Ish-kryeministri u vetëshpall kandidat për kreun e PD/ A je gati të bashkëpunosh me Berishën? Rama: Nëse do të ishin mbledhur humoristët e këtij vendi…

Oct 27, 2021 | 20:24
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka komentuar shkurt zhvillimet e fundit në PD, një ditë pasi Sali Berisha u vetëshpall si kandidat në garën për kreun e selisë blu.

I pyetur nga gazetarët nëse është i gatshëm të bashkëpunojë me Sali Berishën, Rama u shpreh:  “Nuk kam asnjë koment lidhur me çfarë ndodh në fushën e PD. Por di t’ju them që nëse do ishin mbledhur humoristët dhe satiristët e këtij vendi që të shkruanin një pjesë me shumë seri, për se si PD mund të katandiset në një objekt keqardhje dhe humori të zi është ajo që po ndodh sot në PD”.

Gjatë foltores së mbajtur dje në Kavajë, ish-kryeministri Sali Berisha foli për një garë të re brenda demokratëve.

Ftoj çdo delegat të Kavajës, çdo delegat të Kuvendit Kombëtar të firmos që të instalojmë primaret, që të rikthejmë referendumin, të firmosë natyrisht që të hapim një garë, në të cilën garantoj që çdo njeri që do të hyjë, do ketë një garë të lirë, natyrisht njëri prej tyre do të jetë edhe Sali Berisha”, tha Berisha. Ky i fundit ka paralajmëruar se këtë javë do të shpallë datën për mbajtjen e Kuvendit të PD-së.

Kujtojmë që kryedemokrati Lulzim Basha, ka deklaruar se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD-së. “Sa të jem unë kryetar i PD, Kuvendi s’merr dot vendime që janë kundër Amerikës”, është shprehur Basha mbi këtë çështje.

© Panorama.al

Te lidhura