Ish-ministri demokrat: Strategjia e mbylljes, e gabuar. Ja si duhet të ndërhyhet për të ndihmuar ekonominë

Apr 24, 2020 | 16:00
SHPËRNDAJE

Ish-ministri demokrat, Florjon Miama, kritikon qeverinë për mënyrën e bllokimit të aktivitetit ekonomik në Shqipëri.mima

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Mima u shpreh se numri më i lartë i testeve do të jepte një panoramë më të qartë dhe do të kishte një orientim më të mirë për marrjen e masave. Sipas tij, masat duhet të merreshin duke vlerësuar riskun e infeksionit të aktivitetit ekonomik.

“Nëse do të ishte dëgjuar pa komplekse opozita, e cila ngulte këmbë për testime masive që do të identifikonin bartësit potencialë të virusit, do të kishte pasur mundësi të merreshin vendimet e duhura për izolimin dhe karantinimin e të prekurve dhe vazhdimin e aktivitetit ekonomik ne zonat pa risk, në industritë pa risk e kështu me radhë”, tha Mima.

Por, sipas tij, qeveria mori masat e gabuara, duke lënë fasoneritë hapur, të cilat përbëjnë një rrezik potencial për përhapjen e virusit.

“Qeveria la të hapura, madje ushtroi presion mbi fasoneritë, në mënyrë që mos të nxirrte punëtorët e papunë dhe sot po shohim qartësisht se kjo strategji ishte e gabuar. Sot, pas 40-50 ditësh nga fillimi i pandemisë, po shohim vatra të reja të virusit të ushqyera pikërisht nga këto aktivitete që u lanë me mendjelehtësi të funksiononin, thjesht sepse qeveria nuk donte të merrte përsipër pagesën e tyre. Sot po flitet për hapje dhe padyshim që kjo është gjë e mirë, por numrat e mëdhenj të testimeve mungojnë dhe pa to druaj se mund të ndodhë që vendimet të mos jenë të duhurat dhe mund të na kthejnë në pikën zero”, vijoi Mima.

NDËRHYRJA NË EKONOMI

Sipas ish-ministrit demokrat, dy paketat financiare të prezantuara deri më tani nga qeveria nuk kanë asnjë ndikim në ekonomi. Sipas Mimës, Shqipëria nuk krahasohet as me Kosovën, e cili është një shtet më i vogël, sa i përket përkrahjes ekonomike për bizneset për përballimin e kësaj situate. Ndërkohë, tregon se ku do të përqendrohej vëmendja e PDsë për të mbështetur ekonominë, nëse do të ishte në pushtet.

“Ne mendojmë se që të mbahet gjallë mekanizmi i qarkullimit të gjakut në ekonomi, do të duhet të ndihmohen fillimisht individët, pastaj bizneset dhe në fund, nëse këto dy të parat e marrin veten dhe fillojnë të blejnë e të shesin normalisht, të konsumojnë e investojnë, të importojnë e eksportojnë, atëherë rifillon të marrë jetë edhe komponenti i pagimit të një pjese të të ardhurave apo konsumit në arkën e përbashkët. Nëse nuk ndiqet ky rend logjik, por vihet në plan të parë buxheti apo shpenzime të panevojshme publike, kriza do të jetë e gjatë dhe me efekte të paparashikuara në jetën ekonomike, financiare e shoqërore të vendit”, tha Mima. Nëse qeveria do të vijojë me këto hapa, sa i përket stimulimit të ekonomisë, ish-ministri demokrat parashikon një skenar më të rëndë të rënies ekonomike për Shqipërinë, sesa FMN.

“FMN flet për rreth 5 pikë rënie të PBB në 2020, por unë druaj se rënia do të jetë edhe më e madhe. Çdo individ dhe biznes mund të modifikojë planet e blerjeve nën frikën e një rikthimi të mundshëm në vjeshtë dhe duke mësuar nga mungesat që familjet dhe bizneset përjetuan gjatë kësaj fazë të parë dhe nga indiferenca e qeverisë, ato do të priren të kursejnë edhe qindarkën e fundit për ditë më të këqija. Kjo do të ketë një ndikim të thellë në konsum, i cili është edhe komponenti kryesor i kompozimit të PBB-së. Po ashtu, besoj se edhe planet e investimeve do të shtyhen dhe kështu do të goditet edhe zëri i investimeve, zëri i dytë më i rëndësishëm në kompozitën e PBB-së. Nuk dua të spekuloj, por besoj se FMN shpejt do të bëjë një rishikim të vlerësimit të vet”, tha Mima.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura