Investimi, “Gjikuria” përfiton 9 mijë m2 tokë për 1 euro! Si u mor statusi i investitorit strategjik për projektin në Jug “White Roads Hotel”

Aug 18, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

Këshilli i Ministrave ka vendosur të heqë dorë nga 9 mijë metra katrorë tokë në brigjet e fshatit Dhërmi dhe Gjilekë për t’ia dhënë në përdorim ndërtimit të një tjetër resorti në Jug.

Investimi, “Gjikuria” përfiton

Kompania “Gjikuria” ka arritur të marrë disa muaj më parë statusin e Investitorit strategjik për projektin “White Roads Hotel”. Përgjatë 12 mijë metrave do të ndërtohen 150 njësi banimi, duke përfshirë një hotel, bare dhe restorante. Në total vlera e investimit të projektit është 10 milionë euro. Investitori ka në pronësi të tij 3000 m2 , ndërsa shteti do t’i japë në përdorim me qira afatgjatë 9 mijë metra kundrejt tarifës simbolike 1 euro.

Qeveria nuk ka miratuar të plotë kërkesën e investitorit për të shfrytëzuar për 30 vjet plazhin përballë kompleksit. Vetë Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar me kusht këtë pikë, pasi duhet që koordinatat e zonës të përcaktohen qartë nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura pasi ndodhen në kufi të Monumentit Natyror “Delta e Përroit të Palasës”. Kompania “Gjikuria” përfitoi në shkurt të vitit të kaluar lejen dhe statusin strategjik për një tjetër projekt përgjatë zonës Perivolo në Dhërmi për ndërtimin e 3 hoteleve, vilave dhe rinovimin e 40 shtëpive.

Në total janë 30 projekte në fushën e turizmit që kanë marrë statusin e investitorit strategjik, shumica e të cilave kanë si vendndodhje brigjet e detit Jon. Këshilli i Ministrave zbaton çmime shumëfish më të ulëta se ato tregut për të shitur te privatët tokën shtetërore në bregdet apo në zonat më të shtrenjta të Tiranës, një praktikë që sipas ekspertëve është tregues i kapjes së shtetit nga oligarkët. Vlera e përdorur nga qeveria për privatizimin e pronave publike është bazuar mbi një hartë të vjetër të vitit 2014 për çmimet referencë të tokës, që nuk pasqyron çmimet e tregut të lirë dhe krijon dëm financiar për të ardhurat publike. Harta u kritikua se ishte larg çmimeve reale të tregut që në momentin kur u miratua nga qeveria.

Agjentët e tregut imobilar janë shprehur se çmimet janë në progresion rritjeje çdo vit dhe ato që përdor qeveria për shitje apo kompensim janë krejt të pabazuara në realitetin e çmimeve të tregut. Rasti i shitjes së tokës shtetërore në jug të vendit me çmim shumëfish më të ulët se tregu nuk është i vetmi, por një praktikë që qeveria e Kryeministrit Edi Rama e ka ndjekur edhe me biznesmenë të tjerë, duke u dhënë atyre prona në zonat më të lakmuara të Tiranës apo në bregdet. Në nëntor të 2021, Këshilli i Ministrave i shiti shoqërisë “Building Construction”, 2137 metra katrorë tokë pranë ish-Gardës së Republikës në Tiranë me çmim 66.9 mijë lekë për metër katror, në funksion të një ndërtimi privat që kompania po bënte në këtë zonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura