Ironia e “shtetit që do të bëjmë…”

Apr 22, 2016 | 12:20
SHPËRNDAJE

Frano-Kulli2FRANO KULLI

Ndër arritjet e qeverisë së tij, në këto tri vite, kryeministri ynë përmend gjithnjë e më shpesh reformën energjitike. Duke detyruar qytetarët dhe entet private ta paguajnë energjinë, këtë mall të konsumuar, ai krenohet se kështu ka arritur “të bëjë shtet”. Sidomos në reformën në energji. Dhe e vërteta është se energjia, ky mall i konsumuar, tani përgjithësisht paguhet, madje edhe prej atij, që është nën minimumin jetik të standardit të jetesës.

Minimumin jetik në Shqipëri, akoma nuk e kemi të përcaktuar. Po nejse. E rëndësishme për të bërë shtet është që… energjia të paguhet. E gjithërëndësishmja, sipas kryeministrit. Kurse për ne shtetasit, përpos kësaj ka edhe një tjetër anë, kjo “medalje”, njësoj të rëndësishme.

Sa, e gjitha kjo vjen e na kthehet ne paguesve të energjisë dhe të administruesve të saj, si e mirë publike? Në rastin në fjalë, në furnizim të rregullt e shërbim korrekt?… Po, a njeh kush ndonjë rast që, kur OSHE-ja të ka shkaktuar ndonjë dëm, të të ketë dëmshpërblyer?… Tjetër. Në çdo zyrë të shtetit që të trokasësh për çfarë- do shërbimi, të kërkohet edhe një vërtetim nga OSHE, sipas të cilit, detyrimet e tua të pagesave aty janë 0.

Dhe për të marrë këtë vërtetim, pra, që ti nuk ke asnjë detyrim të papaguar aty, me tagrin që kryeministri ynë i jep asaj, OSHE-së së tij, ty, qytetarit, të nevojiten 5 ditë!!!! Kaq është afati që Zotëria e tij, Kryeministri, i ka akorduar me ligj kompanisë së tij OSHEE. Së paku, kështu shkruajnë referencat ligjore në ato vërtetimet e lëshuara.

Dhe nuk mund ta marrësh gjithnjë këtë vërtetim në qytetin tënd. Për këtë copë letër me firmë e me vulë, shpesh do të duhet të bësh disa dhjetëra kilometra rrugë për ta marrë në qytetin ku janë të instaluara zyrat rajonale të krijesës kryeministrore OSHE.

(Nën emërtesën ironike: “Zyra të kujdesit për klientin”!) Bie fjala nga Puka, nga Lezha a nga Vermoshi në Shkodër, nga Gramshi, Cërriku a Librazhdi në Elbasan etj. Kur elektronikisht ky akt mund të kryhej vetëm në disa minuta dhe kështu të plotësohej kërkesa legale e një qytetari legal në Shqipëri. Pa folur për absurdin që ai vërtetim kërkohet kudo e për gjithçka, thua se nuk ka plot mënyra të tjera për ta vërtetuar pagesën tënde atje ku duhet, natyrisht dhe jo kudo…

Një akt i ngjashëm me matrikullimin, që u bëhet kafshëve, si identifikim. Ndërsa mua më vjen si kujtim i trishtë dhe e përmend publikisht për të disatën herë, rasti i burgimit të një fshatari në Gur të Zi të Shkodrës. Njëri prej shumë rasteve që i paraprin fillimit të reformës energjitike (!) Ai u burgos pse rilidhi dritat, për të vënë në punë aparatin e shpëtimit të djalit astmatik të shtrirë, të cilat i ishin shkëputur pse nuk i kishte paguar…

Ky është sistemi disbalancues që ka krijuar kryeministri ynë, që favorizon krijesën e tij, OSHE-në. Ai i ka atribuar vetëm të drejta asaj, madje edhe të burgosë qytetarë, por detyrime nuk i njeh, as nuk i kërkon asaj, kur nuk shërben qytetarët klientë. Ka pasur që në fillesën e vet kryeministrore Zoti kryeministër një tjerrje filozofike se sistemet qeverisëse të ndërtuara keq i korruptojnë njerëzit.

Gjë që teorikisht rri si e vërtetë, sikundërse sistemet e ndërtuara mirë ua kufizojnë mundësinë e korruptimit zyrtarëve, që duhet të jenë në shërbimin e ligjzbatimit. Por ja ku jemi. Mundësia e korruptimit u jepet me ligj “shtetbërësve” të kryeministrit. Mjafton të marrim në vëmendje njërën prej hallkave të të bërit shtet, me të cilën ai është krenuar këto ditë…

Furnizimi energjitik-OSHE. Herë tjetër për të tjerat. Dhe ka këtu një ngjashmëri, lehtazi të dallueshme me “socializmën e parë” të shqiptarëve. Kjo reforma etatiste “për të bërë shtet” nuk e fsheh tashmë synimin për të varfëruar ndjenjën reaguese të qytetarëve, ndaj kastës që e qeveris atë. Më së pari, duke i ndërlidhur ata me shumë fije detyruese me shtetin. Të dhunshme dhe aspak demokratike.

Këto janë metoda e sisteme jo qeverisëse, por sunduese. Aspak demokratike. Dhe për fatin e keq tonin, ne shqiptarët më shumë jemi sunduar se jemi qeverisur. E sotmja është dëshpëruese, gjithë ajo çfarë po ngjet, kaherë nuk ka ndodhur… Dhe njerëzit, pastaj ikin prej këtu.

Ikin. Në rrugën më të lehtë për të shpëtuar, nga pajetueshmëria në vendin e vet… Duke rënduar ardhmërinë e vendit të tyre, rënë në dorë njerëzish… pak të përgjegjshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura