Investimet, qeveria: Firmat të mos avancojnë punimet

Mar 4, 2015 | 15:20
SHPËRNDAJE

Mbledhje qeverie

Kompanitë që fitojnë tenderat për zbatimin e projekteve të lidhura me investime si rrugë, ujësjellës apo çdo punë tjetër, do të duhet të avancojnë në punime për aq para sa do marrin në një vit buxhetor.

Çdo tejkalim plani do të penalizojë kompaninë, e cila në fund mund të mos marrë edhe paratë. Kjo duket si një mënyrë frenimi nga ana e qeverisë ndaj kompanive që marrin përsipër punët publike, në mënyrë që të mos krijohen borxhe të prapambetura. Të gjitha këto detaje jepen në raportin e FMN-së për rishikimin e dytë dhe të tretë të programit.

KLAUZOLA

“Angazhimet në projekte investimesh ekzistuese të pabuxhetuara (4-5 për qind e GDP-së) e tejkalojnë shumë parashikimin e bërë në kuadrin buxhetor afatmesëm. Për të minimizuar risqet, autoritetet ranë dakord të prioritarizojnë projektet që janë të papaguara, pra të hapura, ose të riskedulonin ato projekte me prioritet më të ulët. Po kështu do të publikojnë një listë me projektet e kuadrit afatmesëm për të dhënë sinjalin e parë mbi synimin e tyre për të mos zbatuar këto projekte që përjashtohen nga lista. Do të përfshijnë një klauzolë në të gjitha kontratat e reja, duke përcaktuar që përjashtimi i punës në projekte do të quhet si shkelje e kontratës”, thuhet në raportin e FMN. Kjo përcakton qartë se qeveria kërkon të frenojë kompanitë që të mos punojnë përtej shumave që parashikohen në buxhet për një projekt të caktuar. Për shembull, ndërtimi i një rruge mund të shtrihet në tri vite buxhetore. Kompania duhet të bëjë aq punime në vitin e parë sa janë edhe fondet e parashikuara për të. Në fakt, konfirmimi i FMN-së vjen nga vetë zotimi i marrë nga qeveria para këtij institucioni.

QEVERIA

Qeveria nuk do të zbatojë të gjitha projektet që janë parashikuar ndër vite si investime potenciale. Për të përcaktuar se cilët do të qëndrojnë dhe cilët do të hiqen nga lista, do të bëhet një vlerësim mbi fizibilitetin e tyre dhe përftimin që sjell secili. “Si hap të parë do të bëjmë një studim fizibiliteti për të gjitha projektet. Më pas, renditja e këtyre projekteve do të aprovohet nga Këshilli i Ministrave dhe do të postohet në faqen e Ministrisë së Financave. Kjo e fundit do të publikojë gjithashtu edhe listën e projekteve, që do të jenë pjesë e kuadrit makroekonomik afatmesëm për të dhënë një sinjal të parë edhe për projektet që nuk do zbatohen. Gjithashtu ne planifikojmë që të bëjmë një klauzolë në kontratat e reja, duke përfshirë dhe përmendjen në buxhet të faktit që përshpejtimi i punëve publike pa miratim nga Ministria e Financave do të përbëjë shkelje të kontratës dhe do bëjë nul çdo detyrim për të paguar për këtë punë”, thuhet në memorandumin e qeverisë për FMN-në.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura