Ish-ministrat në krye të qarqeve, zbardhet debati brenda Kryesisë së PD

Apr 29, 2016 | 12:57
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vendosur të riorganizojë më shumë se gjysmën e degëve të forcës së tij politike. Vendimi, që vjen afro një vit përpara zgjedhjeve, ka surprizuar jo pak anëtarët e Kryesisë dhe gjithashtu kryetarët e degëve në rrethe, që u njohën me vendimin përmes mediave.

basha salianji

Gjatë mbledhjes së Kryesisë, kreu i PD-së njohu anëtarët e saj edhe me drejtuesit e rinj të demokratëve në 12 qarqe të vendit. Gjatë fjalës së tij, Basha sqaroi se kriter kryesor për drejtuesit e rinj në qarqe ka qenë eksperienca e tyre dhe mungesa e konfliktit të interesit në qarqet në të cilat janë emëruar.

Ajo që binte në sy në listën e drejtuesve të rinj të përcaktuar nga Basha në 12 qarqe të vendit, është përzgjedhja e 7 prej ish-ministrave të Berishës. Ka qenë pikërisht kjo përzgjedhje e kreut të PD-së që ka sjellë edhe reagimin e ashpër të sekretarit për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Salianji ka kërkuar nga kreu i opozitës të përgatitet për zgjedhje me një imazh të ri. Sekretari për Aksionin Qytetar ka kërkuar që Basha të paraqitet në këto zgjedhje me ekipin e tij të ri dhe jo me ish-ministrat e Berishës, të cilëve u ka faturuar edhe humbjen për zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2015.

Ka qenë ky qëndrim që ka sjellë reagimin e ish-ministrave Imami e Noka, të cilët kanë kërkuar të mos u faturohet vetëm atyre humbja. Ka qenë sërish kreu i PD-së, Basha, ai që u ka dhënë fund debateve duke kërkuar përgatitjen e të gjithë Kryesisë për zgjedhje dhe daljen në terren. Vetëm me votën kundër të Ervin Salianjit, Basha ka miratuar vendimin për riorganizimin e degëve dhe përcaktimin e drejtuesve të rinj në qarqe.

DEBATI 

Lulzim Basha: Rezultatet e marra në zgjedhjet vendore dhe problemet e hasura në seksione e grupseksione kanë sjellë të nevojshme një riorganizim të ri brenda PD-së përpara zgjedhjeve. Pas procesit të analizës dhe propozimeve të marra për çdo degë, është vendosur që të krijojmë 14 degë të reja, të cilat do të jenë nënndarje të degëve ekzistuese. Sigurisht që në degët e reja që do të krijohen do të ketë një proces zgjedhor, ndërkohë që zgjedhje do të ketë edhe në disa degë të tjera të mëdha, ku për shkak të ndarjes, është i nevojshëm riorganizimi. Ndërkohë që janë përcaktuar edhe 12 drejtuesit në qarqe, që do të udhëheqin grupet e punës për zgjedhjet e ardhshme. Ajo që është më e rëndësishme dhe për të cilën duhet punuar më shumë, është forcimi i seksioneve dhe grupseksioneve si qeliza bazë, nga të cilat është e organizuar kjo forcë politike dhe përmes të cilave rezultojnë të suksesshme apo problematike degët.

Ervin Salianji: Kryetar, dua të bëj disa konstatime nga ndërhyrjet që janë menduar të bëhen në degë dhe aq më tepër në emrat që janë përcaktuar për drejtimin e qarqeve. Fillimisht dua të them se ne nuk kemi shkëlqyer në organizim në nivel qendror. Është fakt që kemi pasur probleme, të cilat kanë infektuar edhe degët. Gjithashtu edhe sekretarët e partisë nuk kanë dalë në terren apo në degë asnjë ditë. Ndaj edhe nuk e shoh me vend propozimin për ndarje të degëve apo edhe për ristrukturimin e partisë, pa u konsultuar fillimisht me bazën. Sekretarët nuk mundet të japin mendime nga selia qendrore, por duhet të jenë në terren. Të ristrukturojmë PD-në kur jemi jo më larg se 10 muaj nga zgjedhjet, jam i sigurt që do të kemi kosto elektorale dhe do t’i hyjmë një debati të brendshëm. Ndërkohë dua të them se shqiptarët nuk e ndajnë dot organizimin e brendshëm nga imazhi. Qytetarët presin që ju t’u paraqiteni me ekipin “Basha”. Ata duan të shohin ekipin e ri të Bashës, ndërsa ne u çojmë imazhin e humbjes së zgjedhjeve 2013-2015 dhe ishministrat që kanë kostot e humbjes së këtyre zgjedhjeve. Ka dhënë dorëheqje Doktori, që është simbol i PD-së, ne s’mund t’i çojmë ish-ministrat në drejtimin e degëve.

Arben Imami: Kryetar, ju lutem që të ruhet etika në mbledhje. Nuk mund të ngrihemi këtu edhe të themi se jemi ne të vetmit që kemi përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve në vitin 2013.

Lulzim Basha: Z. Imami, më lejoni se përgjigjem unë në fund.

Ervin Salianji: Për ta përfunduar atë që isha duke thënë, kam edhe një propozim, që në rast se ne shkojmë në nivel kaq të gjerë të riorganizimit, atëherë shumë mirë të futen në votëbesim edhe sekretarët. Vetëm kështu mund të bëhet, sepse pastaj nuk është faji ynë që të rinjtë nuk shkëlqejnë.

Enkelejd Alibeaj: Kryetar, jam dakord me ato që u thanë në lidhje me riorganizimin e degëve. Është një përgjegjësi shumë e madhe të fusësh 35 degë në zgjedhje, proces që besoj se duhet bërë në konsultim të plotë me degët. Gjithashtu nuk flas vetëm për rastin tim, por pavarësisht se më është dhënë një funksion për drejtimin e Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, ende nuk jam votuar.

Lulzim Basha: Do të bëjmë edhe këtë votim, jo vetëm për ju, por edhe për të tjerë anëtarë të kryesisë.

Jemin Gjana: Pjesërisht jam dakord edhe unë me ato që u thënë pak më parë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me njerëzit që propozojmë dhe çojmë nëpër degë për ristrukturim. Pse them që duhet të jemi të kujdesshëm me emrat që propozojmë. Duhet të shmangim rastet kur në qarqe të caktuara ka deputetë që nuk pyeten, por të cilët krijojnë influencat e veta, por ka edhe të deleguar që krijojnë influenca dhe për më tepër edhe kryetarë degësh që krijojnë influenca. Prandaj, për të shmangur përplasje të tilla, është e nevojshme të jemi të kujdesshëm me përzgjedhjen.

Lulzim Basha: Këtu nuk ka vend për shumë diskutim, partia ka memorie, ka histori, ka njerëz që kanë kontribute dhe që kanë përvojën e duhur për ta riorganizuar partinë. Kush fut dikotominë “të vjetër” apo “të rinj”, nuk i shërben Partisë Demokratike, por Qeverisë. Personat që janë caktuar si drejtues të qarqeve nuk janë domosdoshmërisht në krye të listave për deputetë.

Sherefedin Shehu: Megjithatë, kryetar, ky vendim duhej të ishte konsultuar më parë me bazën.

Flamur Noka: Kryetar, kjo çështja e të rinjve dhe të vjetërve është një çështje që zien dhe duhet ta diskutojmë.

Lulzim Basha: Imazhi dhe organizimi janë dy gjëra tërësisht të ndryshme. Deri tani të gjithë keni pasur hapësira dhe mundësi për të bërë propozime. Tani që ky është një vendim zyrtar, secili prej jush duhet të ngrihet në lartësinë e anëtarit të kryesisë

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura