Ish-pronarët, skema e re për ndarjen e 27 milionë USD

Jan 19, 2016 | 12:45
SHPËRNDAJE

Fondi i 2015-s, vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit për ish-pronarët, mbeti peng i hartimit dhe miratimit të ligjit të ri.

Sonila Qato
Sonila Qato

Ndryshe nga sa ndodhte çdo fundviti kalendarik, ku Agjencia e Pronave hapte aplikimet për kompensimin financiar, këtë dhjetor nuk pati njoftim për nisjen e kësaj procedure. Janë rreth 3 milionë USD, të cilat vijojnë ende të jenë në llogarinë e AKKP-së. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, Sonila Qato, këto para janë mbartur për këtë vit dhe do të përdoren menjëherë pas miratimit të ligjit të ri.

Skema që do të aplikohet, vë në dukje Qato, do të jetë e ndryshme nga ajo që është aplikuar qysh nga nisja e procesit në vitin 2008, duke sjellë më tepër lehtësi për ish-pronarët. “Fondi i 2015-s është mbartur për t’u shpërndarë së bashku me fondin e vitit 2016. Ky fond nuk digjet, por transferohet dhe mbartet në vitin që vjen. Ligji i ri ishte parashikuar të hynte në fuqi brenda vitit 2015, atëherë kur ishte parashikuar të fillonte edhe shpërndarja.

Kështu që menjëherë pas miratimit të tij, përmes një procedure të re shumë favorizuese dhe të lehtësuar për pronarët, do të fillojë kompensimi financiar i tyre. AKKP-ja po përgatit aktet nënligjore për zbatim dhe miratim në qeveri me qëllim implementimin e menjëhershëm të këtij ligji”, tha Qato.

FONDI 2016

Por krahas fondit 3 milionë dollarë që ishte planifikuar të përdorej gjatë 2015- s, janë edhe 24 milionë të tjera që qeveria ka vënë në dispozicion për këtë vit në kuadër të ligjit të ri, i cili është në proces miratimi. Pra, në total bëhet fjalë për 27 milionë dollarë, të cilat Agjencia e Pronave ka detyrimin për t’i ndarë brenda këtij viti.

SKEMA E RE

Ligji i ri i pronave ndryshon në thelb formulën e kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist. Të gjitha vendimet e dhëna ndër vite do të rivlerë- sohen nga e para. Një gjë e tillë pritet të ulë ndjeshëm masën e përfitimit për pronarët, pasi është e vërtetë që toka do të llogaritet me çmim tregu, por zëri kadastral i saj nuk do të jetë ky i sotmi, por ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit. Në total janë 26 mijë familje që do të kompensohen financiarisht.

Pagesa do të realizohet me këste dhe për ta bërë të mundur këtë, Ministria e Financave do të alokojë një fond total prej 50 miliardë lekësh në harkun e 10 viteve të ardhshme. Sakaq, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri, Agjencia e Pronave do të publikojë një regjistër me të gjitha vendimet përfundimtare që njohin të drejtën e kompensimit të pronës. Ky regjistër elektronik do të ndërtohet duke ruajtur rendin kronologjik të vendimeve dhe do të përmbajë informacion mbi dokumentacionin që mungon, me anë të të cilit do të bëhet edhe rivlerësimi i pronës me formulën e re.

Nga dita e publikimit të tij, familjet pronare do të kenë 6 muaj kohë për t’iu përgjigjur thirrjes së agjencisë. Kompensimi në të holla do të nisë të bëhet pasi të jetë bërë vlerësimi i pronës për secilin nga vendimet e formës së prerë.

Një gjë e tillë është e specifikuar në nenin 16 të ligjit të ri ku thuhet që, pas plotësimit të dosjeve dhe rivlerësimit të sipërfaqes së tokës me formulën e re, familjet që nuk bien dakord do të kenë 30 ditë kohë në dispozicion për ta ankimuar vendimin. Pas ezaurimit të këtij afati, atëherë nis edhe ndarja e parave në masën respektive.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura