Ish-kreu i Policisë flet pët Vetingun: Atë nuk mund ta bëjë ministri Xhafa

Oct 6, 2017 | 8:45
SHPËRNDAJE

Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Fadil Canaj dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Krimit Ekonomik Ismail Elezi deklarojnë se vettingun në polici nuk mund ta ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, por vetë policia.

debati

Të ftuar në emisionin “Debat në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku dy ish drejtuesit e lartë thanë se policia pastrohet vetëm kur politika të heqë dorë ndaj saj.

“Nuk e kuptoj që atë që ne dikur e quanim pastërtia e figurës së policit dhe që ju sot e quani vetting do ta bëjë ministri. Policia është e ndarë nga ministria sipas ligjit dhe nuk kanë punë politikanët që të merren me policinë dhe pastrimin e saj. Politikanët ministra ikin e vijnë, ndërsa policia mbetet”, tha Fadil Canaj, një figurë shumë e njohur në strukturat e dikurshme të policisë.

Një tjetër drejtues i dikurshëm në Policinë e Shtetit, Ismail Elezi, mbështeti kolegun Canaj në këtë diskutim duke deklaroi se letra që Fatmir Xhafa u dërgoi pak ditë më parë punonjësve të policisë ishte gabim i rëndë.

“Nuk ka detyrë ministria e Brendshme të bëjë vetting. Oficeri i policisë nuk është strukturë e ministrit të Brendshëm, si rrjedhojë këtë proces nuk mund ta realizojë ministri, pra politika. Elezi tha se ka një rregull në polici: një oficer policie ka dy rrugë, ose ngritjen në karrierë ose në burg. Ndërsa në Shqipëri me një të rënë të lapsit në 2013 u larguan nga puna 1300 policë, ndërsa sapo erdhi Xhafa ministër largoi 9-të drejtorë të policisë” .

Një tjetër diskutim gjatë emisionit ishte edhe çështja e kanabisit dhe ajo e bandave, klaneve dhe familjeve mafioze për të cilat foli me emra ambasadori amerikan Donald Lu.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë Fadil Canaj ishte shumë i ashpër me policinë Evropiane EUROPOL pas informacionit që dha gjatë emisionit Besfort Lamallari, këshilltari i ministrit Xhafa sipas të cilit pas operacionit të policisë në Lazarat grupet kriminale të Hollandës erdhën në Shqipëri dhe studiuan terrenin, vendosën lidhje me elementë të inkriminuar duke sjellë deri farat dhe fidanë për mbjelljen e  kanabisit.

Sipas Fadil Canajt, kjo është e prapranueshme për Europolin që tani bën statistika ndërsa në atë moment ka bërë sehir. “Përse Europol nuk arrestoi këta grupe kriminale të Hollandës që u paskan mësuar zanatin organizatave shqiptare dhe tani bëjnë raporte”?

Sipas Canajt, përveç policisë shqiptare, përgjegjësi në situatën e drogës në Shqipëri kanë edhe institucione te huaj si EUROPOL. Për Fadil Canajn,  policia shqiptare është në kushtet e mbrojtjes së nevojshme dhe të huajt duhet ta ndihmojnë duke parandaluar dhe goditur organizatat ndërkombëtare që vendosin bashkëpunim dhe jo duke bërë statistika.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura