Inxhinieri i anijeve transoqeanike që u mbyt në lumin Buna/ Saga e familjes që u diplomuan në akademitë e Evropës dhe u pushkatuan e u burgosën nga komunistët

Mar 1, 2020 | 9:19
SHPËRNDAJE

Publikohet për herë të parë historia e panjohur e familjes së madhe Borshi me origjinë të hershme nga fshati i Himarës prej nga trashëgojnë dhe mbiemrin, të cilët kanë jetuar prej vitesh në qytetin e Shkodrës, e që u shkolluan dhe u diplomuan në akademitë dhe universitetet më të njohura të Europës. Si: Qazim Borshi, i diplomuar për Inxhinieri Navale të anijeve transoqeanike në kryeqëndrën e Perandorisë Osmane në Stamboll, i cili u mbyt në lumin Buna me anijen e tij, duke mos pranuar të dilte në breg (edhe pse nxorri të gjithë ekuipazhin e pasagjerët), ku e priste familja dhe i jati.

FAMILJA_QUKU_3-750x375

Shyqyri Borshi, i diplomuar në Itali dhe i dekoruar me “Medaljen e Luftës” për pjesmarrjen e tij në ushtrinë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore, i cili kur ishte në Verona, ngriti dhe drejtoi një orkestër simfonike, e kur u kthye në Shqipëri në vitin 1924, shërbeu si këshilltar ushtarak në qeverinë e Fan Nolit.  Gjatë viteve të Monarkisë së Zogut, ai u aktivizua me shoqëritë kulturore e artistike në qytetin e Shkodrës, duke interpretuar në disa pjesë teatrale si aktor dhe regjizor, ndërsa në periudhën e pushtimit fashist të vëndit, shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, gjë për të cilën u dënua me vdekje nga komunistët në gjyqin e “Grupit të Deputetëve” dhe u pushkatua në vitin 1947.  E gjithë historia e panjohur dhe tragjike e pinjollëve të familjes së madhe, nga periudha e Perandorisë Osmane e deri në ditët e sotme.

Borshiotët janë një fis i shquar të cilat kanë banur në qytetin e Shkodrës dhe janë njohur me këtë mbiemër, për shkak të origjinës së tyre të herëshme nga Borshi i Himarës. Nga kjo familje kanë dalë juristë, ushtarakë, mësues, artistë, inxhinjerë dhe njerëz të tjerë intelektualë të ditur, të cilët pasi u diplomuan në akademitë dhe universitetet më të njohura të Europës, u persekutuan në mënyrën më barbare nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Borshiotët e famshëm

I pari i tyre njihet Sulejman Gapi, ka lindur dhe është rritur në Borsh dhe për shkaqe që nuk dihen, ai pasi mori arsimin ushtarak, shërbeu në ushtrinë e Perandorisë turke, si oficer kalorësije, me gradën e majorit dhe qëndrën e shërbimit e kishte në Kalanë e Podgoricës. Edhe sot në tokat e familjes Gapi në Borsh, ndodhet Çesmja e Gapit. Kjo familje nga Borshi kishte toka dhe plantacione të mëdha me portokalle, kishin shtëpi në Borshin e vjetër, e cila më pas u dogj. Sulejmani vinte shpesh në Borsh dhe atje ai u martua me një vajzë nga një fshat fqinj.

Sulejmani u vra në vitin 1858, nga forcat serbo-malazeze në Luftën e Podgoricës. Për trimëritë e tij, rapsodët malësorë kanë thurur këngë, të cilët këndohen me lahutë. Sulejmani la një djalë, Nuri Borshin, në moshën 7 vjeçare. Mbiemrin Borshi ai e mori mbas vdekjes, për shkak të pasardhësve, shumë prej të cilëve u bënë personalitete me emër të madh. Një ndër pasardhësit e tjerë që ka nxjerrë kjo familje, ka qenë edhe Nuri Borshi, i cili pasi u diplomua në shkollën e lartë të Drejtësisë në Stamboll, u emërua në qytetin e Podgoricës.

FAMILJA_QUKU_3-750x375

Më pas, për 40 vjet, ai shërbeu si avokat në qytetin e Shkodrës. Nuriu, nga martesa e parë pati nji djalë, të quajtur Qazim Borshi. Pas vdekjes së gruas së pare, ai u martua me Hafize Hejbeli, vajzën e drejtorit të gjimnazit të Bahçallekut, një grua e vejë tiranase, edhe ajo me një fëmijë, Aliun, që u rrit në familjen Borshi. Vëllai i Hafizes, kishte punishte pasqyrash në Stamboll. Hafizja ishte prej familjes Hejbeli, e cila ishte martuar herën e parë me Xhaferr Çabinakun nga Libohova. Edhe sot borshiotët trashëgojnë pronat e gjyshes së tyre në Libohovë. Hafizja kishte katër vëllezër: Hulusiun (hoxhë), Hamitin, Osmanin, Ramizin dhe një motër Salihen. Kjo e fundit ka qenë e martuar me një kapiten turk, dhe pati nji vajzë, Eminenë, e cila vdiq shumë e re, ndersa i shoqi u vra në luftë në Anadoll. Hulusiu jetoi në Tiranë, ndërsa Hamiti, Osmani dhe Ramizi, shkuan në Stamboll.

Hafizja kishte nji djalë, Ali Çobani. Ky fëmijë u adaptua nga Nuri Borshi dhe duke qenë se ishte prej Borshit, ai u quajt Ali Borshi. Nuriu me Hafizen patën edhe katër fëmijë: Shyqyriu, Kadriu, Paqizja e Sezaiu. Nuriu ishte i hollë, i gjatë dhe mbahet mënd si një njeri shumë bamirës. Ai u mundua që të hapte një shkollë nate për të rriturit, rreth vitit 1910-‘12, por ajo u sabotua nga elementë fanatikë. Ai kishte shumë miqësi me Preng Bibë Dodën e Mirditës dhe ishte avokat i tyre. Ai kishte një shtëpi në Parrucë, (shtëpia e Çakiçëve) ndërsa më përpara kishte banuar në Perash, tek Arra e Madhe, aty ku lindi Sezai Borshi.  Ja si e përshkruan gazeta e kohës “Besa Shqiptare” (13 korrik 1913, nr. 33, faqe 3-4): “Nuri Effendi avokati, gjindet në shtëpi t’Cukut Frano Krajës, n’Fushë t’Çelës te Ura e Sarajit. Merr gjyqe, shkruen gjithfarë lutjesh e letra shqip e n’giuh tjera”.

20200301_001153-750x375

Kurse në numrin e datës 25 maj 1913, po në atë gazetë, midis të tjerash shkruhet: “Gjindet e ngrehun një shoqni avoketesh e shkruesish qi ka per kryeparë Avokat Nuri Effendi Borshin n’zyre t’Shtypshkrojës “Nikaj” n’Giuhadol”. Ndërsa në numrin 7, atë të datës 29 maj 1913, midis të tjerash shkruhet: “Avokat Nuri Effendi asht i njoftun tash pesmbedhjet vjet qi ban avokatin, e ka dit me fitue besen e gjithkuej për drejtesi e për zgjidhje punësh”. Në vitin 1921, ai kandidoi për deputet ne Parlamentin e parë shqiptar. Në vitet që pasuan, Nuri Borshi u kujdes për nipat e mbesat të mbetura jetime mbas vdekjes së Ali Borshit (1923) dhe nënë Lutfijes (1924). Sipas kujtimeve të shkrimtarit dhe klerikut të famshëm, Ndoc Nikaj, aty ku flitet per konçesionet e pyjeve të Mirditës, me shoqninë “Vismora” dhe lejen që duhej nxjerrë në Stambollë, shkruhet: “Shoqnija, mue për at sherbim më caktoj ka nji gjysë frangut për metro lande, që të pritej n’ato pyje për shperblim. Me që unë nuk dijshem gjuhen turke, mora me vedi për shoq, Avokat Nuri Borshin, burrë të ndershëm e me të gjitha cillsinat e lypuna për atë qellim”.

Qazim Borshi, inxhinjer i anijeve

FAMILJA_QUKU_6-750x375

Një pinjoll tjetër i familjes Borshi, ka qenë edhe Qazim Borshi, i cili ishte diplomuar si Inxhinjer Naval i anijeve transoqeanike, ndoshta i vetmi në gjithë perandorinë Turke. Pasi kishte shëtitur të gjithë botën me anije, në vitin 1912, ai u kthye në Shqipëri. Qazimi ishte 20 vjeç më i madh e Sezaija. Familjarët kujtojnë se si Qazimi solli njëherë një kartolinë nga Hindija e largët. Sipas një dokumenti turk “sapo erdhi në Shkodër, Qazim Borshi u arrestua nga autoritetet turke”. Më pas me rënien e administratës turke, Qazim Borshi u lirua dhe punoi në anijen “Buena” që shërbente në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin e Bunës. Më pas ai hyri në Marinën Tregtare, duke punuar në shoqninë “Curani”, që lundoronte në bregun e Adriatikut e Bunës.

Qazimi vdiq në mënyrë tragjike në vitin 1917-të duke u mbytur në lumin e Bunës, në vëndin e quajtur Sukat, kur ishte duke ardhur nga Shëngjini me anijen që e drejtonte si kapiten. Në atë kohë në qytetin e Shkodrës ndodheshin trupat austro-hungareze dhe Qazimi veproi sipas betimit që kishte bërë, duke respektuar kodin e detarit, megjithëse kishte të gjitha mundësitë të dilte në breg. Edhe sot e kësaj dite shumë nga të vjetërit në qytetin e Shkodrës, e kujtojnë këtë ngjarje, të cilën e kanë dëgjuar nga të parët e tyre. Anija “Buena” që drejtohej nga kapiten, Qazim Borshit, vonoi shumë për t’u mbytur, aq sa arriti edhe i jati, avokat Nuri Borshi, i cili erdhi me kaloshin nga qyteti i Shkodrës.

Qazimi i nxori të gjithë pasagjerët nga anija në breg dhe më pas kishte mundësi të dilte edhe vetë, por nderi dhe ligjet e detit e kërkonin që edhe ai të kishte të njëjtin “fat” me anijen që po mbytej. Të vjetërit e kujtojnë se si i lutej Qazimit, i jati nga bregu, si edhe banorët e shumtë që ishin mbledhur të shihnin atë fatkeqësi, dhe se si, ai i vendosur nuk pranoi të dilte, por humbi mes valëve të egëra të lumit Buna, bashkë me anijen. Deri vonë anija kishte mbetur aty, si një monument i një akti burrërie i kapitenit Qazim Borshi, i cili ka mbetur gjatë në kujtesën historike të Shkodrës. Ndër gazetat e kohës që shkruan për këtë ngjarje të pazakontë, ishte dhe “Posta e Shqypnies”, (nr.102, faqe 5, me 28 nanduer 1917, Shkoder) që mes të tjerash thoshte: “Nji rrezik i shemtuem: Me 26 nanduer u mbyt avullorja “Buena” qe bante sherbim në Liqe e në Bune. U mbyt Qazim Efendi Borshi, i biri i Nuri Efendi Borshit, i cili në Marinë të Turkis ka qenë Mylazim sani (oblt) e i vetmi, te thuesh makinist avulloresh shqyptar, mbytet”.)

Shyqyri Borshi oficer i Italisë

Një ndër pinjollët e tjerë të dëgjuar të fisit Borshi, ka qenë edhe Shyqëri Borshi, i cili lindi në vitin 1895-së në Shkodër dhe u shkollua në një lice në Stamboll. Mbasi mbaroi kolegjin në Stamboll, në vitin 1913, ai erdhi në Itali, pas një marrëveshje që kishte bërë qeveria italiane me qeverinë e sapoformuar të Ismail Qemalit. Në këtë kuadër, Shyqyriu ndoqi shkollën në Itali dhe më pas hyri në një shkollë ushtarake po në Itali, duke u diplomuar si oficer. Në Luftën e Parë Botërore, atë e mobilizuan në ushtri dhe deri në vitin 1918-të, ai shërbeu si oficer në ushtrinë italiane, ku u dekorua me Medaljen e Luftës. Gjatë viteve që ishte në Itali, Qazimi themeloi një orkestër simfonike në Verona. Në vitin 1924, Qazimi shërbeu si këshilltar ushtarak në qeverinë e Nolit.

Më pas, në vitet që pasuan, Qazimi drejtoi revistën “Agimi” dhe u aktivizua edhe si aktor e regjizor në qytetin e Shkodrës. Në shkrimet për jetën e aktivitetin arstistik të aktorit Ndoc Hilë Temali (1894-1937), midis të tjerash thuhet: “Në të vërtetë ai (Ndoci) nuk u shkëput asnjëherë prej “Vllaznisë” (1919) së vjetër, gjatë kohëve të para të jetës së saj. Mori pjesë në shumë shfaqje të njisive ma të vogla, qe shkruenin asohere firma të njoftuna si Dr. Kristo Floqi, Kolë Gurakuqi, Shyqyri Borshi e ndonji tjetër, e ma vonë edhe ndonji punim simbas Goldonit, si qe ai i “Kopracit”, prej Kolë Gurakuqit e Shyqyri Borshit, ku u shque edhe si gastor i hollë, shumë i shkathët e i fuqishëm. (Në librin e Lec Shllakut, “Maska Shkodrane”, Shkoder, 2002, faqe 237). Në faqen e pasme të kopertinës, të ktij libri, përmendet Shyqyri Borshi, si aktor-rregjizor. Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, Shyqyri Borshi, shërbeu si Drejtori i Policisë Shqiptare dhe për këtë ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua në vitin 1947, me “Grupin e Deputëtëve” nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Djemtë e Qazim Borshit

Qazimi la dy djem, Qazim Borshin (II) dhe Luan Borshin, të cilët megjithëse të luftuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, u arsimuan dhe u formuan si njerëz me karakter të fortë dhe shumë dinjitozë. Qazimi u martua me Fejza Draçinin (Borshi), motrën e shkrimtarit dhe disidentit Qemal Draçini dhe nga ajo martesë, lindën tre djem: Spartaku, Arbeni dhe Floriani. Spartaku, i cili është njohur si artist dhe sportist i talentuar, vdiq aksisdentalisht në moshë të re. Arbeni dha një kontribut të madh në proçeset demokratike në fillim te viteve ’90-të, dhe njihet si një nga nismëtarët e Lëvizjes Sindikaliste në Shqipëri, mbas rënjes së dikataturës. Ndërsa Floriani, ish-basketbollist i shquar i ekipit “Vllaznia” e Shkodrës, më pas u bë një biznesmen i sukseshmen në Shqipëri. Djali më i vogël i Shyqyri Borshit, Luani, gjithashtu u martua me një vajzë nga familjet e njohura të Shqipërisë, dhe ai ka dy djem dhe një vajzë, gjithashtu të talentuar, Sokolin, Astritin dhe Laureshën. Para dy dekadash, ata patën ngritur një televizion lokal në Itali, të quajtur “Borshi TV” me qëndër në Pomezia (Roma) i cili u bë mjaft i suksesshëm. Sot kjo degë e borshiotëve, jeton e punon me sukses në rrethinat e Romës.

Kadri Borshi, i diplomuar në Itali

Një tjetër djalë i Nuri Borshit ishte edhe agronomi Kadri Borshi, i cili pasi kreu studimet në Kolegjin e Shën Mitër Corona, ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Agronomi në Itali. Kur u kthye në Shqipëri në vitin 1921, ai u emërua si pedagog në shkollën e parë Bujqësore të Shqipërisë të hapur nga amerikanët pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore. Më pas ai punoi në disa gazeta dhe revista bujqësore, dhe njihet për artikujt e shumtë që botoi për buqësinë, vreshtat, e në përgjithësi për mbarështrimin e blegtorisë. Kadriu u martua me Nemika Neviri, bijë e familjes së shquar Neviri. Në prill të vitit 1943, ai shkoi dhe u mor me instalimin e shqiptarëve të dëbuar nga Shkupi e Manastiri, në tokat bujqësore të Korçës, Dibrës e Prishtinës. Kadriu cili u burgos shumë vjet nga regjimi komunist, mbahet mënd si një specialist i mirë i verërave. Ai la djalin, Nihat dhe vajzën Kokona, të cilët deri në vitin 1990-të, patën në kurriz luftën e egër të klasave. Xhaxhai tjetër i tij, ishte Sezai Borshi, i cili ishte diplomuar në akademitë ushtarake në Itali. Në rininë e tij, ai  ishte sekretar i Shoqnisë “Studentë Shkodra”(1924) dhe më pas shërbeu si oficer i Monarkisë në Zerqan. Në periudhën e dytë të jetës së tij, ai ishte mësues dhe pati dy djem: Nuri Borshin (II), mësues matematike që vdiq i ri, aksidentalisht, dhe Bujarin inxhinjer i talentuar.

Ali Borshi, Drejtor i Teatrit, me Hil Mosin

Një tjetër pinjoll i familjes së famëshme Borshi, ishte Aliu, i cili mbaroi shkollën e mesme të ulët (Ruzhdijen) në Shkodër dhe më pas  vazhdoi studimet e larta në Stamboll, tek dajat, Hamiti, Osmani, etj. Në Stamboll ai qëndroi për shumë vite dhe turqishten e fliste shumë mirë. U kthye në Shkodër, ku u mor me ndreqje sahatesh. Për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak, Aliu u martua (tek shtëpia tek Arra e Madhe), me Lutfije Bushatin. Ai merrte pjesë në Shoqninë “Vllaznija”, që ishte shoqni kryesisht kulturale. Ishte administrator në atë shoqëri dhe drejtor i Teatrit. Më pas ai mori pjesë si aktor në pjesët teatrale patriotike “Shqipnia”, “Piro Naptalemi”, “Shko e lajmo Adrias Valber se Valona asht e shqiptarëve”, etj. Sipas shtypit të kohës, Aliu ishte ndër të parët dhe ndër kryesorët që ndihmuan në botimin e dramës “E trathuemja”, e Vinçens Prendushit. Në vitin 1919, Aliu shërbeu si llogaritar i Shoqërisë “Vllaznija” në qytetin e Shkodrës. Në vitin 1920, Ali Borshi zgjidhet në kryeparinë e re të shoqërisë “Vllaznija”, me kryetar Hilë Mosi dhe sekretar Karl Gurakuqi, ku shërbeu si arkëtar. Aliu vdiq në vitin 1923 në Vjenë, gjatë një operacioni të rëndë ku i kishin dhënë pak shpresë për të jetuar. Gazeta “Ora e maleve” (me 1 shtator 1923), shkruan  për vdekjen e Ali Borshit: “Në kohë ma të mirë e të djelmis, deka mizore i këputi fijen e jetës në Vjenë, Ali Borshit, ku tesh pak kohë kishte vojtë për m’u shndoshë. Kje nji nder shoket vepruesa ma të zellshëm të Shoqnis “Vllaznija”, i dashtun, fjalë ambël, e i prueshëm për gjithkend”.

Naxhije Borshi, bashkëshortja e Prefektit, Qamil Quku

Motra e vëllezërve Borshi, ishte dhe Naxhija, e cila u rrit jetime tek shtëpia e gjyshit, Nuri efendisë, i cili e dergoi për t’u shkolluar tek Murgeshat Stigmatine. Më pas ajo vazhdoi shkollën “Nana Mbretneshë”, në Tiranë dhe në vitin 1936, u martua me Qamil Qukun, i cili ishte diplomuar si ushtarak dhe gjatë viteve të Monarkisë, shërbeu si kryetar komunash, bashkishë dhe Prefekt në Vlorë e Gjirokastër. Ata lindën dhe rritën tre fëmijë: Lirijen, Liljanën dhe djalin, Mentor Quku. Naxhija e ndoqi bashkëshortin e saj, Qamil Qukun, nëpër komuna e qytete dhe përjetoi kushtet e vështira të bartjeve të herëpasherëshme, të përndjekjeve, të shkatërrimit të plaçkave gjatë luftërave. Ajo punoi me kurajo për të mbajtur tre fëmijët dhe në vatrën e saj u pritën si jo më mirë i gjithë fisi i Qukejve. Mbas një jete plot sakrifica, ajo ndërroi jetë në qershor të vitit 2001, në moshën 83 vjeçare, e rrethuar nga fëmijët, nipër e mbesa, nga rrethi i gjërë i farefisit dhe gjithë ata që e njohën. Të tre fëmijët e Naxhije Borshit (Quku) shërbyen një jetë të tërë si arsimtarë. Dy vajzat: Lirija dhe Liljana, që punuan si mësuese, ishin metodiste të talentuara. Ndërsa djali i vetëm, Mentor Quku, i cili për gjysëm shekulli shërbeu si mësues, njihet edhe si publicist e studjues i Historisë së Shqipërisë dhe autor i disa librave e sidomos një biograf i famshëm i Ndre Mjedës, duke botuar një seri veprash voluminoze që i kushtohen jetës dhe veprës së poetit, politikanit dhe klerikut të njohur. Mentori është martuar me Ixhlal Çaushollin, nga fisi i shquar i Çaushollejve, të cilat që para Bushatllijve njihen si sundues të Shkodrës.

Hajri Borshi, i diplomuar në Akademinë e Modenas

Djali tjetër i Ali Borshit, ishte Hajri Borshi, i cili u lind në vitin 1913 në qytetin e Shkodrës. Ai u diplomua në degën e Këmbsorisë pranë Akademisë Ushtarake të Modena-s në Itali dhe më pas ai kreu dhe aplikacionin në Itali në vitet 1933-1935-së. Pas kësaj ai u kthye në Shqipëri dhe shërbeu në Ushtrinë Mbretorore të Monarkisë së Zogut dhe në forcat e Xhandarmërisë. Hajriu u vra me atentat nga komunistët në qytetin e Beratit në vitin 1943. Ai zotëronte gjuhët italisht dhe frëngjisht. Hajriu la dy vajza, Mirjamin dhe Lutfijen. Ali Borshi la edhe dy vajza të tjera, Fahrijen dhe Sadijen. Fahrija u martua me Mahmut Totën nga Borshi dhe pati dhjetë fëmijë, që sot jetojnë në Itali SHBA, etj., ndërsa tjetra, Sadija, u martua me djalin e major Muharrem Starovës, Skënderin, nga dera e njohur e fisit të Starova të Pogradecit. Të gjithë nipërit e mbesat e familjes së madhe të Borshjotëve të Shkodrës, të gjithë të rinj, shumica dërmuese me shkolla të larta dhe studentë të shquar në fusha të ndryshme të dijes, jetojnë e punojnë në Shqipëri, por edhe jasht vendit në shtete të ndryshme ku i detyroi koha dhe rrjedhat e jetës.

Dashnor Kaloçi /Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura