Majko i këndon kandidatit të PS për Tiranën: Kam fiq te shpia, dua të bëhem si Erion Velia

May 6, 2015 | 18:14
SHPËRNDAJE

Kandidati i maxhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, takoi dje banorët e Njësisë Nr.5, i shoqëruar nga deputeti Pandeli Majko e Blerina Gjylameti. Duke kërkuar mbështetje për kandidatin e maxhorancës, Majko u kujtoi banorëve se anëtarësimi i tij në PS ishte më i rëndë se anëtarësimi i Erion Veliajt në këtë parti pas vitit 2005. 

Pandeli Majko dhe Erion Veliaj

“Ditën që i dhashë teserën, pati shumë njerëz që më thanë se bëra gabim, pasi Veliaj na kishte rrëzuar nga pushteti. Unë iu përgjigja se kur në vitin 1991 trokita në PS, vija nga lëvizja studentore. Ishte pikërisht lëvizja që kishte përmbysur regjimin komunist, por në fund të fundit thelbin e vet dhe zëdhënësen e vet kishte partinë në dyert e së cilës unë trokita”, tha Majko.

Por Majko përmes një batute i kërkoi kandidatit të maxhorancës që të jetë më i kujdesshëm në deklarimet e tij. “Me atë shitjen e fiqve… ç’e deshe?! Kam një shok në Selitë dhe më tha se atje ka nisur të këndohet një këngë me tekst ‘kam fiq te shpia, dua të bëhem si Erion Velia’”, tha Majko, deklaratë që krijoi humor në këtë takim.

Nga ana e tij, kandidati i maxhorancës, Veliaj risolli në kujtesë zgjedhjet e vitit 2011 dhe pikërisht Njësinë 5, e cila, sipas tij, duhet të shërbejë si frymëzim për zgjedhjet e 21 qershorit. “Katër vite më parë, kjo ka qenë njësia që u bë e famshme në të gjithë Republikën e Shqipërisë. Të gjithë e mbajnë mend numërimin e orëve të fundit dhe gëzimin e fitores. Gëzimin e fitores në një fushatë të paprecedentë, ku shumë persona u transferuan si votues në Tiranë për të kthyer rezultatin. Ta pranojmë, ne u poshtëruam në vitin 2011 dhe u vodhëm. Unë e kam ende shijen e keqe që më la mënyra e ndyrë se si fitorja u çua diku tjetër. Ne do të tregojmë se Aleanca për Shqipërinë Europiane rrëzohet, por di të ngrihet në këmbë”, tha Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura