Ish-drejtori flet për largimin e Çakos: Ishte e pritshme, një këshillë kam për Ramën…

Jan 9, 2018 | 13:35
SHPËRNDAJE

Një nga paraardhësit e Haki Çakos e cilëson të pritshëm largimin e tij nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm.

canaj

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Fadil Canaj, i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, tha se kur më shumë se gjysma e drejtuesve të policisë vendore ishin shkarkuar, detyrimisht edhe largimi i Çakos ishte i pritshëm. Por Canaj shtoi se largimi i Haki Çakos nuk ishte lajm i mirë. “Me përjashtim të Bajram Ibrajt, të gjithë ne drejtorët e Policisë së Shtetit nuk e kemi mbaruar mandatin. Na ka emëruar politika por po kjo politikë na ka larguar nga detyra dhe kjo nuk është gjë e mirë. Canaj shkoi edhe më tej kur tha se në Shqipëri punët nuk shkojnë normalisht.

“Çdo ministër kërkon të ketë drejtorin e vet të policise”, tha Canaj. Ndërkohë Fadil Canaj shprehu mendimin e tij edhe se si duhet të zgjidhet drejtori i ri i policisë.

I pyetur nga gazetari Qafoku se nëse kryeministri do ti kërkonte një këshillë se si duhet ta zgjidhej Canaj tha:

“Kam vetëm një këshillë për Edi Ramën. Drejtorin e ri duhet të zgjedhë të mbështetur vetëm në ligj. Në të përcaktohet qartë dhe ai duhet të jetë oficer policie, të ketë kaluar karrierën normale brenda policisë, të jetë i pastër moralisht, i papërfolur dhe të zbatojë ligjin”.

Ndërkohë në media janë përfolur deri tani dy kandidatura si zëvendësues të Çakos. Ata janë Ardi Veliu, drejtor aktual i Policisë së Tiranës dhe Eduard Merkaj aktualisht drejtor i SHÇB.

Fadil Canaj i vlerësoi të dy kandidaturat por duke qenë se më shumë njihte Ardi Veliun ai tha: “Ardi Veliu ka shumë cilësi të mira si drejtues policie por më shumë se kaq është një figurë e pastër dhe e papërfolur dhe kjo është më e rëndësishmja”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura