Investimet strategjike, Gjykata Kushtetuese “hedh poshtë” kërkesën e PD-së për Komision Hetimor

Nov 25, 2022 | 18:49
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar që të shqyrtojë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr.55/ 2015, për Investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.

gjykata-kushtetese-655x356

Kërkesa e PD-së për ngritjen e Komisionit hetimor u bë me arsyetimin se ligji i investimeve strategjike është shndërruar në një ligj klientelist që ka favorizuar vetëm pak investitor vendas pranë qeverisë. Për të ilustruar abuzimin me këtë ligj demokratët kanë sjell shembullin e përfitimit të statusit të investitorit strategjik të bashkëshortit të ministres së Jashtme Olta Xhaçka.

Për më shumë se 3 herë, 35 deputetë të Grupit Parlamentar të PD i kërkuan Kuvendit të kontrollonte mënyrën sesi Qeveria ka zbatuar ligjin për investimet strategjike, por mazhoranca socialiste në Kuvend, vendosi mosmiratimin e ngritjes së një Komisioni Hetimor për këtë çështje.

Kujtojmë se pas rrëzimit në Kuvend, deputetët demokratë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 53/2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”.

Me anë të kërkesës, Gjykatës Kushtetuese i kërkohej që të shprehej se deri në çfarë mase ka të drejtë shumica parlamentare të vlerësojë nivelin e respektimit të parimeve kushtetuese në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit nga jo më pak se 1/4 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe nëse ka të drejtë shumica parlamentare që pa ofruar asnjë propozim a formulim alternativ, të rrëzojë një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, për shkak se pretendon mosrespektimin e parimeve kushtetuese?

Njoftimi i plotë:

Vendim nr. 141 datë 28.10.2022

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Sandër Beci, Ilir Toska, Elsa Toska, anëtarë, në datën 28.10.2022 mori në shqyrtim paraprak kërkesën nr. 3 (Nj) 2022 të Regjistrit Themeltar, që i përket:

KËRKUES:               JO MË PAK SE NJË E PESTA E DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË

OBJEKTI:                 Interpretimi përfundimtar i nenit 77, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 53/2022, datë 23.06.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë””””.

BAZA LIGJORE:     Nenet 7, 77, 78, 124, 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë; ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” (ligji nr. 8891/2002); nenet 2, 27, 49 dhe 50 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese (Mbledhja e Gjyqtarëve), pasi dëgjoi relatoren e çështjes Elsa Toska, shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi,

V Ë R E N:

I

Rrethanat e çështjes

  1. Në përputhje me nenin 77, pika 2, të Kushtetutës, nenin 6 të ligjit nr. 8891/2002, si dhe nenin 25 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, një grup prej 35 deputetësh ka depozituar në Kuvend kërkesën nr. 2185 prot., datë 13.06.2022 për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015, datë 28.05.2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 55/2015).
  2. Në kërkesën drejtuar Kryetares së Kuvendit, grupi nismëtar ka përcaktuar si objekt të veprimtarisë së komisionit hetimor: a) shqyrtimin e të gjitha praktikave të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike dhe institucionet e tjera relevante për dhënien e statusit të investitorit strategjik; b) vlerësimin e nevojës për miratimin, plotësimin ose korrigjimin e ligjeve relevante për investimet strategjike.
  3. Me urdhrin nr. 54, datë 16.06.2022, Kryetarja e Kuvendit ka urdhëruar thirrjen në datën 20.06.2022 të Konferencës së Kryetarëve, për shqyrtimin, ndër të tjera, edhe të kërkesës së deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor.
  4. Pas shqyrtimit të kërkesës në mbledhjen e datës 20.06.2022, Konferenca e Kryetarëve ka vendosur shqyrtimin e saj në seancën plenare të datës 23.06.2022 dhe me urdhrin nr. 56, datë 21.06.2022 të Kryetares së Kuvendit është urdhëruar mbledhja e Kuvendit në seancë plenare në datën 23.06.2022, ora 10:00, duke përfshirë në rendin e ditës edhe projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015.
  5. Me vendimin nr. 53/2022, datë 23.06.2022, Kuvendi ka vendosur mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë””” (vendimi nr. 53/2022). Bazuar në procesverbalin e seancës plenare, ngritja e komisionit hetimor nuk është miratuar për arsye se kërkesa cenonte: (i) parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi akuzat e pabazuara për abuzime, favorizim, klientelizëm dhe arbitraritet cenojnë reputacionin e subjekteve investuese dhe klimën e investimeve në vend; (ii) parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve; (iii) interesat ekonomike të Republikës së Shqipërisë.
  6. Jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit, përfaqësues të pakicës parlamentare, (kërkuesi), në datën 25.07.2022 i është drejtuar me kërkesë Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), duke kërkuar interpretimin përfundimtar të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 53/2022 të Kuvendit për mosmiratimin e projektvendimit për ngritjen e komisionit hetimor.

II

Pretendimet e kërkuesit

  1. Kërkuesi ka pretenduar se është cenuar e drejta e pakicës parlamentare për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor, për arsyet e parashtruara në vijim:

Për legjitimimin:

  • E drejta e një të katërtës së deputetëve të Kuvendit për ngritjen e komisioneve hetimore dhe për interpretimin e Kushtetutës është e pakufizuar nga vullneti i shumicës parlamentare. Përdorimi i shprehjes “është i detyruar” në nenin 77, pika 2, të Kushtetutës institucionalizon autoritetin kushtetues që njihet si pushtet i pakicës parlamentare dhe i heq të drejtën Kuvendit për të vlerësuar vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor. Përmes shprehjes “është i detyruar”, Kushtetuta ka evituar kalimin e çështjes në procedurat e zakonshme të votimit, duke vendosur një balancë mes së drejtës së shumicës për të vendosur dhe së drejtës së pakicës së cilësuar për të kërkuar ngritjen e komisionit hetimor.

            Për themelin e kërkesës:

  • Kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor me pretendimin e cenimit të parimeve kushtetuese. Në kërkesën drejtuar Kuvendit dhe në projektvendimin bashkëlidhur saj është përcaktuar qartë se veprimtaria e komisionit hetimor do të ushtrohej brenda funksioneve parlamentare e në përputhje me parimet kushtetuese.
  • Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor nuk cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, pasi objekti i hetimit nuk ka për qëllim dhe ndalon shprehimisht dublimin/mbivendosjen ose shmangien e një institucioni të pavarur kushtetues, siç është prokuroria, në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore të tij. Procedura e hetimit parlamentar i shërben qëllimeve të ndryshme nga ato të hetimit penal. Procesi penal ka për qëllim të provojë nëse kryerja e veprës penale ka ardhur si pasojë e veprimit të një personi të caktuar dhe ekzistencën e lidhjes shkakësore mes tyre. Hetimi parlamentar ka për qëllim realizimin efektiv të funksionit kontrollues të Kuvendit dhe fokusohet në drejtim të evidentimit dhe shpjegimit/sqarimit të një sjelljeje të mbështetur në motive politike. Objekt i hetimit në rastin konkret është zbatimi i ligjit nr. 55/2015 dhe praktikat e ndjekura deri tani nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS) dhe institucionet e tjera, çka do t’i shërbejë legjislatorit për të vlerësuar mundësinë e ndërhyrjes përmes miratimit, plotësimit ose korrigjimit të legjislacionit për investimet strategjike.
  • Kërkesa për ngritjen e komisionit hetimor nuk cenon parimin e prezumimit të pafajësisë, pasi në kërkesë ka shprehje të qarta dhe të dallueshme që nuk përcaktojnë përgjegjësi penale, të tilla si “ekzistojnë dyshime të arsyeshme” ose “indicie”, çka tregon kujdesin për të mos arritur në konkluzione për përgjegjësi penale të individëve.
  • Pretendimet e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë se objekti i komisionit hetimor cenon drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale, janë haptazi të pabazuara. Edhe sipas praktikave të mëparshme, anëtarët e komisioneve hetimore kanë të drejtë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, të njihen me informacione të klasifikuara, ndërsa neni 12, pika 3, i ligjit nr. 8891/2002 njeh të drejtën e zhvillimit të punimeve të Kuvendit me dyer të mbyllura.
  • Objekti i komisionit hetimor përmbush kriterin e ekzistencës së “çështjes së veçantë”, të përcaktuar nga jurisprudenca kushtetuese. Dhënia e statusit të investorit strategjik, bazuar në njohje personale, lidhje familjare ose preferenca politike, dëmton rëndë imazhin e shtetit shqiptar në sytë e investitorëve vendas dhe të huaj. Shqyrtimi i praktikave të ndjekura nga KIS-i do t’i shërbejë zhvillimit ekonomik të vendit përmes nxitjes së investimeve shqiptare dhe të huaja, duke garantuar kushtet optimale të konkurrencës së lirë dhe ekonomisë së tregut.
  • Me vendimet nr. 80/2021, datë 14.10.2021 të Kuvendit për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”” dhe nr. 53/2022 të tij, shumica parlamentare ka vendosur rrëzimin e kërkesave, duke vlerësuar se ato nuk respektonin parimet kushtetuese dhe të drejtën ndërkombëtare, pa bërë përpjekje dhe pa ofruar formulim alternativ të objektit të veprimtarisë së komisioneve, me qëllim gjetjen e konsensusit. Për rrjedhojë, Gjykata duhet të bëjë interpretimin përfundimtar të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës, pasi: i) norma kushtetuese ka krijuar paqartësi, të cilat janë bërë burim i një problemi/mosmarrëveshjeje kushtetuese; ii) ekziston një marrëdhënie e ngushtë ndërmjet normës kushtetuese dhe çështjes konkrete/aktit të kundërshtuar; iii) Kuvendi ka mbajtur qëndrimin e tij për sa i përket interpretimit të normës. Në këto kushte, Gjykata duhet të përcaktojë se deri në çfarë mase shumica parlamentare ka të drejtë të vlerësojë nivelin e respektimit të parimeve kushtetuese në kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit nga jo më pak se një e katërta e deputetëve të tij, si dhe nëse ajo ka të drejtë, pa ofruar asnjë propozim ose formulim alternativ, të rrëzojë një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor, për shkak se pretendon mosrespektimin e parimeve kushtetuese.

III

Vlerësimi i Mbledhjes së Gjyqtarëve

A. Për legjitimimin e kërkuesit

  1. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës në përputhje me nenin 134, pika 1, shkronja “c”, të Kushtetutës dhe nenin 49, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, duke pretenduar cenimin e së drejtës së pakicës parlamentare, konkretisht një të katërtës së deputetëve të Kuvendit (35 deputetë), të parashikuar në nenin 77, pika 2, të Kushtetutës, për të kërkuar ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015.
  2. Edhe pse në jurisprudencën e saj Gjykata ka legjitimuar jo më pak se një të pestën e deputetëve të Kuvendit për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve normative (shih vendimet nr. 41, datë 16.05.2017; nr. 55, datë 27.07.2016; nr. 57, datë 05.12.2014 të Gjykatës Kushtetuese), në rastin konkret Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se pavarësisht se jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, në thelb, në kërkesën drejtuar Gjykatës, një e pesta e deputetëve të Kuvendit ka kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar si rrjedhojë e vendimmarrjes së Kuvendit, si shumicë parlamentare, për mosmiratimin e projektvendimit të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Një kompetencë e tillë e Gjykatës parashikohet në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës dhe nenin 54 të ligjit nr. 8577/2000.
  3. Sikundër Gjykata ka theksuar ndër vite, juridiksioni i saj parashikohet  nga një sërë normash kushtetuese (shih vendimet nr. 1, datë 16.02.2022; nr. 36, datë 04.11.2021; nr. 7, datë 24.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese). Në jurisprudencën e saj, në drejtim të legjitimimit të një të katërtës së deputetëve (35 deputetë), në kërkesat për zgjidhjet e mosmarrëveshjeve të kompetencave që kanë lindur për shkak të vendimmarrjeve të Kuvendit për komisionet hetimore, Gjykata ka theksuar se neni 77, pika 2, i Kushtetutës i njeh pakicës parlamentare kompetencë hetimi, pengimi i së cilës përbën konflikt kushtetues kompetencash. Vendimi i Kuvendit për mosmiratimin e kërkesës së një të katërtës së deputetëve për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar cenon këtë të drejtë kushtetuese të pakicës parlamentare. Situata të tilla, në vlerësimin e Gjykatës, shkaktojnë në realitet mosmarrëveshje ndërmjet pakicës parlamentare (jo më pak se një e katërta e deputetëve), nga njëra anë, dhe Kuvendit, nga ana tjetër, për ushtrimin e së njëjtës kompetencë kushtetuese (shih vendimet nr. 9, datë 28.03.2022; nr. 38, datë 12.06.2015; nr. 30, datë 16.05.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
  4. Gjykata e ka cilësuar si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “… institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare”, që realizohet “… në mënyrë të pavarur…” dhe që është “…i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila, duke i pasur të kufizuara mjetet, “mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues” (shih vendimet nr. 57, datë 23.07.2015; nr. 30, datë 16.05.2014; nr. 20, datë 04.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
  5. Ngritja e komisionit me votë të një minorance ose siç pranohet në doktrinën kushtetuese, nëpërmjet zbatimit të parimit të hetimit me votim pakice, e forcon në mënyrë të konsiderueshme rolin e komisionit hetimor si një instrument efikas kontrolli. E drejta e hetimit parlamentar është zhvilluar në kuptimin e së drejtës së pakicave në parlament, që t’u japë atyre një pushtet më të fortë. Kjo e drejtë shërben njëkohësisht edhe si një mjet në duart e pakicës parlamentare për të ushtruar kontroll kryesisht kundrejt ekzekutivit dhe për të kërkuar vënien përpara përgjegjësisë të mbajtësve të pushtetit. Në një sistem parlamentar, duke qenë se qeveria formohet nga shumica parlamentare, e cila ka në dorë shumë mjete të tjera ligjore, e drejta e kontrollit hetimor i është njohur sidomos pakicës, që duke i pasur të kufizuara mjetet e saj, mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues (shih vendimet nr. 30, datë 16.05.2014; nr. 20, datë 04.05.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
  6. Mbledhja e Gjyqtarëve rithekson se mbrojtja e kushtetutshmërisë, si qëllimi final i kontrollit kushtetues, është një e drejtë/detyrë e subjekteve të përcaktuara qartë në dispozitat kushtetuese, në të cilat përcaktohen edhe rastet konkrete kur ata mund të vënë në lëvizje Gjykatën për mbrojtje të kushtetutshmërisë gjatë veprimtarisë së tyre. Kështu, Kushtetuta në nenin 77, pika 2, parashikon se Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një të katërtës të të gjithë anëtarëve të tij është i detyruar të caktojë komision hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Në interpretimin e këtij formulimi kushtetues Gjykata ka vlerësuar se dispozita kushtetuese, duke parashikuar shprehjen “është i detyruar”, jo vetëm që e vendos Kuvendin në një pozicion disi të veçantë, duke i hequr të drejtën për të vlerësuar vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor, por njëkohësisht institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues që njihet si pushtet i pakicës parlamentare (shih vendimin nr. 9, datë 28.03.2022 të Gjykatës Kushtetuese).
  7. Në kuptim të sa më sipër, Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se dispozitat kushtetuese kanë përcaktuar një të katërtën e deputetëve si grupim/entitet të veçantë, i cili ka të drejtë të kërkojë ngritjen e komisioneve hetimore për kontrollin e zbatimit të legjislacionit nga organet shtetërore në përgjithësi dhe ekzekutivi në veçanti. Nga ana tjetër, kur një grup deputetësh legjitimohet për të vënë në lëvizje Gjykatën në kuptim të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës, ky subjekt duhet të pretendojë se i është cenuar një kompetencë e caktuar dhe duhet të parashtrojë se midis cilave organe ekziston konflikti, cila është kompetenca që ushtrohet nga organi tjetër dhe në ç’mënyrë pengohet ushtrimi i saj ose në ç’mënyrë një organ e ushtron pa të drejtë një kompetencë.
  8. Mbledhja e Gjyqtarëve thekson, gjithashtu, se neni 54 i ligjit nr. 8577/2000 ka përcaktuar procedurat për zgjidhjen nga Gjykata të mosmarrëveshjeve të kompetencave. Sipas pikave 1 dhe 3 të këtij neni, Gjykata shqyrton mosmarrëveshjet ndërmjet pushteteve kur mosmarrëveshja ka lidhje të drejtpërdrejtë me ushtrimin e veprimtarisë së tyre. Kërkesa para Gjykatës ngrihet nga subjektet në konflikt ose nga subjektet e cenuara drejtpërdrejt nga konflikti.
  9. Për sa më lart, në kushtet kur konflikti i krijuar si rrjedhojë e vendimit të kundërshtuar të Kuvendit nr. 53/2022, në thelb, ka të bëjë me një mosmarrëveshje kompetence, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se në çështjen në shqyrtim një grup prej jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, si subjekt kushtetues i ndryshëm nga një e katërta e deputetëve, nuk përbën subjekt në konfliktin kushtetues. Për rrjedhojë, në kuptim të nenit 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës dhe nenit 54, pika 3, të ligjit nr. 8577/2000, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon se nuk mund të legjitimohet si subjekt në kërkesën drejtuar Gjykatës sipas objektit.
  10. Në përfundim, Mbledhja e Gjyqtarëve vlerëson se kërkesa e paraqitur nuk plotëson kriteret ligjore për pranimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.

PËR KËTO ARSYE,

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, bazuar në nenet 31 dhe 31/a, shkronja “b”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

V E N D O S I:

Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.

MENDIM PAKICE

  1. Në shqyrtimi paraprak të kërkesës së paraqitur nga jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë me objekt: “Interpretimi përfundimtar i nenit 77, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 53/2022, datë 23.06.2022 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit nr. 55/2015 “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”””, ne, gjyqtaret Marsida Xhaferllari dhe Sonila Bejtja, jemi kundër qëndrimit të shumicës për sa i përket vlerësimit se kërkuesi, 35 deputetë të Kuvendit nuk legjitimohen për interpretimin përfundimtar të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës mbështetur në tri arsye kryesore të argumentuara si më poshtë vijon.
  2. Shumica ka arritur në përfundimin se kërkuesi nuk legjitimohet për këtë kërkim, duke parashtruar shprehimisht se “edhe pse në jurisprudencën e saj Gjykata ka legjitimuar jo më pak se një të pestën e deputetëve të Kuvendit për kontrollin abstrakt të kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve normative (shih vendimet nr. 41, datë 16.06.2017; nr. 55, datë 27.07.2016; nr. 57, datë 05.12.2014 të Gjykatës Kushtetuese), në rastin konkret Mbledhja e Gjyqtarëve vëren se pavarësisht se jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, në thelb, në kërkesën drejtuar Gjykatës një e pesta e deputetëve të Kuvendit ka kërkuar zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar si rrjedhojë e vendimmarrjes së Kuvendit, si shumicë parlamentare, për mosmiratimin e projektvendimit të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor. Një kompetencë e tillë e Gjykatës parashikohet në nenin 131, pika 1, shkronja “ç”, të Kushtetutës dhe nenin 54 të ligjit nr. 8577/2000” (shih paragrafin 9 të vendimit).
  3. Së pari, nuk pajtohemi me këtë parashtrim, pasi me anë të tij është ndryshuar jo vetëm objekti i kërkesës nga “interpretimi i nenit 77, pika 2, të Kushtetutës” në “zgjidhje të mosmarrëveshjes së kompetencave”, por edhe shkaku dhe baza ligjore e saj nga “paqartësia e normës, që i ka dhënë shkas kuptimit dhe zbatimit të ndryshëm të saj” në “konflikti për shkak të mosmiratimit të projektvendimit të pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor”. Në zgjidhjen e çështjeve që paraqiten para saj, Gjykata ka të drejtë të bëjë cilësimin e saktë juridik të fakteve të mosmarrëveshjes, por nëse vlerëson se duhet ndryshuar baza juridike e saj, ky veprim kryhet me kërkesë të palës që ka vënë në lëvizje gjykimin. Me fjalë të tjera, Gjykata ka detyrimin të respektojë objektin dhe shkakun e mosmarrëveshjes, sipas disponibilitetit të kërkuesit. Në këtë drejtim, ndryshimi i njëkohshëm i objektit dhe shkakut juridik në terma të thjeshtë nënkupton krijimin e një mosmarrëveshjeje të re dhe një ndryshim i tillë nuk i lejohet as palës që vë në lëvizje Gjykatën. Kjo është arsyeja që në procedurat gjyqësore civile dhe administrative parashikohet shprehimisht një kufizim i tillë (nenet 16 dhe 185 të Kodit të Procedurës Civile). Në këtë pikë, duhet evidentuar se këto rregulla procedurale janë të zbatueshme edhe në gjykimin kushtetues, bazuar në nenin 1, pika 2, të ligjit nr. 8577/2000, sipas të cilit “për çështje që lidhen me procedura që nuk rregullohen nga ky ligj apo nga Rregullorja e Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese merr parasysh edhe dispozitat ligjore që rregullojnë procedurat e tjera, duke marrë në konsideratë natyrën ligjore të çështjes”.
  4. Së dyti, në jurisprudencën kushtetuese është pranuar legjitimimi i jo më pak se një të pestës së deputetëve të Kuvendit për kërkesat të cilat në objektin e tyre kanë pasur edhe kërkimin për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës (shih vendimet nr. 7, datë 24.02.2016; nr. 59, datë 23.12.2014; nr. 18, datë 14.05.2003 të Gjykatës Kushtetuese). Në këtë mënyrë, nëse do të ishte rasti për të ndryshuar këtë jurisprudencë, pra për të zhvilluar OSE ndryshuar kriteret e legjitimimit të këtij subjekti kushtetues për të vënë në lëvizje gjykimin kushtetues për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, kjo përbën një arsye shtesë që çështja të kalonte në seancë plenare.
  5. Së treti, Gjykata ka vlerësuar se ushtrimi i kompetencës së interpretimit përfundimtar të normës kushtetuese kërkon plotësimin e kushteve si vijon: (i) norma që kërkohet të interpretohet duhet të jetë e paqartë dhe si pasojë e kësaj paqartësie që ajo mbart dhe kuptimit që i është dhënë ka lindur një “problem/mosmarrëveshje kushtetues/e; (ii) ekziston një marrëdhënie e ngushtë ndërmjet normës konkrete kushtetuese dhe fakteve, mosmarrëveshjeve ose çështjeve të përcaktuara konkretisht në një ose disa akte të organit kompetent, si pasojë e zbatimit ose kuptimit të padrejtë të kësaj norme kushtetuese; (iii) organet, të cilat zbatojnë normën kushtetuese, të kenë mbajtur qëndrimin e tyre për kuptimin/interpretimin e kësaj norme. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka vlerësuar se qëndrimet e mbajtura nga një organ për interpretimin e normave konkrete të Kushtetutës, që shprehen nëpërmjet vendimeve të këtij organi, janë të mjaftueshme për kryerjen e një interpretimi përfundimtar (shih vendimin nr. 59, datë 23.12.2014 të Gjykatës Kushtetuese). Kur një grup deputetësh vë në lëvizje Gjykatën për interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, duhet të argumentojë se ka më shumë se një interpretim ose zbatim të ndryshëm të Kushtetutës dhe se nga ky fakt kanë ardhur pasoja të tilla që kanë shkaktuar nevojën për një interpretim përfundimtar të Kushtetutës (shih vendimet nr. 7, datë 24.02.2016; nr. 59, datë 23.12.2014 të Gjykatës Kushtetuese).
  6. Në çështjen konkrete, kërkuesi ka kërkuar para Gjykatës edhe interpretimin e pikës 2 të nenit 77 të Kushtetutës. Sipas tij: (a) ekziston një mosmarrëveshje konkrete ndërmjet shumicës dhe pakicës parlamentare, që ka lindur si pasojë e zbatimit ose kuptimit të ndryshëm/gabuar të normës kushtetuese; (b) subjektet në konflikt kanë mbajtur qëndrimin e tyre për kuptimin/interpretimin e kësaj norme, i cili është shprehur jo vetëm në Konferencën e Kryetarëve të datës 20.06.2022, por edhe nëpërmjet votimit në seancë plenare dhe miratimit të vendimit nr.53/2022 nga ana e Kuvendit; (c) problemi kushtetues ka ardhur si pasojë e paqartësive në zbatimin e normës kushtetuese nga ana e shumicës parlamentare. Sipas kërkuesit, duke keqinterpretuar këtë dispozitë dhe rolin e tij në këtë proces, Kuvendi e ka interpretuar normën kushtetuese si dispozitë që i jep diskrecion të plotë për vlerësimin e nivelit të respektimit të parimeve kushtetuese dhe rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar.
  7. Edhe pse Gjykata ka dhënë disa vendime, në të cilat është interpretuar përmbajtja e nenit 77, pika 2, të Kushtetutës (shih vendimet nr. 57, datë 23.07.2015; nr. 30, datë 16.05.2014; nr. 20, datë 04.05.2007; 18, datë 14.05.2003 të Gjykatës Kushtetuese), duhet evidentuar se kjo normë, e pasuruar nga jurisprudenca kushtetuese, ka nevojë të zhvillohet më tej, konkretisht në drejtim të hapësirës së vlerësimit të Kuvendit dhe kritereve, mbi të cilat mbështetet vlerësimi i parimeve kushtetuese në rastet e paraqitjes së kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor nga pakica parlamentare, në mënyrë që kjo e drejtë e pakicës parlamentare të mos mbetet iluzive dhe teorike, por të kthehet në një instrument efektiv të funksioneve mbikëqyrëse të Kuvendit, në kontekstin e debatit politik që ai zhvillon. Në këtë drejtim, mbi bazën e kërkesës së paraqitur, kishte vend për të interpretuar normën kushtetuese, për të evidentuar ndryshimet midis përgjegjësisë politike, në juridiksion dhe kompetencë të Kuvendit, si dhe përgjegjësive civile e penale, në juridiksion e kompetencë të gjykatave dhe prokurorisë.
  8. Për sa më lart, në vështrim të standardeve kushtetuese që ka zhvilluar Gjykata dhe të rrethanave të çështjes konkrete, vlerësojmë se kërkesa plotësonte kushtet për fillimin e gjykimit kushtetues për interpretimin përfundimtar të nenit 77, pika 2, të Kushtetutës dhe Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës duhet të vendoste kalimin e saj për shqyrtim në seancë plenare.

Anëtare: Sonila Bejtja, Marsida Xhaferllari

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura