Ish-lojtari i Milanit, regjisor te Partizani. Tomorri: Presim të tjerë

Jul 17, 2016 | 9:56
SHPËRNDAJE

Çdo trajner sjell një të besuar në ekipin që drejton dhe Adolfo Sormani nuk mund të bënte ndryshe. Ashtu siç bëri bashkatdhetari i tij, Agostineli, kur solli Felipe Gomesin, edhe tekniku aktual i Partizanit ka afruar një “regjisor” për mesfushën.

luka bertoni

Bëhet fjalë për Luka Bertonin, i cili ka dalë nga akademia prestigjioze e Milanit. Mesfushori 24-vjeçar është organizator dhe pritet që të luajë para mbrojtjes, duke i besuar edhe “dirigjimin” e lojës së të kuqve. Një pozicion që në fakt duket se është ndier si mungesë gjatë ndeshjeve të zhvilluara deri tani nga ana e klubit kryeqytetas. Ka qenë media italiane ajo që ka zyrtarizuar akordin e arritur mes palëve, edhe pse emri i Bertonit ishte përmendur më parë në “Panorama Sport”.

Futbollisti nuk është i panjohur për Sormanin, pasi e ka pasur në ekipin e tij, te Sudtiroli gjatë sezonit 2014-2015. Madje, ka qenë vetë kreu e pankinës që e ka sugjeruar dhe kërkuar si një afrim të domosdoshëm, çka edhe drejtuesit ia realizuan. Lojtari do jetë partneri i Bathës dhe Trashit në qendër, pozicion që kundër Ferencvaroshit e mbajti Ramadani.

Karriera

Luka Bertoni ka qenë pjesë e akademisë së Milanit para se të niste aventurën si futbollist profesionist. Në moshën 20-vjeçare, ai u huazua për një edicion te Sudtiroli, duke luajtur si titullar stabël. Pas atij viti, klubi i Milanit e transferoi në bashkëpronësi te Karpi, që bënte pjesë në Serinë B, por pa mundur që të hedhë një hap të rëndësishëm. Ai luajti gjithsej gjashtë ndeshje dhe kjo bëri që të largohet në fund të sezonit, duke u rikthyer sërish te Sudtiroli, ku këtë herë do të gjente si trajner Adolfo Sormanin. Pas dy vitesh në Lega Pro (kategoria e tretë italiane), Bertoni ka vendosur të transferohet në Shqipëri te Partizani, duke firmosur një kontratë 2-vjeçare.

Aktivizimi

Italiani nuk ka mundësi që të jetë për ndeshjen e kthimit ndaj Ferencvaroshit, por klubi ka vendosur që ta federojë dhe ta aktivizojë në raundin tjetër, nëse arrijnë të sigurojnë kualifikimin ndaj rivalëve hungarezë. Tomorri – Drejtori i të kuqve ka konfirmuar afrimin e Bertonit, por gjithashtu shprehet për “Panorama Sport” se nuk do jetë përforcimi i fundit. “Po, Bertoni është një futbollist i Partizanit tashmë. Ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me ne. Do vijë në Tiranë këto dy ditë dhe do nisë menjëherë stërvitjen me skuadrën. Gjithsesi, jemi duke punuar për të bërë të tjera afrime, për të pasur një organikë sa më të kompletuar dhe cilësore”, deklaroi Genc Tomorri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura