Investimi, 55 milionë euro për rehabilitimin urban të Jugut

Feb 11, 2016 | 11:55
SHPËRNDAJE

Ministria e Zhvillimit Urban dhe Banka Botërore kanë nisur punën për “Rehabilitimin Urban të Jugut të Shqipërisë”. Projekti me vlerë investimi 55 milionë euro do të shtrihet në 5 vitet e ardhshme në qarqet Berat, Fier, Gjirokastër e Vlorë.

Synimi është që nëpërmjet programeve të infrastrukturës urbane dhe projekteve të rigjenerimit urban, të stimulohet zhvillimi ekonomik dhe turistik për rajonin e Jugut. Sipas zëvendësministrit të Zhvillimit Urban, Gjon Radovani, zbatimi i projekteve do të ketë në fokus zhvillimin ekonomik në zona të caktuara.

bregdeti_shqip_762964332

Më tej ai paralajmëroi bashkitë që do të përballen me penalitete, nëse nuk u përmbahen kushteve të paracaktuara në kontratë.

“Filozofia e investimeve do të jetë identifikimi i zonave fokusale, ku ekonomia do të mund të zhvillohet më shpejt nëse investohet në mënyrë integrale. Çdo bashki që nuk i qëndron kontratës për zbatimin e projekteve, si në afate, ashtu edhe në cilësinë e zbatimit, do të ndëshkohet”, tha Radovani në takimin e përbashkët të zhvilluar dje me përfaqësues të Bankës Botërore dhe bashkive që do të kenë mundësi të përfitojnë nga fondi.

Rehabilitimi Urban i Jugut të vendit synon po ashtu të ruajë peizazhin urban dhe kulturor, të përmirësojë kushtet e jetesës për banorët e këtyre zonave, si dhe të ndihmojë në gjenerimin e mundësive të reja për punësim.

Projektet që do të depozitohen nga bashkitë do të kalojnë në sitë. Përfaqësuesit e Bankës bënë të qartë se do të financojnë programe të cilat kanë impakt te komuniteti. Sakaq, puna për zbatimin do të nisë pasi të jetë mbyllur kjo fazë, përkatësisht në muajin qershor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura