Ish-ministrja e Arsimit gjatë diktaturës Tefta Cami: Mehmet Shehu, kryeministër i papërsëritshëm, por nuk i përballoi akuzat

Apr 9, 2013 | 15:31
SHPËRNDAJE
Tefta Cami, Foto: Vlasov Sulaj

Ish-ministrja e Arsimit dhe Kulturës gjatë diktaturës komuniste, vjen para lexuesit me botimin e radhës. E vetmja ministre femër e pushtetit popullor, që delegohet përmes një vizite zyrtare të shkojë në Kosovë. “Katër ditë vizite në Kosovë” është një skaner i mirëfilltë i marrëdhënieve mes dy shteteve tona, kryesisht të fokusuara në spektrin e arsimit dhe kulturës. Por, cilat ishin përshtypjet e Enver Hoxhës për këtë vizitë të sajën, nga takimi i parë i Tefta Camit në zyrën e tij, te bisedat ndërpersonale për çështjen e Kosovës

Nuk është vetëm ngacmimi profesional motivi parësor që e shtyu ish-ministren Tefta Cami kah të shkruarit të një libri të ri. Sebepet janë dy të atilla, edhe pse ndofta mund të tingëllojnë si të shtyra në kohë… Kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pesëvjetori i Pavarësisë së Kosovës, data jubilare që u shënjua më 17 shkurt të këtij viti. Megjithatë, libri më i fundit i ish-ministres së Arsimit dhe Kulturës përgjatë sistemit komunist nuk është vetëm një praktikë profesionale e hedhur në letra, çka shpalos fill raportet në fushën e arsimit mes dy vendeve tona, Shqipërisë e Kosovës, tentativën e Beogradit për të nënshkruar një marrëveshje protokollare që i lejonte këtij të fundit kontrollin e plotë të sferës së arsimit në Kosovë, marrëveshje e cila nuk u nënshkrua kurrë edhe nga Shqipëria, e një seri problematikash të tjera, një prej tyre edhe nevoja për të unifikuar alfabetin që përdoret në dy vendet tona. Një përvojë gati 11-vjeçare aspak e lehtë. Ajo nuk e heq nga kujtesa ditën e takimit të parë të rëndësishëm në zyrën e Enver Hoxhës, porositë e këtij të fundit mbi çështjen e Kosovës, si e vetmja ministre femër që lejohej të vizitonte gjatë viteve ’80 Kosovën. Jo pak ngjarje të tjera kanë kaluar në lupën e zhvillimeve politike të Tefta Camit, nga vetëvrasja e ish- kryeministrit Mehmet Shehu, te qëndrimet personale të saj mbi eliminimet e mundshme të krerëve komuniste Kadri Hazbiu, Llambi Ziçishti etj. Një rrëfim ndryshe i ish-ministres së sistemit komunist dhe si i sheh ajo sot përparësitë, bashkë me problematikat në zhvillim në sistemin tonë arsimor shqiptar.

Para pak kohësh keni hedhur në qarkullim librin tuaj të fundit “Katër ditë vizite në Kosovë”. Nga sa kuptojmë nga titulli, bëhet fjalë për një eksperiencë tuajën në Kosovë gjatë viteve të diktaturës, apo jo?
Vendosa ta botoj këtë libër në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, sepse jam e vetmja ministre femër gjatë gjithë atyre viteve që kam vizituar Kosovën si anëtare e qeverisë shqiptare, e ftuar nga pala kosovare. Kisha dëshirë që prezantimin e parë ta bëja në Kosovë, jo vetëm sepse thuajse e gjithë përmbajtja e librit ka për objekt Kosovën e viteve 1968 deri në vitin 1980, por se Kosova ka mbajtur peshën e historisë së kombit tonë, sikurse ka qenë e mbetet nismëtare e ndërkombëtarizimit të çështjes shqiptare, që i ka shpalosur opinionit të qytetëruar europian e ndërkombëtar padrejtësitë shekullore për copëtimin e trojeve e të kombit shqiptar nga qarqet shoviniste fqinje në bashkëpunim me diplomacitë e Fuqive të Mëdha europiane. Në këtë botim modest pasqyrohen disa episode të jetuara gjatë marrëdhënieve në fushat e arsimit, të kulturës e të arteve, të shkencës dhe të sporteve midis Shqipërisë e Kosovës, si dhe viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. Nga pozicioni i ministres së Arsimit dhe Kulturës, përmes këtij libri kam promovuar momentet më të qenësishme në raportet në fushën e arsimit midis vendeve tona, duke nisur me: aktivitetet kombëtare në nderim të figurës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972, Kuvendi i Parë i studimeve ilire etj.
Cilat ishin pikat më të nxehta në këtë marrëdhënie?
Një nga ato pikat e nxehta, që unë cek përmes të shkruarit në libër, në raportin konkret të marrëdhënieve midis shteteve tona fqinje, është edhe një moment delikat… Bashkëpunimi institucional në atë kohë bëhej midis institucioneve përkatëse me protokolle e marrëveshje, por shumica e veprimtarive zhvillohej edhe pa marrëveshje e protokolle me dëshirat e palëve. Beogradi insistonte për nënshkrimin e një marrëveshjeje kulturore midis RSFJ (Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë) dhe RPSSH, me synimin që shkëmbimet kulturore të zhvilloheshin e kontrolloheshin nga Beogradi dhe të lihej në hije bashkëpunimi midis viseve shqiptare përtej kufirit. Kjo projektmarrëveshje, nga ana jonë në ato vite nuk u nënshkrua kurrë dhe sigurisht që cilësohej si një pikë e nxehtë, që mund të dëmtonte raportet tona në sferën e arsimit e kulturës, kryesisht.

Tefta Cami gjatë vizitës zyrtare në Kosovë, në takim me ish-funksionarë
të Arsimit dhe Kulturës të Kosovës

Si u “rregullua” vizita juaj në Kosovë?
Në janar të vitit 1980, sipas kërkesës që i kisha bërë Haxhi Kroit, më priti Enver Hoxha dhe i raportova për zhvillimin e arsimit e të kulturës, si dhe i ngrita disa probleme që na duhej të merrnin miratim nga forumet e partisë e të shtetit. Ky ishte takimi i parë dhe i fundit me Enver Hoxhën në zyrën e tij.
Na tregoni si shkoi ky takim, përse folët?
Që në fillim më krijoi një atmosferë të lirë. I raportova për marrëdhëniet në fushat e arsimit, kulturës e shkencës dhe të sporteve midis institucioneve arsimore, kulturore e shkencore dhe fizkulturore e sportive të Shqipërisë me institucionet përkatëse të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi. I raportova edhe për vizitën e pritjen, që iu bë ish-ministrit të Kosovës, prof. Ymer Jakës. Pasi më dëgjoi me vëmendje, më tha: “Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë”… Ma konfirmoi se unë do të vizitoja Kosovën gjatë vitit 1980, sipas ftesës që më kishte bërë Ymer Jaka.
Ç’mendonte ai për Kosovën dhe kosovarët?
Gjatë këtij takimi ai më tha se “ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist dhe të shovinizmave serbe, maqedonase e malazeze, që po ngrenë krye e po e acarojnë gjendjen në Kosovë. Edhe unë jam me mendimin tënd. Të mos lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës, se ky apo ai është agjent i UDB-së e spiun. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore”. Vizita ime katërditore në Kosovë shënoi një nivel më të lartë përfaqësimi për bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pritja që m’u bë atje, që nga personalitetet kryesore e deri te njerëzit e thjeshtë, ishte dhe mbetet vëllazërore dhe me një dashuri të jashtëzakonshme.

Tefta Cami në takim me Ymer Jakën, sekretar për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën në Kosovë

Një grua me një post të rëndësishëm zyrtar gjatë diktaturës komuniste… Si e pritët emërimin tuaj në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës?
Si atëherë, edhe tani numri i femrave ministre e në funksione të tjera janë në minorancë për shumë arsye, të traditës e të qëndrimeve maskiliste. Por, në ato vite gratë zinin 30% të deputetëve, si dhe pas emërimit në një ditë edhe me Themie Thomain, u emërua edhe Esma Ulqinaku si ministre e Industrisë së Lehtë e Ushqimore dhe më pas Vito Kapo. Natyrisht që pata hezitim, kur ma komunikuan detyrën Hysni Kapo e Ramiz Alia, sepse ishte me shumë përgjegjësi dhe një Ministri e vështirë.
Kujt i raportonit për problemet që kishte institucioni që drejtonit, ç’marrëdhënie kishit me krerët më të lartë të shtetit, Enver Hoxhën apo Mehmet Shehun?
Strategjitë e arsimit qenë vendosur në Plenumin e 8-të të KQ të PPSH-së në vitin 1968 dhe qe krijuar një Komision Shtetëror pranë KQ të PPSH, që e drejtonte kryeministri Mehmet Shehu. Në çdo Kongres partie bëhej bilanci i realizimit të strategjive dhe përcaktoheshin detyra të mëtejshme. Raportonim herë pas here në mbledhjet e qeverisë e të Kryesisë së Këshillit të Ministrave, në Kuvendin Popullor, në plenumet e KQ të PPSH, në Sekretariat dhe në Byronë Politike të KQ të PPSH, sipas problemeve më të rëndësishme që duhej të merreshin orientime e miratimi i atyre forumeve përkatëse. Në këtë kuadër, marrëdhëniet ishin institucionale dhe vlerësimet e kritikat bëheshin mbi atë bazë.
Kanë kaluar mbi 30 vjet, megjithatë ende mbetet mister vdekja e ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Asokohe ju keni qenë ministre, si e keni jetuar atë ngjarje?
Më 20 korrik të vitit 1981 pësova një aksident të rëndë automobilistik dhe jam kthyer në punë, kur u zgjodh qeveria e re me kryeministër Adil Çarçanin, në janar të vitit 1982. Pas kurimit të specializuar që m’u bë në klinikën qeveritare në Tiranë, u caktua që të shkoja për operacion në Paris. Kështu që gjykimin e ish-kryeministrit Mehmet Shehu e kam dëgjuar të incizuar, ashtu si të gjithë anëtarët e partisë.
Ç’mendonit ju për Mehmet Shehun?
Mehmet Shehu qe një burrë i shquar shteti dhe kryeministër i papërsëritshëm. Megjithëse dihej se ishte i rreptë, por qe principial e korrekt, i drejtë dhe tolerant. Po qe se e kundërshtoje me argumente, tërhiqej dhe të jepte të drejtë.
E besoni variantin e vetëvrasjes së tij?
Pas fejesës së të birit me Silva Turdiun dhe akuzave që i ishin bërë si agjent i amerikanëve, besoj se një natyrë si e tija nuk u bënte dot vallë këtyre akuzave.
A keni pasur njohje jashtë zyrtare me të, keni pasur hyrje-dalje familjare?
Mehmet Shehu dhe Fiqirete Shehu më kanë ardhur për vizitë për Vitin e Ri 1978, ku i pritëm me shumë nderime e përzemërsi. Kërkoi që të vinin edhe vajzat në dhomë, të cilat erdhën menjëherë dhe i recituan vjersha. Na krijoi një atmosferë të ngrohtë familjare me praninë e bisedat që bëri. Foli edhe për programin e kremtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për detyrat e mëdha që na dilnin si Ministri e Arsimit dhe e Kulturës.
Vetëvrasja e Mehmet Shehut u parapri, ashtu si edhe u ndoq nga eliminime të tjera në radhët e byroistëve, ju personalisht keni pasur frikë?…
E kam përjetuar me shqetësim dënimin si armiq të kuadrove të ushtrisë, të kulturës dhe më vonë të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, të Mihallaq e Llambi Ziçishtit etj.
Patët ndonjëherë guximin të thoshit atë që mendonit në mbledhjet e Plenumit, një mendim kundër?
Jam ngritur në mbledhjen e plenumit e kam mbrojtur studentët e grevës së urisë të Universitetit të Tiranës, që të mos ushtrohej dhunë e të evitohej gjakderdhja, me argumentin se ata ishin ajka e rinisë shqiptare. Pra, idetë dhe mendimet personale nuk i kam mbajtur për vete, por gjithnjë i kam shprehur në situatat që më është dhënë mundësia.
Si e konsideroni sistemin e sotëm arsimor në vendin tonë, bashkë me problematikat e përmirësimet që dukshëm mund të kenë ndodhur ndër vite…
E vlerësoj kalimin në sistemin e arsimit 9-vjeçar të detyrueshëm. Vlerësoj Ligjin për Arsimin e Lartë dhe për pavarësinë e universiteteve, për të evituar tutelën e shtetit mbi ta, ndonëse e kam vrojtuar se ka krijuar, nga njëra anë, një liberalizëm deri në një farë mase edhe anarki, nga ana tjetër, ka edhe hezitime e fiktivitete. Por, jam e preokupuar për përhapjen e analfabetizmit, për ngujimet e mbi 10.000 fëmijëve sipas kanunit, për hartimin e kurrikulave shkel e shko, për çeljen e universiteteve private në mënyrë të pastudiuar e fiktivitetin e madh të përgatitjes së specialistëve, të cilët do të ndikojnë negativisht në të ardhmen e vendit. E përgëzoj nismën për të pasur një abetare të përbashkët për të gjitha shkollat e trevave shqiptare, megjithëse është për të ardhur keq, që edhe në Shqipëri janë në përdorim me dhjetëra abetare, për të cilat kam shkruar në revistën e Institutit të Kurrikulave. Mendoj se programet e tekstet e lëndëve albanologjike duhet të jenë unikale e të zbatueshme në të gjitha shkollat, d.m.th, për këto lëndë të mos lejohen tekste alternative.

Pjesë nga libri “Katër ditë vizitë në Kosovë, tetor 1980”
Takimi i parë i Tefta Camit me Enver Hoxhën
Pas vizitës së suksesshme të dr. Ymer Jakës, duhet të takoja personalisht Enver Hoxhën.
E mora në telefon sekretarin e Enverit, Haxhi Kroin, dhe i thashë se dua të takoj Enver Hoxhën, për t’i raportuar për problemet e arsimit dhe të kulturës. Po atë ditë, ndihmësi i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi, më tha që t’i thosha edhe Nexhmije Hoxhës se dëshiron të takohesh me Enver Hoxhën për problemet e arsimit dhe kulturës. Dhe ashtu bëra. Hyra te paradhoma e Nexhmijes dhe sekretarja më çoi te zyra e saj, e cila e mirëpriti kërkesën time për të takuar Enverin.
Pas një jave, më 18 janar të vitit 1980, më njoftoi Haxhi Kroi se, sipas kërkesës së paraqitur, për të takuar komandantin siç e thërrisnin në ato vite Enver Hoxhën, më tha se më priste paraditen e të nesërmes në zyrë. Enver Hoxha po qëndronte në këmbë impozant në mes të zyrës, dhe më priti me përzemërsi e më tregoi karrigen ku do të ulesha, në një tavolinë pranë dritareve me pamje nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Sapo u ulëm pranë tavolinës, e mori fjalën Enver Hoxha:
-Kam dashur prej kohësh të bisedojmë për zhvillimet e arsimit dhe të kulturës, por kam qenë i zënë me punë. Megjithëse jam informuar nga shoku Ramiz(Alia), dëshiroj të më informoni dhe ju, shoqja Tefta.
Fillova ta marr veten, më krijoi një ambient më të qetë, që ndikoi të më kalonin emocionet. Atëherë fillova të dalloj pamjen e zyrës dhe tavolinën e punës. Tavolina e punës e Enver Hoxhës ishte e veçuar, e cila ndodhej në anën e Korpusit qendror të UT, dhe ishte e mbushur me libra e gazeta. Një abazhur me disa llamba ndodhej pranë tavolinës në krah të majtë. Në të dy faqet e murit ishin të varura portretet e Marksit dhe Engelsit. Ndërsa, në faqen tjetër të murit qe vënë një pikturë me portretin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.
Raportimi im u zhvillua në formë bashkëbisedimi. Enveri kishte një njohje të gjerë të arsimit dhe kulturës, ndërsa vijoi të më pyeste për marrëdhëniet me Kosovën dhe viset shqiptare përtej kufirit. Enver Hoxha më dëgjoi me vëmendje dhe, pasi mbarova, tha: Jam i informuar për punën që bëhet në drejtim të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Këto marrëdhënie po na ecin mirë, se ti je ministre e Arsimit dhe Kulturës, që vjen nga një familje patriotike. Ti do të jesh e privilegjuar, se sivjet do t’i kthesh vizitën ministrit të Kosovës, pra do të shkosh në Kosovë. Ata janë më patriotë se ne këtu, sepse po luftojnë për të mbijetuar e përparuar dhe për të ringritur ndërgjegjen kombëtare në kushtet e një regjimi të dyfishtë, të atij titist, dhe të shovinizmave serbe, maqedonase dhe malazeze, që po ngrenë krye e po acarojnë gjendjen në Kosovë. Të mos i lejoni që t’i etiketojnë shqiptarët e Kosovës si agjentë të UDB-së e spiunë. Ata janë e mbeten vëllezërit tanë të një gjaku e të një etnogjeneze historiko-kulturore.
Duke përfunduar tha:
“Është Kosova, prandaj është Shqipëria. I kam thënë Ramiz Alisë që, gjatë bisedimeve me shqiptarët përtej kufirit, të mos përmendet partia apo emri im, pra të mos lejoni që të politizohen problemet e bisedimeve, sepse dëmtohen marrëdhëniet vëllazërore.
Kur dola nga zyra e Enver Hoxhës, m’u duk se kisha marrë përkrahjen e nevojshme dhe të domosdoshme për problemet që kishim në marrëdhëniet mes vendeve tona, sidomos në sferën e arsimit”.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura