimi i Shtetit. Hapi i parë për t’u distancuar nga Sigurimi i Shtetit u ndërmor, pra, nga një qeveri teknike që parapriu zgjedhjet e përgjithshme të mëvonshme politike, kur Partia Demokratike erdhi në pushtet për herë të parë.

Ministria e Brendshme e asaj kohe e kërkoi këtë shkëputje për faktin se Policia dhe Sigurimi i Shtetit nuk ishin e njëjta gjë si në objektin e punës, dhe në atë të formimit. Ndërkohë, ky i fundit kishte vetëm disa pika të përbashkëta. Dhe për të ligjëruar këtë ndarje, ligji i ri i Policisë së Rendit që u hartua me këtë rast parashikonte që në radhët e Policisë të rekrutoheshin vetëm persona me formim policor, duke përjashtuar në këtë mënyrë automatikisht gjithë ish-oficerët e Sigurimit. Për më tepër, Policia e asaj kohe kërkonte të çlirohej nga ngarkesa që rëndonte mbi shpinën e sigurimit famëkeq për t’i dhënë Policisë më shumë frymëmarrje dhe për ta bërë atë më të pranuar nga publiku, që në masë i ngatërronte me njëra-tjetrën. Përveç kësaj, kjo lëvizje u krye edhe për faktin se Sigurimi i Shtetit kishte në objektin e tij të punës jo vetëm qëndrimin politik në gjithë shtresat sociale, por edhe në institucione, ndërmjet tyre, sigurisht edhe në Polici. Në radhët e Policisë, Sigurimi kishte ngritur një rrjet të tërin me bashkëpunëtorë. Praktikisht, Sigurimi e kishte mbytur Policinë jo vetëm direkt, duke e drejtuar atë, por edhe indirekt me rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Dhe një gjë e tillë, për hir të së vërtetës, nuk pëlqehej jo vetëm politikisht nga ana e opozitës demokratike, por edhe nga vetë radhët e Policisë, e cila me të drejtë kërkonte dhe kërkon të drejtohet nga profesionistë të dalë nga radhët e saj.

Nuk është aspak serioze kur mendon se praktikisht sot në radhët e Policisë është e mundshme të gjesh një shef ishoficer Sigurimi dhe vartës të tij, ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit.

Fakti që edhe sot debati për ish-Sigurimin mbetet i ashpër me pozicione tepër të largëta ndërmjet opozitës dhe qeverisjes, tregon jo vetëm vështirësinë që has rregullisht vendi ynë në çuarjen deri në fund të reformave që fillon, por edhe faktin se kjo pjesë e administratës së diktaturës ka qenë kaq fort e rrënjosur në qelizat e shoqërisë shqiptare të kohës së komunizmit saqë një pjesë e mirë e tyre, nëpërmjet lidhjeve të salduara dikur, vazhdojnë të jenë të vlefshëm jo aq shumë për çudirat profesionale që pretendojnë, por sidomos në vetofrimin për të shërbyer me besnikëri ideologjike.

Po përse duhet që Policia të pastrohet nga ish-oficerët e Sigurimit? Qeverisja aktuale e ka parashikuar me ligj, të cilin jo rrallë e shkel hapur. Sipas ligjit, janë ish-oficerët direkt të implikuar apo përgjegjës në veprime kundër të drejtave të njeriut, ata që nuk duhet të bëjnë pjesë më në administratë. Në fakt, aktualisht nuk ka asnjë ish-oficer Sigurimi të dënuar për mizoritë e kryera dikur, ndaj edhe ky ligj më shumë shërben për kamerdare shpëtimi sesa përcaktim përgjegjësish. Nga ana e saj, opozita kërkon përjashtimin total të tyre nga radhët e Policisë. Kurse Komisioni i Jashtëm i Vetingut të Policisë ka edhe ai një qëndrim të vetin, që të çudit. Për të treguar se po punon me paanshmëri, ky komision parodi, i paguar me paratë tona dhe që paturpësisht hiqet si i pavarur, pasi ka ngopur publikun me të dhëna rreth një individi drejtues që ka qenë oficer Sigurimi, në fund merr vendimin që ai nuk ka bërë asnjë veprim, pra, është burrë i mirë dhe e kalon vetingun. Po përse duhej cituar të qenurit oficer Sigurimi, duke e bërë publik këtë fakt, ndërkohë që ai nuk ka bërë dëme? Është njëlloj sikur për të evidentuar virgjërinë e një femre, të bësh publik faktin se ajo nuk është shtatzënë.

Në fakt, pozicioni i ish-oficerëve të Sigurimit në Polici e gjetkë duhet parë duke analizuar në një kuadër të përgjithshëm social mënyrën e ndërtimit të institucioneve të sigurisë së vendit. Dhe duke parë përplasjen e madhe që ekziston ndërmjet dy kampeve politike, të cilat kanë masë të madhe popullore pas tyre, prania e ish-Sigurimit në Polici, e kthen këtë të fundit në kushtet e vitit 1991 ku besueshmëria e saj ishte mjaft e ulët, pikërisht nga prania e Sigurimit të Shtetit. Ish–oficerët e Sigurimit nuk ngjallin besim te shumë shtresa të popullsisë, pra, nuk janë faktorë që ndërtojnë paqe sociale.

Po të vihet re me kujdes, do të konstatohej se sa më shumë acarohet atmosfera politike në vendin tonë, aq më shumë ngrihen në pozitë ish-oficerët e Sigurimit, aq më shumë ndihet nevoja e tyre. Me apo pa të drejtë, ata kanë urrejtje të madhe për atë që përfaqëson Partia Demokratike dhe kjo gjë e ndihmon qeverisjen për të sunduar, jo në funksion të rolit madhor të Policisë së Shtetit për kohezionin social të të gjithë shtresave të popullsisë. Kohezion ky që sigurohet duke u shërbyer të gjithëve njëlloj, pa përjashtim, edhe atyre që janë ithtarë të opozitës. Një gjë e tillë ka shumë vështirësi, për të mos thënë është e pamundur të realizohet nga drejtues ish-sigurimsa që punojnë me mllef kundër një shtrese të popullsisë. Pra, ish-oficerët e Sigurimit dëmtojnë rëndë misionin e Policisë, duke mos qenë madje as policë.

Ndërkohë, dihet që shoqëria shqiptare nuk jeton prej dekadash në harmoni sociale për shkak të përplasjeve pa fund të politikës. Dhe për të jetuar në harmoni, asaj i duhet që institucionet e republikës të luajnë rolin e tyre në shërbim të ndërtimit të besimit të nevojshëm të të gjitha kolektiviteteve. Një gjë e tillë mund të arrihet me kusht që autoritetet politike dhe administrative të venë në jetë parimet e paanësisë dhe të ligjshmërisë. Me mllefin që kanë, ish-oficerët e Sigurimit nuk e realizojnë dot këtë mision. Dhe kjo gjë nuk është thjesht hamendje. Në një shkresë të hartuar nga një ishdrejtues oficer Sigurimi për kolegun e tij oficer Policie që priste të ngrihej në detyrë thuhej: “Ka mungesë performance profesionale sepse ka punuar edhe në kohën e PD-së”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura