Ish gjenerali: Nuk e kuptoj përse Presidenti nuk dekoron Liri Belishovën

Dec 6, 2016 | 7:20
SHPËRNDAJE

Gjeneral-lejtënant Rrahman Parllaku e sheh të pakuptimtë mosdekorimin e Liri Belishovës nga Presidenti i Republikës, “Nderi i Kombit”, për vuajtjet dhe sakrificat e saj. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Parllaku, i cili mori këtë dekoratë nga kreu i shtetit me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij, vlerëson kontributin e Belishovës dhe sfidën që ajo i bëri regjimit të Enver Hoxhës. Si një figurë e gjithanshme, që nuk i shpëtoi persekutimit të sistemit komunist për 30 vjet, gjeneral Parllaku shërbeu në detyra të ndryshme në ushtri deri në zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministër i Mbrojtjes.

Ai mendon se Balli Kombëtar duhet vlerësuar rast pas rasti, duke kujtuar rastin e Hysni Lepenicës, komandantit të Ballit Kombëtar për Jugun, të cilin e vlerëson për antifashizmin e tij dhe kërkon që ai të shpallet dëshmor, pasi është vrarë në betejë kundër italianëve. Ish-gjenerali hedh poshtë qëndrimet sipas të cilave në Shqipëri mes partizanëve dhe ballistëve ka pasur vëllavrasje, duke u shprehur se, përveç rasteve sporadike, nuk ka pasur elementë të luftës civile gjatë luftës.

Rrahman Parllaku
Rrahman Parllaku

Parllaku vlerëson figurën e Mehmet Shehut si ushtarak, por dhe ekonomist dhe përjashton akuzat e Enver Hoxhës se ai mund të ketë qenë agjent i shërbimeve të huaja inteligjente. Sipas tij, Mehmet Shehun e detyruan të bëjë vetëvrasje, duke njohur karakterin e tij të fortë, njëlloj si Nako Spiron.

Ju keni organizuar një aktivitet me rastin e 90-vjetorit të Liri Belishovës, por ajo ende nuk ka dekorim për të nga kreu i shtetit. Pse ky vlerësim i vonuar nga Presidenti i Republikës për Liri Belishovën?

Liri Belishova ka marrë një vlerësim të madh nga publiku në gjithë këto vite për aktivitetin e saj në luftë. Populli bën be: “Për sytë e ballit” dhe Liria e ka humbur njërin sy në luftë dhe nuk u dekurajua, por iu rrit vullneti dhe në moshën 17- vjeçare u vu në krye të rinisë. Kjo është trimëria, vendosmëria e saj në luftë, por dhe përballja me diktaturën si askush tjetër, ajo pësoi persekutimin më të madh, deri te fëmija. Asaj i iku vajza nga kjo jetë dhe regjimi nuk e lejonte t’i qëndronte te koka në spital.

Ka persekutim më të madh se ky dhe nuk ka ndodhur tek askush tjetër, që për një njeri të dënohen 5 vëllezër të tjerë. Cila diktaturë tjetër e ka bërë këtë?! Hitleri vrau të gjithë botën, por nuk vrau gjermanët, Millosheviçi vrau kombësitë e tjera, por jo serbët. Vetëm Enver Hoxha ka vrarë të vetët. Liria ishte nga të parat që u përball me këtë diktaturë e ne të tjerët e pësuam më mbrapa. Liria e përballoi me shumë forcë atë diktaturë. Kemi 22 vjet që po punojmë fort me Lirinë. Ajo sot ka fjalën t’i thotë historisë të vërtetën, historia është shtrembëruar, ndërsa Liria kërkon që secilit t’i jepet haku në kontributet e tij.

Moralisht nga publiku ajo është vlerësuar dhe dekoruar, por nuk kemi një dekorim nga institucionet…

Në këtë 90-vjetor të saj ne i jemi drejtuar Presidentit të Republikës që t’i jepte dekoratën “Nderi i Kombit”. Nuk na u përgjigj. I kërkova disa herë të më priste, nuk më priti. Mua Presidenti më ka nderuar me këtë titull, por mbase për Lirinë ndikohet nga të tjerët. Çfarë ka qenë Liri Belishova në Byronë Politike në moshën 22 vjeçe? Ka qenë 4-5 vjet, se të tjerat i kaloi në shkollë. Ajo kërkoi që të pajtoheshim me frymën demokratike pas dënimit të Stalinit dhe për këtë Enver Hoxha pati frikën e karriges së tij se të gjithë ata që dënuan kultin e individit të Stalinit ikën nga pushteti. Nga kjo frikë që mund të nxiste kjo frymë, Enveri dënoi Lirinë.

Duke qëndruar këtu, historia është shkruar në mënyrë të njëanshme, si e vlerësoni ju?

Historia është shtrembëruar nga diktatura, sepse diktatura nuk ka njohur histori, hoqi nga historia edhe kohën e Zogut, 17 vjet histori, duke krijuar një boshllëk historik. Nga regjimi i Zogut është mësuar që satrapi Zog vodhi floririn dhe i hapi dyert Italisë. Sa vrau Enver Hoxha, me mijëra, dhe sa vrau Zogu? Zogu vrau 3-4 kundërshtarët e tij dhe ata me dinjitet, madje i ka lajmëruar. Organizata jonë ka bërë Hysni Lepenicën, komandatin e Ballit Kombëtar për Jugun, dëshmor.

Përse? Sepse ai nuk luftoi kundër partizanëve, por luftoi kundër italianëve. Italianët e vranë. Përse të mos shpallet dëshmor Hysni Lepenica?! Sepse ai nuk ishte si Kadri Cakrani, që bashkëpunoi me gjermanët, mori armatimet dhe luftoi kundër partizanëve. Lepenica ishte një patriot i vendit të tij, që sa ishte gjallë, luftoi kundër mercenarëve të Halil Alisë bashkë me ne; në luftën e Selenicës, kur përzumë shoqërinë Siptha, ishte me ne;, në luftën në kalanë e Margëlliçit në Patoz, ishte prapë me ne.

Liri Belishova, gjate nje koncerti festiv, me rastin e 17 nentorit te 70 vjetorit te clirimit te Tiranes./r/n/r/nLiri Belishova, during homage to the Martyr Nation on the occasion of 70 anniversary of the liberation of Tirana.
Liri Belishova

Ky Hysni Lepenica u vra nga italianët në betejë. Përse të mos jetë dëshmor, vetëm ne partizanët duhet t’i marrim këto dekorata?! Historia duhet parë rast pas rasti dhe jo t’i fusim të gjithë në një thes, partizan je i mirë, ballist armik. U ngrit komiteti i veteranëve dhe më thanë hiqja. Unë u shkruajta Fatos Nanos dhe Ilir Metës si kryeministra që po ia hoqët titullin dëshmor, do t’ju padis duke kërkuar: “Më thoni çfarë krimi ka bërë Hysni Lepenica?!”.

Cili ishte Balli Kombëtar, sipas jush, në atë kohë?

Balli Kombëtar ka qenë i lëkundur. Për shembull, ka pasur bashkëpunim me partizanët në Vlorë, në Korçë. Deri në kapitullimin e Italisë fashiste ne vetëm dy raste vrasjesh kemi pasur. Është vrarë vëllai i Petrit Dumes nga forcat e Ballit Kombëtar, por Safet Butka i përzuri ata. Edhe Safet Butkën, po të mos e kishte përzier djali i tij, unë e shpallja dëshmor.

A ka pasur raprezalje pas vrasjes së vëllait të Petrit Dumes?

Absolutisht asnjë. Ia prunë Petrit Dumes 8 vetë nga Balli që t’i pushkatonte. Petriti pyeti: “Cili nga këta e ka vrarë Bakiun?”. “Nuk e dimë”, i thanë. Atëherë ai tha: “Nuk hap luftë në Kolonjë unë pse është vrarë vëllai im! Hiquani armët dhe përzërini!”. Por Safeti nuk i pranoi ata më në çetën e tij. Edhe Safet Butka ishte kundër vrasjes së Baki Dumes.

Kur ka ndodhur kjo?

Kjo ka ndodhur në gusht të vitit 1943. Pra, nuk kemi pasur ne të bëjmë me luftë civile. Kjo lufta civile është shpikur nga i biri i Safet Butkës, nga Uran Butka.

Ka një nismë për ngritjen e një instituti për vlerësimin e Luftës së Dytë Botërore. Si e vlerësoni?

Me kë do ta ngrejë qeveria?! Çfarë bëri instituti për historinë e shkollave?! Vuri Paskal Milon, unë i thashë Paskalit, ti je partiak dhe sado që të jesh i paanshëm, të gjithë do të mendojnë se interpretimi që ti i bën historisë është i njëanshëm.

Ju jeni dënuar me grupin puçist të Ushtrisë. Sipas jush, Mehmet Shehu ishte agjent i shërbimeve të huaja sekrete?

Absolutisht jo. Kur e kanë bërë agjent të jugosllavëve, thashë jo, nuk ka mundësi.

Nëse Mehmet Shehu nuk do të kishte vrarë veten, gjërat do të kishin shkuar ndryshe në Shqipëri?

Sipas mendimit tim, Mehmet Shehu do ta kthente timonin nga Perëndimi. Ai ishte më radikal dhe merrte vendime më të forta, sepse kishte bazë, njihte ekonominë. Kriminel mbetet, sepse është pjesë e grupit bashkë me Enver Hoxhën, Hysni Kapon dhe Kadri Hazbiun. Kjo katërshe nuk shpëlahet dot nga krimet që kanë bërë, por Mehmeti ishte tjetër brumë.

Sipas jush, e vranë apo vrau veten?

Për mua nuk ka shumë rëndësi se kush e tërheq gishtin, por kush e çoi në vrasje. I thanë të përgatitej për diskutimin e nesërm. Edhe ai nuk pa rrugë tjetër. E kishte parë Nako Spiron që ashtu i ndodhi edhe atij. Karakteri i Mehmetit ishte i fortë.

Ju keni njohur dhe një personazh kosovar të debatuar shumë kohët e fundit, Fadil Hoxhën, të cilin sot e akuzojnë se ka zbatuar politikat e Titos në Kosovë dhe ka bashkëpunuar me të. Cili është mendimi juaj për këto akuza?

Fadil Hoxha ka drejtuar normalistët kur ata kanë dalë partizanë, ka pasur persona të veçantë si Dashnor Mamqi, Edip Ohri që i ka marrë në shtëpi, Dashnorit i ka vënë emrin e vajzës, Kozetës. Shkoi në Kosovë siç shkuan shumë normalistë dhe gjimnazistë që të hapnin shkolla shqipe dhe më pas u lidhën me lëvizjen antifashiste. Fadili doli në udhëheqje të luftës së Kosovës, arriti të bëhet komandant i shtabit të Kosovës dhe ka drejtuar luftën në Kosovë, është organizator i konferencës së Bujanit. Ajo është një konferencë e vlefshme si ajo e Pezës në Shqipëri.

Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu
Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu

Atje u vendos që pas çlirimit Kosova të kishte të drejtën e vetëvendosjes. Dihet që ai dokument i miratuar në Bujan nuk u pranua nga Këshilli i Jugosllavisë, dhe mbeti e panjohur nga lëvizja në Shqipëri. Ne nuk morëm njoftim fare për konferencën e Bujanit. Vetëm sa na erdhi një komunikatë. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm kaluan dy brigada në Kosovë, brigada e tretë dhe e pestë. Detyrat tona kanë qenë të ndihmonim në çlirimin e Kosovës, e dyta të bëjmë sa më shumë kosovarë të marrin pjesë në luftë. Brigada e tretë ka kaluar në shtator të vitit 1944 dhe brigada e pestë në 16 tetor 1944.

Deri në atë kohë, Kosova ishte e lidhur me boshtin fashist, qeveria Deva kishte një divizion shqiptar, “Divizionin SS Skanderbeg”, që ka bërë edhe krime në Tiranë, si masakra e 4 shkurtit, xhandarmëri të cilat ishin të lidhura me gjermanët. Rreziku ishte që po të mbaronte lufta, kosovarët do të rreshtoheshin me boshtin nazi-fashist dhe do të spastroheshin etnikisht, sepse ka pasur një plan të akademikut Çubroloviç që i ishte dhënë Titos për të bërë spastrimin etnik të Kosovës, siç iu dha Moldavia Rusisë, Vojvodina Hungarisë, bregdeti dalmat i banuar nga italianë u spastrua.

Cili ishte qëllimi i forcave tuaja partizane në ish-Jugosllavi?

Një tjetër qëllim ishte që forcat tona të godisnin trupat gjermane të armatës ERE që lëvizte nga Greqia dhe Maqedonia, për t’u tërhequr për në frontin e Perëndimit. Rrugë kalimi i kishte mbetur segmenti Prizren-Kukës-Shkodër, Prizren-Pejë-Gjakovë. Ne duhej t’i pengonim dhe dëmtonim sa të mundnim që ata të mbërrinin sa më shumë të dëmtuar, prandaj nisëm të hidhnim në erë urat që ata të mos mundnin të merrnin me vete mjetet e rënda, tanket e artilerinë. Për organizimin e këtyre veprimeve u ngrit një shtab operativ i përbërë nga Fadil Hoxha dhe komisari i tij, Nerada Nikiç, Shefqet Peçi, komandant i brigadës së pestë, Hulusi Spahiu, komandant i brigadës së tretë, dhe Hito Çako, komisar i brigadës së pestë.

Kur shkuam ne në Kosovë, kishte vetëm një brigadë dhe me ndihmën tonë, me thirrjen që kosovarët të përfshiheshin në luftë, u krijuan shtatë brigada. Në këtë mënyrë, Kosova u shkëput nga boshti fashist dhe ishin 50 mijë kosovarë që morën pjesë në luftën antifashiste në ushtritë jugosllave dhe në divizionin që drejtova unë. Divizioni “Skanderbeg” u shpërbë pas betejës në Gjakovë, Prizren dhe në Junik. Mua më vranë 32 veta, ne zumë 27 robër, por nuk pushkatuam asnjë dhe prej asaj dite kosovarët nuk bënë më luftë kundër nesh. Në 17 nëntor është çliruar Tirana dhe në 17 nëntor kemi çliruar Pejën.

Cili ishte kontributi i Fadil Hoxhës?

Kontributi i tij është se krijoi një bazë të luftës antifashiste në Kosovë, dhe me vajtjen tonë dhe shkrirjen e këtyre formacioneve kosovare pro naziste, u krijuan 7 brigada që morën pjesë në luftë krah ushtrisë jugosllave dhe ushtrisë sonë. Pra, u bë shkëputja nga boshti antifashist dhe kaluan në aleancën antifashiste. Fakti që kaluan nga kjo aleancë, detyruan Titon të mos bënte spastrim etnik në Kosovë, sepse nuk mund të shpërngulte familjet e 50 mijë luftëtarëve antifashistë që luftuan krah popujve të Jugosllavisë kundër nazizmit.

Meritë e parë e Fadil Hoxhës ishte fakti që edhe pse Kosova nuk arriti të fitonte lirinë e saj pas konferencës së Bujanit, ata nuk u spastruan etnikisht, siç ndodhi me çamët, që luftuan për tokën. Nuk luftohet për tokën, por luftohet për njerëzit. Më pas patëm ngjarjen e Drenicës, për të cilën akuzojnë Fadilin këta kundërshtarët e luftës, por Fadil Hoxha bëri të gjitha përpjekjet që të mos ndodhte Drenica. Por më vonë ata e shkarkuan Fadilin dhe ngarkuan Peter Breoviçin. Pra, Fadili u dënua edhe për Drenicën që këta e akuzojnë sikur e drejtoi ai.

Fadil Hoxha akuzohet se ka qenë bashkëpunëtor i Titos…

Me luftën Fadili e mbajti Kosovën të populluar, sepse po të kishte vijuar të bashkëpunonte me nazistët, do të kishte pasur fatin e Çamërisë, pasi do ishte rreshtuar te blloku nazist dhe humbës i luftës. Nën Tito, Fadili dhe ekipi i tij patën aftësinë të ruajnë ndjenjën nacionale dhe shkollën. A kishte gjuhë shqipe nën atë reaksion derisa ishte Rankoviçi? A lejohej shkolla shqipe? Kush erdhi në Tiranë dhe mori libra për të hapur shkolla? Fadil Hoxha e bëri këtë.

Kush e hapi Universitetin e Prishtinës? Nën Titon, duke shfrytëzuar koniukturat e brendshme të Jugosllavisë, Fadil Hoxha me ekipin e tij arritën ta hapin universitetin. Sepse Titoja ishte kundër shovinizmit serb që sundonte edhe kroatët, edhe sllovenët, edhe boshnjakët, dhe ai donte ta dobësonte këtë shovinizëm e në këtë përpjekje përfitoi edhe Fadili, duke hapur shkollat dhe universitetin. Prandaj dhe Titoja vajti dy herë në Kosovë, jo se i donte kosovarët, por se donte të frenonte shovinizmin serb. Unë ngre një pyetje: “A mundej Fadil Hoxha të rrëzonte Titon?”. As që bëhej fjalë.

Ai me zgjuarsi zgjodhi rrugën që duke bashkëpunuar me Titon, duke shfrytëzuar këto koniuktura, të fitojë të drejta për kosovarët. Në pleniumin e Brionit, kur u dënua shovinizmi serb, kosovarët fituan të drejta të barabarta me të gjitha kombet e tjera të Jugosllavisë. Gjashtë republikat dhe dy krahinat fituan të drejtat e një shteti, Kosova u bë shtet, me qeverinë e vet, me policinë e vet, gjykatat e veta e deri tek ushtria rajonale. Kush e bëri shtet Kosovën? Kushtetuta e vitit 1974. Kjo nuk bëhej pa politikën e zgjuar të Fadil Hoxhës dhe ekipit të tij.

Cila është historia e Trepçës?

Në kohën e fashizmit, Trepça, Mitrovica dhe Podujeva nuk ishin në varësi të italianëve që ishin në Shqipëri, por në varësi të pushtetit ushtarak të Beogradit. Trepçën po kërkojnë t’ia japin Serbisë sipas paketës Ahtisari, duke i bërë lëshime që të shkëputet nga Rusia, tani që ka kufij. Imagjinoni atëherë kur nuk kishte kufij, sa lehtë do ishte dhënë Trepça, por dhe Kosova e gjitha do ishte copëtuar nga Beogradi dhe sot, siç e tha Edi, nuk do kishte Trepçe në Kosovë, por në Beograd.

Si ju duk qëndrimi i Kryeministrit Rama në Beograd për minierën e Trepçës?

Më pëlqeu. U përball siç duhej kur i tregoi Vuçiçit se Trepça është në Kosovë dhe nuk mund ta çosh dot në Beograd. Po vazhdoj aty ku e lashë. Ishte Fadil Hoxha, i cili përfshiu në Kosovë dhe dy komuna serbe, që të mos e bënte shqiptare të kulluar në atë kohë, se nuk do t’ia kishin lejuar, dhe vendosi kufijtë e Kosovës që janë edhe sot.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura