Ironia e Gjekmarkajt për negociatat: Rama të shtrojë drekë me qofte, birra e mish. Festën për Teatrin një herë tjetër

Jul 1, 2018 | 17:30
SHPËRNDAJE

gjekmarkaj

AGRON GJEKMARKAJ

Në letrën e përunjur që i dërgova Kryeministrit dje, ashtu nga tahmahi e nguti për ta përgëzuar, harrova t’i bëj edhe disa sugjerime modeste! Por tani ka kohë. Ai ende po merret me detajet e festës dhe zhurma do kohë të arrijë pikun. Dje, me të drejtë, mblodhi katër ambasadorë dhe u vari në qafë nga një medalje lavdie në formë patkoi! Ata njerëz modestë ngrinin supet… s’e kuptonin pse gjithë ai nderim?! Atje ku shërbejnë, mediat vazhdojnë me lajme të rrema… që Shqipërisë nuk iu hapën negociatat e Zoti e di kur do të ndodhë.

Ata u kanë besuar atyre e ndihen disi në faj. Sapo mbërritën në Tiranë, e panë që jo vetëm ishin hapur, por edhe ata kishin meritë të madhe në këtë nafakë! Ah, se kujtesa kur është e ngarkuar me gëzim të punon qindin e harron njeriu i gjorë të thotë gjithë sa i vlon në mendje e gji. Ariu i çadrës së cirkut ishte mërzitur qamet se e paskëshim trajtuar si personazh negativ!

Lahemi me të veçse nëse i plotësojmë një të madhe dëshirë që ka shfaqur. Ariu do të bëhet drejtor i teatrit “Turbina” meqenëse u bë hazër nashi. Na ka argëtuar gjithë ato vite së bashku me mjeshtrin Tahir Bacova. Kush nuk na garanton se në punë kulture nuk do jetë më sqimatar?! Kur dje të shkrova se madhështinë e këtij suksesi mbaje krejt për vete e kisha një arsye. Ja të ta rrëfej.

E keni quajtur kudo betejë për jetë a vdekje. E fituat, ndaj s’ka arsye të ndash lavdinë me Taulantin se ai është hamës i madh në të mburrur. Pastaj, ti je tepër zemërgjerë dhe e ndan… po jo të pamunduarve. Unë, si axhami në punët e politikës së madhe, them ta ndash me Klotilda Ferhatin. Një natë në “Real story” nuk më la të flisja për 50 minuta, s’më kishte bërë vaki… Edi Rama kështu e ashtu thoshte pa ndërprerje… dhe i besonte të gjitha e… nuk i kishte sa për të larë gojën në ekran.

Në fakt, këtë ditë të diel, meqenëse është vakt dreke dhe mendja udhëton drejt aromave të ushqimit, thashë të bëj ndonjë sugjerim për ziafetin që duhet shtruar në sheshin “Skënderbej”.

Personalisht, them se qoftja duhet të dominojë peizazhin. Mund të bëhet edhe një konkurs për qoften më të gjatë, e cila i duhet dhuruar ambasadoreshës Vlahutin për mundin që ka hequr dhe ndihmën që na ka dhënë në proces. Qoftet mund të jenë me mish vici, derri, dhie etj.. Bulcinjët e qytetarëve duhet të punojnë si turbina hidrocentrali ku zukama kërrc-kërrc duhet të jetë kaq virtuoze, si himn kombëtar gati-gati.

Në tavolinat e mesit duhet të ndrijnë nga pjekja e mirë në hell cjepër, deshër dhe mzetër. Pija në këtë vapë, mbase, mirë është të jetë birrë. Një bot me birrë ku zorrën mund ta mbajë Auron Tare dhe t’u mbushë sapllakët shqiptarëve çakërrqejf. Ndonjë petull me mjaltë për fëmijët s’do të qe keq. Ato mund t’i bëjë Mimi Kodheli poshtë kalit të Skënderbeut. Sallami e proshuta alla italiana, meqenëse u integruam, duhet të jetë prezente.

Ujë kroi me patjetër se i përzhit etja. Më kane e broke të shtien Etilda Gjonaj me Olgerta Manastirliun se gëzohen ata qafirë të ahengut. Pa pak pilaf festa shndërrohet në vaki, ndaj Niko Peleshi si akçi me nam mos të përtojë e t’i mbushë kazanët! Fut edhe “Pandeli Majko i veshur me fustanellë heq vallen e triumfit”.

Bli dy përparëse të mira ose mund ti sjell unë nga Italia sëbashku me kapuçin e kokës për Arben Ahmetajn e Damianin. Ata duhet të heqin pak keq dhe të presin gjithë ditën, copë pas cope. Kujdes me ata deputetët e LSI po i ftuat, se kanë dorë. Braimllarit i bëhet syri cakërr kur sheh copa proshute. Ti merr e bëhet erë… hajde bëj derman pastaj. Opozita nuk është gëzuar shumë për këtë sukses, por do i ftosh s’ke ç’bën!

Por kujdes se të sabotojnë. Cakto Elisa Spiropalin t’i monitorojë e sidomos Salianjin, madje nëse e sheh pisk, le t’i heqë edhe ndonjë pëllëmbë tek e fundit. Në fakt, edhe pak byrek duhet! Kujt t’i themi??? Mirela Kumbaro e qan. Lëre mos e nga, asaj kërkoja si nder. Aaa… për Gramozin një gotë raki ballë kazani… mos e bezdis me birrë. Presidenti nuk të vjen po s’i dhe garanci që vetë Ylli Baka do e këndojë këngën “Baftjar Baftjar…”! Me Berishën mos harxho kot ftesë… nuk të vjen. Ai insiston që negociatat nuk janë hapur e as hapen. Lëre se të dh… festën. Lulit thuaj njëherë, se po nuk erdhi vetë, Aldon ta çon me siguri.

Muzikë patjetër. Grupet të fshihen në pyjet rreth e rreth sheshit e të dalin me rend, herë njëri, herë tjetri. Kafet dhe likuoret në fund, lërja Besnik Bares. Fjalim mos mbaj se hapja e negociatave flet vetë. Artistët mos t’i shoh aty, se më thyen zemrën. Ty të lodhën, mua më zhgënjyen, por pa çadër mos i lër… helbete, u duhet një vend për muhabet. Festën për teatrin e bëjmë një herë tjetër. Na zu të papërgatitur gjithë ky gëzim. Nëse kam harruar ndonjë gjë, të shkruaj prapë. Ejvallah e me të mira.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura