Irlanda katolike dhe vota pro martesave gay

May 27, 2015 | 12:39
SHPËRNDAJE

GJERGJ META

   Ishte ndoshta një rezultat i pritshëm ai që morën në Irlandë promovuesit e martesave gay në referendumin e para disa ditëve. Një votë plebishitare për nga rezultati e të themi edhe nga pjesëmarrja totale e votuesve, sidomos e të rinjve. Kisha Katolike në Irlandë u mjaftua me konstatimin e asaj që kishte ndodhur pa shprehur asnjë gjykim mbi çështjen. Sigurisht do të ketë qenë e vështirë për Kishën institucionale në Irlandë një përfshirje e madhe në këtë çështje, duke qenë se ajo ende është e plagosur nga megaskandali i pedofilisë që shpërtheu disa vite më parë e për të cilin u desh edhe një ndërhyrje e fortë e Papës Benedikti XVI.

Më duket se rezultati i referendumit në Irlandë konfirmoi edhe një herë, madje me forcë, dy kalime epokale, dy të themi zhvillime absolutisht risi dhe do të thosha revolucionare në kuptimin etimologjik të përmbysjes së një realiteti.
Më së pari, në një nivel të përgjithshëm, shoqëria europiane dalëngadalë po kalon nga një epokë shumë e gjatë në të cilën, duke perifrazuar një autor modern, ishte individi ai që duhet t’i përshtatej shoqërisë dhe institucioneve, në një epokë ku është shoqëria dhe institucionet ato që duhet t’i përshtaten ekzigjencave të individëve. Pothuajse në të gjitha shoqëritë europiane, e aq më shumë në ato të kontinenteve të tjera, shoqëria, klani, familja, në një farë mënyre bashkësia, është ajo që ka në dorë të drejtat e individit dhe këto të fundit lejohen të ekzistojnë vetëm atëherë kur shoqëria i lejon.

Mjafton të përmendim sistemin e kaluar totalitar në Shqipëri, ku kolektivi ishte përmbi individin në mënyrë absolute. Çuditërisht, e  ky është vëzhgim që po bëhet në shumë anë, pikërisht të majtat europiane janë ato që të parat kanë përmbysur raportin që kishin krijuar vetë në një farë mënyre. E përmbysja është pikërisht kjo se shoqëria njerëzore aktuale gjithnjë e më shumë po ravijëzohet si ajo hapësirë ku kërkesat e individit përcaktojnë edhe të drejtat e shoqërisë. Të drejtat individuale janë më të rëndësishme se ato shoqërore apo të përbashkëta. Kjo është ajo që unë e quaj përmbysje epokale, e cila do të ketë zhvillimet dhe ndikimet e veta në shoqëri e një nga këto implikime është edhe ajo e martesës dhe familjes për të cilën po flasim.

Ripërkufizimi i martesës është pikërisht pasojë direkte e këtij raporti të përmbysur ndërmjet të drejtave të individit dhe të drejtave të shoqërisë. Martesën ndërmjet personave me të njëjtën gjini dikush e ka përkufizuar si e drejta e gjithkujt për një dashuri integrale, tërësore, që nis me dashurimin me tjetrin, pavarësisht nëse ky tjetër është i të njëjtës gjini, dhe vazhdon me martesën njësoj si të gjithë të tjerët, madje me adoptimin (pasi nuk mund të ketë një lindje natyrore apo të themi një fekondim natyror) e fëmijëve e, kështu, krijimin e një familjeje. Ku qëndron këtu kalimi apo përmbysja? Deri tani, gjinia njerëzore martesë ka quajtur vetëm atë ndërmjet një mashkulli dhe një femre.

Edhe pse ushtrimi i homoseksualitetit ka ekzistuar gjithmonë e për këtë kemi dëshmi qoftë në antikitetin grek, në atë romak, por edhe në shoqëri më primordiale, si ajo biblike në episodin e Sodomës dhe Gomorrës, kurrë nuk është menduar se kjo formë ushtrimi e dimensionit seksual të njeriut të quhej martesë. Martesa dhe familja kanë njohur kalime kulturore të ndryshme nga koha në kohë e nga vendi në vend, por një konstante ka mbetur gjithmonë dhe është ajo e martesës si takimi i diferencave seksuale për krijimin e një familjeje, pavarësisht nëse poligamike apo monogamike. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me ndryshimin e radhës kulturor të kremtimit apo mënyrës se si dy persona martohen, por me identitetin e personave që martohen, pra me thelbin e martesës.

Nuk është një zhvillim që prek vetëm përmasat shoqërore të një personi njerëzor, sikurse p.sh. të drejtat e grave për të votuar, për të pasur një karrierë, apo të drejtat e njerëzve me ngjyrë etj., por këtu bëhet fjalë për esencën e të qenët njeri, që përfshin dimensionin më thelbësor të tij, jetën fizike dhe seksuale, madje identitare, atë të të qenët mashkull dhe femër. Këtu çështja nuk është më politike, as shoqërore, as e marrëdhënieve ndëracore etj., këtu çështja është antropologjike, ka të bëjë direkt me thelbin e të qenët njeri.

Pasojat dhe implikimet janë të shumta në rendin e marrëdhënieve shoqërore, ndërindividuale, juridike e kulturore. Do të ishte një listë e gjatë e gjërave që preken në këtë ndryshim raportesh, si p.sh. vetëm përkufizimi i martesës, mundësia e adoptimit të fëmijëve dhe rritja e tyre në një ambient pa diferenca identitare, të drejtat për t’u martuar jo vetëm në gjendje civile, por edhe në komunitetet fetare si një e drejtë konsitucionale, ndryshimi i konceptit të familjes, që nuk themelohet vetëm mbi martesën heteroseksuale, por edhe mbi atë homoseksuale, madje edhe transseksuale e kështu me radhë. Po shkojmë drejt të panjohurës sigurisht në këtë fushë.

Tani t’i kthehem çështjes se përse shoqëria shqiptare është e ngjashme me atë irlandeze. Personalisht e kam parë votën irlandeze si një votë proteste ndaj një regjimi autoritar, si shenjë e një çlirimi nga kompleksi i Edipit apo Elektrës, ta quajmë si të duam. Nuk mendoj se është një votë për parime, por një votë proteste ndaj një ambienti që ka ushtruar një kontroll të fortë mbi jetën e individëve. Në këtë rast bëhet fjalë për një shoqëri fortësisht të kushtëzuar nga një katolicizëm, i cili prej shumë kohësh kishte vendosur dhe privilegjuar në rend të parë aspektin normativ dhe jo atë baritore shërbëtor (krejt në kontrast me imazhin e Kishës, që po projekton Papa Françesku).

Është si puna e një djali që ikën nga shtëpia e të atit, nga dhuna dhe diktatura e tij, jo se nuk e do të atin, por rebelohet ndaj tij, sepse ai e ka shtypur gjithmonë. Shqipëria mbetet ende një vend me një ndikim të fortë patriarkal dhe ku familja, nëse nga njëra anë është e fortë, nga ana tjetër ushtron një ndikim shpesh të dhunshëm mbi fëmijët dhe të rinjtë. Herët a vonë, një lloj mënyre ushtrimi e autoritetit do të ndikojë në shpërthime të natyrës emancipuese nga ky lloj autoriteti. Nuk do të doja të isha profet i pakëndshëm për dikë, por ata që mendojnë se nënshtrimi, ndalesat apo kontrolli i fortë është rruga e edukimit, do të hasen në një afërme jo shumë të largët me një rezultat shumë të afërt me atë të Irlandës. Vetëm se Kisha Katolike në Shqipëri nuk gëzon atë vend të privilegjuar, që ka pasur për shumë shekuj në Irlandë.

Unë jam i krishterë dhe krishterimi ka një vizion antropologjik, në të cilin njeriu, personi, është krijesa më e dashur nga Hyji dhe Hyji e do ashtu sikurse është, madje dashuria e tij shkon deri në dhurimin e birit të tij për njeriun. Vizioni i njeriut dhe i diferencës seksuale në Bibël nuk është shtypës, por një rrugë se si humaniteti i njeriut, i vendosur në raport me Hyjin, zhvillohet dhe jetohet në një mënyrë harmonike dhe të bukur. Relacioni është kategoria themeluese e të qenët njeri dhe njeriu në relacion, ndërsa tutelon të drejtat e veta, kujdeset edhe për të drejtat e tjetrit. E një nga këto dimensione është edhe takimi ndërmjet një burri dhe një gruaje për një vizion dhe projekt jete të përbashkët dhe ky projekt është familja, aty ku jeta lind dhe edukohet.

Për edukimin tim familjar, tradicional dhe fetar kjo është e vetmja mënyrë se si mund të përjetohet e konceptohet ajo çka ne quajmë martesë apo familje. Por unë nuk besoj se nëpërmjet dogmatizmit dhe barrikadave normative ne mund të çojmë e përçojmë në breza ato vlera në të cilat besojmë. Duhet të gjenden rrugë nëpërmjet edukimit dhe afrimitetit me personat, rrugë në të cilat ushtrohet dashuria dhe mirëkuptimi, në mënyrë që çdonjëri të gjejë një vatër të ngrohtë që nuk e përjashton, por përkundrazi, e fton të ngrohet në të njëjtin zjarr.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura