Cila ishte balerina amerikane që krijoi stilin e vet personal të kërcimit të njohur në të gjithë botën. Vdekja e djemve të vegjël, dëshpërimi, biseksualiteti, martesa me poetin rus Esenin dhe mbytja aksidentale me shall
E cilësuar si “Nëna e kërcimit modern”, ajo është një nga balerinat më të njohura të të gjitha kohëve dhe mbase një nga gratë me fatin më të trishtë. “Arti im është thjesht një përpjekje për të shprehur të vërtetën e qenies sime në gjeste dhe lëvizje. Më ka marrë vite të tëra të gjej qoftë një lëvizje absolutisht të vërtetë”, do të shprehej Isadora Duncan. Balerina e famshme, e konsideruar në vitet ’20 si gruaja më e bukur e botës, ishte një amerikane, e cila bëri “shtëpizë” të vetën Parisin e Europën dhe, e frymëzuar nga vallet antike, kërcente zbathur në teatrot parisiene dancin grek të lashtë.
Isadora Angela Duncan lindi në maj 1878 në San Françisko, Kalifornia dhe vdiq më 14 shtator 1927. Prindërit e saj u divorcuan kur Duncan ishte shumë e vogël dhe ajo u rrit nga e ëma, Dora, një mësuese pianoje me një vlerësim të madh për artin. Fëmija më i vogël i katër fëmijëve, Isadora Duncan, filloi mësimet e baletit që në fëmijëri. Atë e acaronte stili tradicional i baletit dhe zhvilloi stilin e saj, të cilin e gjeti më natyral. Që nga mosha gjashtëvjeçare ajo mësonte të tjerët të vallëzonin dhe kjo dhunti i mbeti për tërë jetën.
Në 1890 ajo kërcente në “San Francisco Barn Theatre” dhe që andej shkoi në Çikago dhe më pas në Nju Jork. Nga mosha 16-vjeçare, ajo përdori emrin Isadora. Shfaqja e parë publike e Isadora Duncan në Amerikë pati ndikim të vogël në publik e kritikë, kështu që ajo u largua për në Angli në 1899 me familjen e saj. Atje, me të vëllanë, studioi skulpturë greke në Muzeun Britanik, që frymëzoi dhe stilin e saj të kërcimit dhe kostumin e saj, një përshtatje e tunikës greke. Ajo u bë e njohur, jo vetëm nga publiku europian, por edhe nga artistët e rinj, të cilët imazhin e saj e vizatonin në piktura, skulptura dhe në poezi. Stili i Duncan ishte kontroversial për kohën, duke vendosur theksin kryesor në formën femërore njerëzore dhe lëvizjet e lira fluide.
Vdekja e fëmijëve, dëshpërimi dhe biseksualiteti i artistes
Dy fëmijët e Isadora Duncan, të lindur nga marrëdhëniet e saj të dashurisë me dy burra të martuar, u mbytën më 1913 bashkë me infermieren e tyre në Paris, kur makina e tyre u rrokullis brenda në Senë. Pas aksidentit, Duncan shpenzoi shumë muaj në Korfuz (sipas disa të dhënave edhe në Sarandë), me vëllain dhe motrën e vet. Pas kësaj, shpenzoi disa javë në resortin “Viareggio” me aktoren Eleonora Duse. Fakti që Duse sapo kishte dalë nga një marrëdhënie me një feministe lesbike rebele, Lina Poletti, çoi në spekulime për natyrën e marrëdhënies së Duncan dhe Duse, por nuk pati kurrë një provë të saktë se ato të dyja ishin të përfshira romantikisht në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Por Duncan pati një marrëdhënie dashurie edhe me poeten, dramaturgen dhe romancieren Mercedes de Acosta, e cila është e dokumentuar në një numër letrash që ato i shkruanin njëra-tjetrës. Në njërën prej tyre ajo shkruan, “Mercedes, më drejto me duart e tua të vogla të forta dhe do të të ndjek ty në majë të malit. Në fund të botës. Kudo që të duash”.
Në autobiografinë e saj, Duncan rrëfen se ajo iu përgjërua një të panjohuri italian – skulptorit Romano Romanelli, të flinte me të për shkak të dëshpërimit të saj për të pasur një fëmijë tjetër. Kështu, ajo mbeti shtatzënë pas vdekjes së dy fëmijëve të saj të vegjël. Nga kjo marrëdhënie e rastit lindi një djalë, i cili jetoi vetëm disa orë dhe që nuk pati kurrë emër. Kjo ishte një tragjedi që shënjoi Isadora Duncan për gjithë pjesën e mbetur të jetës së saj. Ajo tentoi gjithnjë e më shumë përgjatë temave tragjike në performancat e saj.
Njohja me poetin rus Esenin dhe ndarja para vetëvrasjes
Por ‘vdekja’ do ta shoqëronte dhe më tutje balerinën. Në 1920, në Moskë, ajo takoi poetin Sergey Aleksandrovich Yesenin (Esenin), i cili ishte thuajse 20 vjet më i ri se ajo. Ata u martuan më 1922. Në SHBA, origjina dhe e shkuara e tij ruse bënte që shumë t’i identifikonin ata si bolshevikë ose komunistë. Abuzimi drejtuar atij, çoi Isadorën të thoshte se ajo nuk do të kthehej kurrë në Amerikë dhe vërtet ajo nuk u kthye më në vendlindjen e saj. Ata u shpërngulën në Bashkimin Sovjetik më 1924 dhe atje, Esenini e la Isadorën. Pak kohë më pas, më 1925, ai u vetëvra.
Vdekja e çuditshme prej shallit të vet
Në fund të jetës së saj, karriera e Duncan nuk ishte si më parë dhe ajo u bë e njohur për fatkeqësitë e saj financiare, jetën dashurore skandaloze dhe dehjet e saj tepër publike, si dhe për kontributet e saj në fushën e artit. Isadora i shpenzoi vitet e fundit të jetës midis Parisit dhe Mesdheut, duke shtuar borxhet e saj nëpër hotele. Shpenzoi periudha të shkurtra në apartamente të marra me qira në mirëbesim nga një numër gjithnjë e më i paktë miqsh dhe mbështetësish, shumë prej të cilëve u përpoqën ta ndihmonin të shkruante autobiografinë e vet. Ajo jetoi në Nicë në katër vitet e fundit të jetës. Vdiq më 1927, në moshën 50-vjeçare, në një mbytje aksidentale, kur një shall i gjatë që ajo kishte vendosur rreth qafës u kap në rrotat e pasme të makinës me të cilën po udhëtonte. Shumë shpejt pas vdekjes së saj doli autobiografia, “My Life”. Isadora Duncan themeloi shkolla vallëzimi në të gjithë botën, duke përfshirë SHBA, BS, Gjermani dhe Francë. Shumica e këtyre shkollave dështuan shumë shpejt; e para që ajo themeloi në Gruenwald, Gjermani, vazhdoi për një kohë më të gjatë, me disa studentë të njohur si “Isadorables,” duke vazhduar në traditën e saj të kërcimit.
Jeta e saj ishte subjekt i një filmi të Ken Russell më 1969, “Isadora”, nën interpretimin e Vanesa Redgrave.
Përgatiti: Blerina Goce
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al