Ish-kryeministri njoftoi protestë më 8 janar, reagon PD: Sali Berisha po përgatit sulm, gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë

Jan 4, 2022 | 12:21
SHPËRNDAJE

bashaaa

Partia Demokratike ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se po nxit dhunë me deklaratat dhe aktet e tij. Në një reagim zyrtar këtë të martë, zyra e shtypit e PD thotë se Berisha dhe personat që e shoqërojnë “janë duke përgatitur sulm kundër PD”.

“Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Reagimi i PD vjen pasi Berisha njoftoi se në datën 8 janar do të mbahet një protestë kombëtare si dhe ka apeluar kryetarin e PD Lulzim Basha të lirojë zyrën.

Reagim i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Partia Demokratike nuk do të jetë kurrë e hapur për trafikantët e drogës që shoqërojnë Sali Berishën në sulmin që po përgatit kundër Partisë Demokratike për të vendosur hallin e tij mbi të ardhmen e gjithë demokratëve. Çdokush e ka të qartë se gjuha dhe aktet e tij kanë qëllim të nxisin dhunë, si opsionin e vetëm që i ka mbetur. Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9.

Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojrat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve. Kurrë më!

Shumica dërrmuese e anëtarëve të Kryesisë së Partisë, Këshillit Kombëtar dhe 5004 delegatë të Kuvendit Kombëtar, më 18 Dhjetor zgjodhën të ardhmen, zgjodhën t’i shërbejnë interesit të demokratëve, zgjodhën t’i shërbejnë vetëm interesit të Shqipërisë.

Ne jemi krenarë që jemi partia e parë politike në Shqipëri dhe Rajon që i bashkohet nismës botërore të SHBA për të mbajtur jashtë vendimmarrjes në institucionet e partisë personat e shpallur non-grata për korrupsion, abuzim me pushtetin apo përfshirje në krimin e organizuar.

Kasafortizimi dhe bunkerizimi nuk janë metoda të Partisë Demokratike, por të celulave ilegale që të vetmin merak kanë karriket dhe zyrat e tyre. Punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë.

Selia qendrore e Partisë Demokratike ka qenë dhe do të jetë gjithmonë e hapur për demokratët e sakrificave dhe kontributeve, por e mbyllur për ata që e kanë mbajtur peng Partinë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve me shpresën se mund ta përdorin për t’u fshehur, mbrojtur apo rregulluar punët e tyre të pista.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura