Ish-pronarët, kompensim financiar brenda 10 viteve

Jun 4, 2015 | 13:41
SHPËRNDAJE

Pasnjë pune disamujore, Agjencia e Pronave ka finalizuar draftin e ri për kompensimin e ish-pronarëve. Projektligji është depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë, nga ku do të përcillet shumë shpejt në qeveri për miratim. Por cilat janë disa nga risitë që përmban paketa e re ligjore? Mësohet paraprakisht se bëhet fjalë për një mekanizëm që do të implementohet përgjatë 10 viteve në vijim.

Zv.kryeministri Niko Peleshi me sekretarin e Përgjithshëm të KE, Thorbjorn Jagland

Kështu, deri në 2025 Ministria e Financës do të jetë “e detyruar” të disbursojë një fond më vete për kompensimin e pronarëve, i cili do të vijë në rritje vit pas viti. Një fakt i tillë është bërë i ditur edhe nga takimi që zv.kryeministri Niko Peleshi ka zhvilluar me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland. 

Në këtë takim, ku në fokus ka qenë çështja e pronave, është nënvizuar se strategjia që do të ndiqet, është e përballueshme financiarisht nga buxheti i shtetit, por mbi të gjitha prej saj do të mbeten të kënaqur edhe pronarët. Gjatë takimit, Peleshi vuri në dukje angazhimin e qeverisë për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronës.

“U informova për draftskemën e kompensimit, e bazuar në një llogaritje të faturës aktuale dhe mundë- sive financiare të shtetit. Kjo skemë është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Europës dhe më siguroi se draft-ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës është tashmë në proces finalizimi. Procesi parashikohet të zgjasë për një periudhe 10-vjeçare”, u shpreh sekretari i Përgjithshëm i KE pas takimit. Por pyetja e radhës që shtrohet, është se sa para do të përfitojnë pronarët e shpronë- suar nga regjimi komunist dhe si do të bëhet ndarja e fondit? Aktualisht janë rreth 26 mijë dosje për të cilat është marrë vendim, nga këto janë kompensuar pjesërisht vetëm 900 pronarë.

Nga AKKP mësohet se në projektligj parashikohet që ndarja e fondit vjetor të bëhet me këste, të barabarta për të gjithë pronarët. Në këtë mënyrë, çdo vit ata do të përfitojnë nga një këst, i cili do të vijë në rritje. Një variant i tillë duket se është mirëpritur edhe nga Strasburgu. Më herët, drejtoresha e Agjencisë së Pronave konfirmoi për gazetën se skema e re e kompensimit do të jetë e vazhdueshme në të njëjtën kohë e pandërprerë. Kjo do të thotë që do të dalë jashtë loje skema e deritanishme, ku ka një fond vjetor, hapen aplikimet dhe përfitojnë një pakicë pronarësh.

Me formulën e re që do të nisë zbatimin vitin që vjen, parashikohet që të gjithë pronarët të marrin para në mënyrë të unifikuar çdo vit, pa u dashur të kalojnë përmes mekanizmit aktual, që i ka lënë ata në pritje për vite të tëra.

Ky plan veprimi i reflektuar në ligjin e ri që do të miratohet shumë shpejt në qeveri, pritet të marrë aprovimin e Gjykatës së Strasburgut. Pasi, nëse kjo e fundit shpreh pëlqimin e saj, atëherë të gjitha çështjet që janë adresuar për zgjidhje në Strasburg, do të kthehen për gjykim në Shqipëri. Nga kjo do të dalë i fituar shteti shqiptar, që e ka provuar me 8 vendime shijen e hidhur që i lanë faturat tejet të kripura që pagoi për pronarët.

Gazeta mëson gjithashtu se, veç tokës truall, e cila është kompensuar deri më tani, në skemë do të përshihet toka bujqësore, si edhe ajo pyjore. Ndërkohë, veç kompensimit në lekë, do të aplikohet edhe kompensimi fizik. Në fondin e AKKP kanë kaluar rreth 21 mijë ha tokë bujqë- sore, që do t’u ndahet po ashtu pronarëve.

NGA ADA HAZIZOLLI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura