Ish-mbrojtësi i Milanit drejt transferimit te Flamurtari, pozon me lojtarin tjetër në pritje të vlonjatëve

Jan 21, 2020 | 10:26
SHPËRNDAJE

Një ish-lojtar i Milanit mbërrin në Vlorë dhe është gati të firmosë për Flamurtarin nëse FIFA jep OK-in për zhbllokimin e merkatos së kuqezinjve. Bëhet fjalë për mbrojtësin Taje Taivo, i cili në vitin 2011 ka luajtur katër ndeshje me fanellën e klubit të famshëm italian. Në atë kohë kuqezinjtë kishin në përbërje emra të njohur si Ibrahimoviç, Nesta, Kasano etj. Megjithatë, eksperienca e nigerianit zgjati shumë pak te Milani, ndërsa më pas vazhdoi karrierën në Angli, Ukrainë, Turqi, Zvicër, Suedi dhe Finlandë.taye-taiwo_1hlrko1anwtnp19wwad4l0iu10

Për herë të fundit 34- vjeçari ka luajtur me Rops në kampionatin finlandez. Ndeshja e tij e fundit daton më 19 tetor 2019. I lindur në Lagos të Nigerisë dhe i formuar si futbollist tek Olimpiku i Marsejës në Francë, aty ku luajti për 6 sezone në fillim të karrierës, Taivo është një emër luksi për vlonjatët. Ish-lojtari i kombëtares nigeriane ka qenë të hënën në qytetin bregdetar, i shoqëruar nga menaxheri i tij.

Ai ka biseduar me administratorin Sinan Idrizi, ndërsa është takuar edhe me trajnerin Troisi. Ka qenë vetë Idrizi, i cili dy ditë më parë u shpreh se po punon për të përforcuar ekipin, duke thënë se do të afrohen edhe dy ish-lojtarë të Milanit.

Bruno Lipi dhe Taje Taivo

Tashmë Taivo mbetet të shihet nëse do të firmosë për Flamurtarin dhe do të zyrtarizohet nga klubi. Ndërsa emri tjetër që mund të mbërrijë në Vlorë dhe që ka një të kaluar me klubin italian, mbahet sekret për momentin nga drejtuesit vlonjatë. Megjithatë, e rëndësishme për të ardhmen e klubit është që të zhbllokohet merkatoja pas dënimit të FIFAs, pasi vetëm në këtë mënyrë Flamurtari do të ketë shanse të përforcohet dhe të shpresojë te mbijetesa në Superiore.

Prej ditësh me skuadrën po stërviten qendërmbrojtësi shqiptar, Bruno Lipi, si dhe sulmuesi Flosard Malçi, i cili ka qenë pjesë e Laçit në dy fazat e para të këtij sezoni. Si përforcime të rëndësishme kanë ardhur në Vlorë edhe dy brazilianë, pikërisht mesfushori i qendrës, Indio Oliveira, si dhe sulmuesi Uelder Kosta.

Të gjithë janë tashmë me sytë nga FIFA, në mënyrë që t’u hapet rruga për të firmosur kontratat dhe për t’u federuar për llogari të Flamurtarit. Edhe Taivo nuk pranoi dje të fliste për mediat, për shkak se klubi nuk e ka zyrtarizuar, nisur nga bllokimi i merkatos.

E.Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura