Ish-ministri Ruli thirret në Prokurori për çështjen CEZ, thotë se…

Feb 7, 2018 | 12:50
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Ekonomisë së qeverisë “Berisha”, Genc Ruli, ka marrë një fletëthirrje nga Prokuroria e Tiranës, për të dëshmuar në lidhje me privatizimin e OSSH-së. Ruli pritet që nga dita e nesërme të shkojë në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë sqarimet e tij në lidhje me aferën.

Ish ministri i ekonomisë Genc Ruli | Foto nga : LSA

Ish-ministri i Ekonomisë do të jetë ish-zyrtari i parë që shkon në Prokurori për këtë çështje, që pas rihapjes së hetimeve me vendim të Gjykatës së Tiranës. Më parë ka qenë djali i ish-Kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, që ka dhënë versionin e tij për përfshirjen në privatizimin e OSSH-së.

Burimet thonë se Ruli është i gatshëm që të merret në pyetje dhe do të japë sqarime lidhur me rolin e tij në çështjen CEZ. Sipas një raporti të Komisionit Hetimor Parlamentar për privatizimin e OSSH-së, dëmi i shkaktuar vlerësohet 414 milionë dollarë. Por Ruli nuk është i vetmi ish-zyrtar, që do të thirret për të dëshmuar nga prokurori Ardian Braho.

Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtën atij që të marrë në pyetje edhe persona të tjerë. Sipas dosjes, personat e vënë nën akuzë janë: Sali Berisha, IshKryeministër; Nuel Kalaj, biznesmen; Ridvan Bode, Ish-ministër i Financave; Florion Mima, ish zv/ministër i METE; Enno Bozdo, ish zv/ministër i METE; Ledina Mandia, ishavokate e Shtetit; Shkëlzen Sali Berisha, për veprat penale “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike; Bujar Nepravishta, ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë dhe Sokol Ramadani, ish-kryetari i Entit Rregullator të Energjisë.

Ndërkohë, ditën e djeshme, Shkëlzen Berisha ka folur për “TV Klan” në lidhje me thirrjen e tij në Prokurori për çështjen CEZ. Ai ka thënë se hetimi është një “shashkë” politike, që nisi kur PD depozitoi në Parlament kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj Kryeministrit Rama.

“Kjo është një ‘shashkë’ politike, e cila ka filluar si e tillë në momentin kur Partia Demokratike depozitoi në Parlament një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor, për pazaret e Edi Ramës dhe largimin e CEZ nga Shqipëria. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, pazari i Edi Ramës me CEZ, për largimin e këtij të fundit, u ka kushtuar shqiptarëve plot 650 milionë euro. Pra, Edi Rama, për t’iu përgjigjur politikisht kërkesës së Partisë Demokratike, vendosi të ngrinte një Komision Hetimor Parlamentar për privatizimin e OSSH-së. Siç e kemi parë përgjatë gjithë këtij komisioni, që më lidh mua me privatizimin e OSSH-SË. Kush e ka bërë kallëzimin në fjalë? Kallëzimin në fjalë nuk e ka bërë asnjë prokuror, asnjë gjykatës, as Policia”, tha Shkëlzen Berisha.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura