Shrëder: Shqipëria vend demokratik, të legalizohet emigracioni

Sep 2, 2015 | 19:18
SHPËRNDAJE

Ish-kancelari gjerman Gerhard Shrëder bëhet pjesë e debatit për çështjet e emigrantëve duke thënë se Europa nuk duhet të “krijojë një perde të hekurt” për ta. Ai bëri thirrje për një politikë moderne të Gjermanisë ndaj emigrantëve, duke vënë theksin tek legalizimi i emigracionit.

Ish-Kancelari gjerman, Gerhard Shreder
Ish-Kancelari gjerman, Gerhard Shreder

Sipas gazetës britanike “The Telegraph”, Shrëder ka thënë se vetëm legalizimi i emigracionit mund të mbajë fluksin e të ardhurve nën kontroll.

“Nëse përpiqemi të mbyllim dyert për kërkesat për azil, atëherë duhet të hapim një rrugë ligjore për emigracionin. Legalizimi i emigracionit është e vetmja mënyrë për ta mbajtur atë nën kontroll”,-ka thënë ai.

Shrëder ka deklaruar se duhet krijuar perspektiva e integrimit të emigrantëve që i drejtohen vendeve të BE-së edhe në shtetet e tyre të origjinës.

Deklaratat e tij vijnë në kohën kur Gjermania po përballet me fluksin më të madh të emigrantëve. Një vit më parë në Gjermani ishin regjistruar rreth 202 000 emigrantë, por këtë vit vendi pritet të përballet me rreth 800 mijë kërkesa.

Mediat e huaja shkruajnë se Gjermania do të varet nga kontributi i emigrantëve për të mbajtur sistemin e pensioneve në të ardhmen, për shkak se vendi do të përballet me rënien e numrit të popullsisë.

“Nëse ne duam që të jemi një vend i fortë shoqëror dhe ekonomik në të ardhmen, atëherë ne kemi nevojë për emigrantë”,-ka thënë Shrëder.

Gazeta britanike shkruan se rreth 40 për qind e kërkesave për azil në Gjermani në gjysmën e parë të vitit 2015 vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Serbinë. Këtë vende Shrëder i përshkruan si demokratike, me mundësi të kufizuara për punë për të rinjtë. Ai propozoi ngritjen e qendrave të formimit profesional në këto vende.

Gerhard Shrëder ka qenë Kancelar i Gjermanisë nga viti 1998 deri në vitin 2005. Pas kësaj periudhe vendin e tij e zuri Kancelarja Angela Merkel.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura