“Irani u mundua të infiltrohej në Shqipëri përmes…”- Paskal Milo: Çdo kërcënim ndaj Shqipërisë është kërcënim ndaj NATO-s

Sep 9, 2022 | 17:39
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, tha se vendimi i Shqipërisë për dëbimin e diplomatëve iranianë është një vendim i pritshëm pas kërcënimeve dhe aktiviteteve të paligjshme të ndërmarra nga Irani kundër interesave të Shqipërisë.

paskal milo

Në një intervistë për shërbimin iranian të Radios Evropa e Lirë (Radio Farda), Milo u shpreh se strehimi i anëtarëve të opozitës iraniane, Muxhahedin-e Khalk (MEK), është arsyeja kryesore e përkeqësimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por nënvizoi se si anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria nuk është e vetme në përballjen me kërcënime të tilla.

INTERVISTA

Radio Evropa e Lirë: Para se të flasim për atë që ndodhi më 7 shtator, duam të dimë në mënyrë të përgjithshme se si i perceptonit ju marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Teheranit?

Paskal Milo: Deri më tani, marrëdhëniet nuk kanë qenë mjaft të mira, pasi dy vjet më parë ndodhi një ngjarje tjetër që solli largimin e ambasadorit dhe disa diplomatëve iranianë, bazuar në aktivitetet e tyre të jashtëligjshme kundër interesave të Shqipërisë.

Gjatë dy vjetëve të fundit, marrëdhëniet kanë qenë formalisht të ngrira, por me ngjarjen e 7 shtatorit kemi një situatë të re, dhe fatkeqësisht, ndodhi ajo që dihet. Para shumë viteve, në fillim të viteve ‘90 kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike, pati një zhvillim shumë premtues. Por, më pas pala iraniane e keqpërdori mikpritjen e Shqipërisë dhe u mundua të infiltronte agjentë në Shqipëri.

Irani u mundua të “infiltrohej në Shqipëri përmes fondacioneve, institucioneve fetare”

Radio Evropa e Lirë: Ne jemi në dijeni për shtete të tjera, sidomos shtete me popullsi myslimane, ku Irani është munduar të infiltrohej nëpërmjet institucioneve të ndryshme fetare. Si ka ndodhur kjo në Shqipëri?

Paskal Milo: Irani ka qenë një prej vendeve më të mëdha islamike që ka investuar shumë në Shqipëri. Ka ende në vendin tonë rreth 15.000 shtetas iranianë që punojnë në vende të ndryshme bazuar në investimet e tyre, në edukim, në sistemin shëndetësor dhe në shumë fusha të tjera. Pra, këtu ka ende rreth 15.000 shtetas iranianë, çka nënkupton se ata kishin shumë mundësi për t’u infiltruar në shoqërinë shqiptare dhe në institucionet shqiptare dhe për të influencuar shumë.

Në realitet, nga fundi i viteve ‘90, gjatë konfliktit në Kosovë, ata u munduan sërish të infiltroheshin nëpërmjet Shqipërisë në punët e brendshme të Kosovës, për t’i dhënë asistencë materiale dhe financiare, por Shqipëria nuk i lejoi të përdornin infrastrukturën e saj për të çuar një ndihmë të tillë në Kosovë.

Pas kësaj, gradualisht qeveritë shqiptare filluan të reflektonin dhe të shihnin atë që po ndodhte, veçanërisht në institucionet shqiptare. Dhe, shumë raste u identifikuan ku shërbimet e tyre sekrete u munduan të rekrutonin qytetarë shqiptarë për të përmbushur qëllimet e tyre, veçanërisht nëpërmjet aktiviteteve të tyre shoqërore, nëpërmjet institucioneve fetare, nëpërmjet publikimeve dhe sigurisht duke financuar shumë aktivitete të tjera brenda kornizës ligjore.

Disa herë ata janë munduar të kenë marrëdhënie të ngushta me politikanë, deputetë, duke i ftuar ata të shkojnë në Iran. Kjo ishte një mënyrë që ata të infiltroheshin nëpërmjet politikës në institucionet kryesore të Shqipërisë.

Strehimi i anëtarëve të opozitës iraniane, “vendim i vështirë”

Radio Evropa e Lirë: Duke marrë parasysh situatën e vështirë dhe të ndjeshme që shtyu Qeverinë shqiptare të reflektojë… Si arriti Shqipëria të strehonte pjesëtarë të opozitës iraniane duke i vështirësuar edhe më shumë marrëdhëniet me Teheranin?

Paskal Milo: Po, qeveritë shqiptare në vitin 2010 filluan të strehonin përfaqësues të opozitës iraniane, duke qenë të ndërgjegjshme që ky veprim do të kishte disa pasoja në marrëdhëniet me Iranin. Por, ne jemi anëtarë të NATO-s dhe kemi një partneritet të fortë me SHBA-në, me vendet e Bashkimit Evropian, çka nënkupton se ne mundohemi të jemi në të njëjtën linjë me ta, për sa i përket qëndrimit ndaj Iranit.

Pra, në këtë rast, ne patëm një diskutim mes partnerësh, veçanërisht me Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe ata i kërkuan Qeverisë shqiptare që t’i strehonte anëtarët e opozitës iraniane. Ky vendim u mor në vitin 2013, ishte një lloj solidariteti dhe në fakt ishte pak e vështirë që një vend i vogël si Shqipëria, që nuk është një vend i pasur, të strehonte kaq shumë njerëz nga Irani. Por, ishte një vendim i marrë nga Qeveria për t’i strehuar ata persona pranë Tiranës. Ka qenë një vendim i vështirë, por u mor pasi si partnerë, ne kemi qenë të detyruar të marrim një vendim të tillë.

Kjo është historia e situatës aktuale.

Mirëpo, opozita iraniane, personat që përfaqësojnë opozitën iraniane në Shqipëri janë qytetarë shumë të mirë. Ata nuk po krijojnë asnjë telash në Shqipëri, ata po punojnë, kanë punën e tyre, misionin e tyre dhe nuk po ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë.

Radio Evropa e Lirë: Por, ata gjithashtu jetojnë një jetë të izoluar, brenda kampit të tyre…

Paskal Milo: Po ata jetojnë ashtu për arsye sigurie. Siç e dini, Irani po mbështet disa lloj terroristësh, dhe veçanërisht bazuar në faktin që Shqipëria po strehon anëtarët e opozitës. Dhe, kjo është arsyeja kryesore se përse Irani po punon kaq shumë kundër sigurisë së Shqipërisë, sepse ata në të vërtetë po luftojnë opozitën iraniane që ndodhet në Shqipëri. Dhe, kjo është arsyeja kryesore.

Bazuar në këto fakte, ajo që ndodhi më 15 korrik ishte një sulm dhe provokim i rëndë ndaj Shqipërisë, pasi në atë kohë po bëheshin përgatitjet për zhvillimin e kongresit të opozitës iraniane në Shqipëri. Gjithashtu, disa ditë para 15 korrikut, në kampin e tyre në Manzë, ndodheshin dy zyrtarë të lartë amerikanë, ish-zëvendëspresidenti Mike Pence dhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Dhe, sipas informacioneve kishte plan për sulme terroriste nga pala iraniane, çka solli dhe anulimin e kongresit. Pas kësaj, ata vendosën të ndërmerrnin këtë sulm kibernetik ndaj infrastrukturës dhe sistemeve të shtetit shqiptar.

Radio Evropa e Lirë: Duke folur mbi strehimin e anëtarëve të MEK-ut, ju thatë që kjo ishte një çështje humanitare, ndërsa tashmë është kthyer në një çështje gjeopolitike. Çfarë duhet të bëjë Tirana për këtë problem gjeostrategjik, përveç ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin, çfarë tjetër mund të bëhet?

Paskal Milo: Duhen forcuar kapacitetet e infrastrukturës shqiptare ndaj terrorizmit, ndaj sulmeve kibernetike dhe së bashku, sigurisht të jemi në një marrëdhënie të ngushtë me NATO-n, me partnerët e tjerë, brenda dhe jashtë NATO-s, me Bashkimin Evropian, në mënyrë që të punojmë së bashku.

Pasi rreziku dhe kërcënimet nuk janë vetëm ndaj Shqipërisë, pasi duke qenë anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kërcënimet ndaj Shqipërisë nënkuptojnë kërcënim edhe ndaj NATO-s dhe ndaj sistemeve demokratike evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Shqipëria thotë se Irani veproi në këtë mënyrë dhe si rezultat po ndërpret marrëdhëniet diplomatike, por në anën tjetër Irani thotë se opozita dhe ata që po luftojnë kundër Republikës Islamike janë brenda Shqipërisë dhe po bëjnë të njëjtën gjë ndaj Iranit. Ndërkohë, Shqipëria po i strehon ata dhe po u jep mundësinë atyre që nga brenda Shqipërisë të kryejnë sulme të tilla, sulme kibernetike ndaj Iranit…

Paskal Milo: Fillimisht, strehimi i anëtarëve të opozitës iraniane në Shqipëri, është një çështje humanitare, pasi kemi shumë shembuj të tillë nga vende të tjera, ku anëtarë të opozitës iraniane po jetojnë aty pasi ata e kanë të pamundur të jetojnë në Iran për shkak të persekutimit.

Bazuar në arsye humanitare, Shqipëria është ndier e detyruar t’u japë strehim, dhe pa ndërhyrë aspak në çështjet e brendshme të tyre apo dhe në ato të Qeverisë iraniane. Por, jam i ndërgjegjshëm që ky ka qenë dhe vazhdon të jetë një rrezik për Shqipërinë, duke vështirësuar marrëdhënien me Iranin dhe duke u përfshirë në një konflikt që po vazhdon dhe kush e di se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen e afërt nëse Irani do të vazhdojë të ndjekë politika të tilla në rajon.

Nuk jemi në gjendje të parashikojmë se çfarë do të ndodhë në marrëdhëniet mes Iranit dhe vendeve të tjera. Shqipëria, sigurisht do të mundohet të mos i përkeqësojë më tej marrëdhëniet me Iranin, por në të njëjtën kohë do të qëndrojë krah anëtarëve të NATO-s dhe vendeve të tjera që janë kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe kundër sistemeve diktatoriale.

Aktivitetet e diplomatëve iranianë në Tiranë

Radio Evropa e Lirë: Ju thoni se Shqipëria nuk do të përfshihet dhe do t’i evitojë këto situata të vështira, por Shqipëria sapo ndërpreu marrëdhëniet me Iranin. Si mendoni, ky vendim e ndihmon përmirësimin e kësaj situate?

Paskal Milo: Qeveria shqiptare u detyrua të merrte këtë vendim pasi Ambasada iraniane në Tiranë kishte një staf prej më shumë se 60 personash, që është një numër tepër i lartë për një vend, me të cilin Shqipëria nuk kishte marrëdhënie të ngushta, apo bashkëpunim në kaq shumë fusha. Nëse flasim për njerëzit që punonin në Ambasadën iraniane në Tiranë, lind pyetja, se çfarë po bëjnë kaq shumë njerëz në Ambasadën iraniane në Tiranë?

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë ministër i Jashtëm dhe e dini më mirë se kjo nuk është arsye për t’i ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Mund, thjesht, t’i thuhej se vetëm pesë persona mund të qëndrojnë dhe pjesa tjetër duhet të largohet.

Paskal Milo: Po, por mbase unë nuk jam aq i mirë informuar se cilat kanë qenë arsyet e tjera. Unë besoj se nuk është vetëm rasti i sulmit kibernetiik ndaj infrastrukturës së Shqipërisë, pasi mendoj se ka dhe arsye të tjera. Siç e përmendët edhe ju, është edhe një çështje gjeostrategjike, pasi askush nuk ka për qëllim ta zhvendosë opozitën iraniane nga Tirana, çka nënkupton se ky do të vazhdojë të mbetet një problem në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Nga pikëpamja gjeostrategjike ne jemi pjesë e një grupi shtetesh demokratike, jemi pjesë e NATO-s dhe institucioneve të tjera demokratike dhe ne do t’iu bashkohemi atyre në përpalljen ndaj kërcënimeve të tilla që vijnë nga Irani. Unë mendoj se jo vetëm Shqipëria, por edhe vende të tjera fqinje me Shqipërinë po mbajnë qëndrime të ngjashme. Mirëpo, Shqipëria është në qendër të kërcënimeve nga Irani për shkak të strehimit të opozitës iraniane. Tashmë kemi një vendim, dhe Shqipëria nuk do t’i kthehet pas këtij vendimi. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Por, edhe një herë dua të nënvizoj se Shqipëria nuk është e vetme në këtë situatë, ka shumë partnerë dhe miq, të cilët ditët e fundit kanë treguar një solidaritet të madh duke mbështetur pozicionimin e Shqipërisë në përballjen ndaj kërcënimeve të tilla.

Dua të them që kërcënimet ndaj Shqipërisë janë kërcënime ndaj NATO-s dhe kjo është arsyeja se pse Shqipëria si anëtare e NATO-s është e sigurt në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial. Si anëtare e NATO-s, Shqipëria është e sigurt që nuk do të jetë e vetme karshi çfarëdo kërcënimi të mundshëm./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura