Ish-drejtoresha e Arkivit: Pse Tepelena është Aushvici shqiptar, si vdiqën fëmijët

Apr 6, 2018 | 7:56
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Nevila Nika, ish-drejtoresha e Arkivit Qendror, tregon arsyet pse kampi i Tepelenës duhet cilësuar Aushvic dhe ku ajo është kundër me historianin Pëllumb Xhufi.

nika

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zonja Nika shprehet se me atë terror dhe masakër të regjimit komunist, e gjithë Shqipëria duhet të shpallet Aushvic për dëmet që u janë shkaktuar jo vetëm familjeve dhe zonave të ndryshme, por dhe brezave që erdhën më pas.

Ajo tregon vuajtjet e një zonje, e cila u internua e re në vitin 1945 dhe doli nga internimi më 1991, e ku procesverbalet e mbledhjeve të organizatave të PPSH-së tregojnë se ajo është përdhunuar nga drejtues të lartë të Sigurimit të Shtetit.

Çfarë rezulton në dokumentet e arkivave për të internuarit e kampit të Tepelenës?

Ajo që të bën përshtypje është fakti se çfarë përfaqësonin këta të burgosur në kampin e Tepelenës. Janë gra, pleq dhe fëmijë, mes tyre dhe foshnje, të cilët i kishin larguar nga zonat e tyre dhe për arsyen e vetme se ishin kundër bashkëpunimit dhe vëllazërisë me Jugosllavinë, pasi kishin luftuar gjithë jetën kundër serbit, se ishin potencialë ose të arratisur në Jugosllavi etj.

Absurdi ishte se, edhe kur u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë, këta armiq të Jugosllavisë nuk u rehabilituan dhe vijuan dënimin. Mbajtja në këtë kamp i të gjithë atyre personave u bë në kundërshtim të plotë të ligjeve të kohës, pa u gjykuar, me një urdhër shumë herë verbal, herë me një copë letër të vogël, “merrini, hiqini”, “pastrojini”, gjëra që kur i kam lexuar kupton se ka ndodhur një gjë e pabesueshme. Ata njerëz nuk u rehabilituan kurrë, as ata dhe as brezat e tyre që pasuan.

tepelena

A i bashkoheni mendimit se kampi i Tepelenës mund të cilësohet “Aushvici” i Shqipërisë?

Kur thua Aushvic dhe i shton dhe shqiptar, je i çlirët. Në varfërinë tonë të tejskajshme, ne nuk kishim luksin të bënim një Aushvic me teknologji të tillë shfarosëse. Nazistët luftonin të ndryshmin, siç ishin hebrenjtë, atë që e konsideronte armik, në racë dhe në gjak, kurse ne këtu luftuam dhe spastruam shqiptarin. Fjala e popullit, “Kush ta nxori syrin kaq thellë, vëllai”, merr një kuptim të plotë në këtë rast, duke treguar një urrejtje patologjike kundër një individi apo një familjeje, një krahine, një mentaliteti etj.

Ai regjim nuk respektoi asnjë kod etike, arriti të pushkatojë dhe gra shtatzëna, krime që nuk i kishte bërë as pushtuesi. Në Luftën e Dytë Botërore nuk e ka bërë armiku pushtues, por e ka bërë armiku verior, i kemi me dokumente. Nëse do të shohim dokumentet e masakrave të viteve 1918-1920 në Plavë, Guci, Vuthaj, Pejë nuk arrin të kuptosh nëse këto masakra kanë ndodhur në vitin 1918-të nga fqinjët veriorë, serbët, apo jemi në 1948 nga shqiptarët për shqiptarët. Qeveria komuniste mund t’i kishte kundërshtarët apo armiq të saj veriorët, por nuk mund të shkonte në një persekutim të tillë, kur në një popullsi prej 800 mijë banorësh, ¼ e saj është persekutuar, atëherë mund të themi se e gjithë Shqipëria ishte një Aushvic.

Si e shikoni qëndrimin e historianit Pëllumb Xhufi rreth kësaj çështjeje?

Unë isha në emision kur profesor Pëllumbi nxori një dokument të CIA-s. Por unë po ju tregoj historinë e një gruaje që e kam takuar më 1991, e cila në atë kohë dilte nga internimi i përjetshëm. Nelson Mandela ishte në burg, por Winie Mandela ishte në shtëpi, nuk ishte në burg siç ndodhi në Shqipëri, që dënohej dhe syrgjynosej i gjithë fisi. Për Mandelat tona nuk u tund njeri në botë, sepse edhe ne nuk kemi ditur të bëjmë zhurmën dhe PR tonë, të bërtisnim për Osman Kazazin, Pjetër Arbnorin etj., etj.

Nga nëna ime kisha dëgjuar për këtë grua, që doli nga internimi më 1991 dhe ishte ende një grua e bukur. Kishte hyrë në internim, vajzë e re, e sapomartuar dhe kaloi në internim nga 1945-1991 dhe ajo ishte e shpërfytyruar.

Ajo më ka treguar se si i fusnin të internuarit në përruan afër kampit në mes të janarit, që të mblidhnin kërcunjtë e drurit që binin në ujë, që bënin me kilometra të tërë në këmbë për të marrë dru në mal që t’ia sillnin oficerëve të kampit që të ngroheshin, dhe të internuarit ishin pa ngrohje, me veshje të shqyera dhe të holluara dhe pa ushqim. Ushqeheshin me krimbat e pemëve, me ushqime të mbetura. Kjo vajzë ishte internuar sepse babai i saj kishte qenë dikushi dhe kishte bërë një gabim, sipas sistemit. Por a e pyeti babai të bijën për gabimin që bëri? Përse duhet të vuante vajza e tij për atë gabim?

Këto ishin pasojat e luftës së klasave?

Kjo ishte lufta e tmerrshme e klasave, që përçau shqiptarët dhe i bëri ata ujqër ndaj njëri-tjetrit. Kur është futur daja im në burg, unë kam qenë 3 vjeçe. Kam qenë pa hyrë në klasë të parë kur shkova të takoja dajën tim të burgosur, kur të burgosurit ndërtonin Kombinatin e Mishit. Nuk do ta harroj skenën e tmerrshme kur vrapova të takoja dajën dhe më ulëriti polici, ndërsa shikoja dajën tim të dobësuar, me një xhaketë të cilës i kishte mbetur vetëm një kopsë dhe që i varej si mos më keq.

Pse duhet të jepja unë llogari për një gabim të dajës tim, kam dhënë llogari pse mamanë time e hoqën nga arsimi etj., etj. Vite më vonë konstatova në një procesverbal mbledhjeje të Organizatës së Partisë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, se kjo grua që kaloi gjithë jetën në internim ishte përdhunuar nga një ish- titullar i Sigurimit të Shtetit, kryetari i Degës së Brendshme të Beratit, ai që kish djegur dhe arkivat e familjeve të mëdha të Beratit.

Një njeri mund ta vrasësh, është shumë e dhimbshme, por unë që vij nga bota e letrave, e them se është akoma më e dhimbshme kur shuan kujtesën, sepse ai njeri e ka lënë një gjurmë gjëkundi. Ky është një diskutim i dhimbshëm, që nuk duhet bërë në këtë formë dhe me këto argumente, e aq më tepër nga historianë. Pëllumb Xhufi është një historian që të gjithë e kemi vlerësuar për kohën e Mesjetës, që di gjuhë të rralla, por futja në hullitë e asaj që ka ndodhur nga 1941 e këtej është një terren i minuar, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që vjen një moment, ku secili duhet të bëjë analizën e tij bazuar në dokumente të konfirmuara mirë.

Ngritja e muzeut në kampin e Tepelenës

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucion shtetëror, përgjegjës për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, informoi dje mbi ecurinë e projektit të muzealizimit të kampit të punës së detyruar në Tepelenë. Sipas autoritetit, ky projekt përmban rikthimin në identitet, si kamp dëbimi të një prej kapanoneve, vendosjen e stendave me dëshmi (fotografi dhe dëshmi arkivore) për kampet e dëbim – internimit, dizenjimin, pozicionimin si dhe mbjelljen e disa fidanëve (qiparisa) për përkujtimin e fëmijëve, që kanë humbur jetën nga kushtet e vështira në kampin e Tepelenës dhe janë pa një vendvarrimi. Ndërtimi i këtij Memoriali shënon vetëm hapin e parë për transformimin e të gjithë kompleksit në një Muze të Kampeve të Punës së Detyruar të Diktaturës Komuniste. Projekti është miratuar me Vendimin e Këshillit Bashkiak Tepelenë nr. 40, datë 30.11.2017 “Për miratimin e objekteve prioritare të investimeve për vitin 2018”, konfirmuar më datë 14.12.2017 nga Prefekti i Qarkut Gjirokastër. “Sa i takon sistemit të dëbim-internimeve, kampi i Tepelenës spikat për disa arsye: – Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerë- zore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim. – Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë”, thuhet në njoftimin e bërë dje nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ishSigurimit të Shtetit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura