Investimet publike – përballë korrupsionit dhe kapjes së shtetit

Nov 16, 2020 | 9:30
SHPËRNDAJE

PROF. DR ARBEN MALAJ

arben-malaj

Dalja nga kriza kërkon rritjen e kohës së “frymëmarrjes së intubuar” të ekonomisë. Kjo imponon rritje të shpenzimeve sociale, investimeve publike dhe reforma strukturore.

Në kushtet kur pandemia ka sjellë rritjen e papunësisë, varfërisë, pabarazisë dhe instabilitetit të financave jo vetëm publike, për ta këputur këtë cikël negativ bankat qendrore dhe qeveritë harmonizojnë politika antikrizë ku investimet publike janë pjesa e “luanit”. Por ndërsa shpenzimet për mbrojtje dhe solidaritet social kanë një efekt pozitiv relativisht të shpejtë, investimet publike kanë një mision të rëndësishëm: të ushqejnë një rritje ekonomike të shëndetshme, më të lartë, të drejtë, të orientuar nga rritja e produktiviteti, hapja e vendeve të punës, ekonomia e gjelbër, ekonomia e dijes dhe dixhitalizimi.

Studiuesit kanë kalkuluar efektin multiplikativ të investimeve publike e private në ekonomi. Sipas tyre, multiplikativi i investimeve publike në kushtet e paqartësive të larta është 2.7 dhe ai i investimeve private rreth 10, në skenarët bazikë multiplikativi është 0.6 me 3.2, ndërsa në kushtet e risqeve të vogla efekti është -0.3 deri në -0.2.

Një këshillë e dobishme përballë krizës është orientimi i investimeve publike në sektorët ku ka një rritje me punësimin më të madh. Rritja e kërkesës agregate nga rritja e punësimit dhe e të ardhurave të disponueshme është rruga më e mirë për të reduktuar efektet e krizës dhe për të ndihmuar ringritjen dhe rimëkëmbjen e saj. Rritja e investimeve publike shërben edhe si gjenerator për rritjen e investimeve private, një milion $ investime publike në sektorët tradicionalë krijon 2-8 vende të reja pune, ndërsa në arsim e kërkim shkencor, ekonominë e gjelbër dhe ekonominë e dijes, ato krijojnë 5- 14 vende të reja pune. Ky efekt pozitiv i IPsë drejt sektorëve më produktivë lehtëson rritjen ekonomike, zbut papunësinë dhe varfërinë, sepse rrit punësimin dhe pagat, të cilat në sektorët e rinj janë më të lartë se në sektorët tradicionalë.

Studimet tregojnë se cilësia e investimeve publike, dhe jo madhësia e tyre, përcaktojnë sa i madh do të jetë efekti multiplikativ, i cili ndryshe nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe kohezionin social që shfaqet shpejt, ai i investimeve publike shfaqet pas 1-2 vitesh (“WB&OECD”)3 . FMN-ja dhe institucionet e tjera ndërkombëtare kanë shumë studime edhe të hershme4 lidhur me efektet negative të korrupsionit në investimet publike.

Risku i korrupsionit në investimeve publike rritet sidomos gjatë periudhave të krizave në vendet me institucione të dobëta. Kjo ndodh sepse në kohë krize ndërsa është i fortë presioni për rritjen e investimeve publike, është më i fortë presioni korruptues. Përllogaritet se për shkak të riskut të lartë të korrupsionit dhe kapjes së shtetit, në projektet për investimet infrastrukturore në vendet në zhvillim si Shqipëria, me tregues të përkeqësuar të qeverisjes së saj5 , mund të humbasin rreth 34% e totalit të investimeve publike.

Në këtë kontekst, n.q.s. për vendin tonë totali i investimeve nga buxheti, koncesionet dhe partneritetet publike private preferenciale variojnë 1.5–3 miliardë euro, rreth 510 milionë deri 1 miliard euro keqpërdoren në kanalet e korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Prandaj, është e rëndësishme që në përzgjedhjen dhe implementimin e investimeve publike të mbahen parasysh: (i) lufta kundër korrupsionit; (ii) reduktimi i rreziqeve fiskale; (iii) integrimi i projekteve prioritare infrastrukturore me strategjitë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit; (iv) integrimi i projekteve të infrastrukturës sonë në infrastrukturat rajonale, europiane dhe globale dhe (v) financimi i investimeve në infrastrukturë edhe me fonde, grante nga BE-ja dhe kredi me kosto të lehtësueshme nga bankat e zhvillimit.

Procesi i përdorimit me eficencë dhe efikasitet të lartë i taksave në investimeve publike kalon në disa faza, ku përfshihet përmirësimi i institucioneve përgjegjëse për përzgjedhjen e projekteve, transparenca maksimale dhe konkurrencë e hapur në përzgjedhjen e kompanive implementuese dhe mbikëqyrëse, konfigurimi i skemave dhe burimeve të financimit me kosto të ulët dhe ndërtimi i politikave efikase për mirëmbajtjen e tyre. Projektet infrastrukturore afatgjata duhen konsideruar prioritete kombëtare dhe jo thjesht qeveritare, kjo edhe sepse kohëzgjatja e tyre zgjatet edhe gjatë rotacioneve politike.

Transparenca, nxitja e konkurrencës për firmat impelementuese dhe mbikëqyrëse marrin shumë rëndësi për të ulur kostot e mungesës së eficencës, të korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Studimet të OECDsë tregojnë se në përzgjedhjen e investimeve publike midis arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës, ndikohet negativisht edhe miopia politike e orientuar nga përfitimet afatshkurtra.

Në periudhat e krizave, kur rritet presioni për të rritur investimet publike, kostot e tyre priren të jenë më të larta dhe projektet të zgjaten. Është përllogaritur se kostoja e një projekti mund të rritet me 10- 15% vetëm sepse është ndërmarrë në një periudhë të presioneve të rritura për investime publike, sepse bashkëvepron një lidhje negative midis presionit të rritjes së investimeve publike dhe rritjes së cenueshmërisë së tyre prej korrupsionit6 . Studiuesit paralajmërojnë se: Shumë shpesh, investimet publike rezultojnë në infrastrukturë të shtrenjtë, cilësi të dobët, me përfitime të kufizuara për njerëzit dhe ekonominë”.

Studimi “Well Spent” (“Shpenzo mirë”) rekomandon fokus në fusha të reja në qeverisjen e infrastrukturës si mirëmbajtja, menaxhimi i aseteve të infrastrukturës publike dhe rezistenca e tyre ndaj ndryshimeve klimatike. Zhbllokimi i potencialit të investimeve infrastrukturore nga mungesa e eficencës dhe korrupsioni i lartë ndihmojnë reduktimin e kostove të krizave. Konkluzioni i studimit se “humbjet e efikasitetit dhe shpenzimet jo efektive në infrastrukturë nuk janë të pashmangshme dhe se mbi gjysma e këtyre humbjeve mund të kompensohen përmes qeverisjes më të mirë të infrastrukturës”, është një apel publik edhe për Shqipërinë. Keqpërdorimi i investimeve publike mund të ulet me 250 milionë deri në 500 milionë euro.

Vendi ynë ka kërkesa të përsëritura nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare dhe BE-ja për të përmirësuar kapacitetet institucionale, rritur transparencën dhe konkurrencën në çdo fazë të investimeve publike, kërkesë të cilën Rama-qeveria e injoron duke vazhduar koncesionet spontane dhe 4P-të. Kjo papërgjegjshmëri nëpërmjet kostove të larta të investimeve publike të fryra nga niveli i lartë i korrupsionit e kapjes së shtetit do t’iu kushtojë shtrenjtë taksapaguesve shqiptarë.

1President i InstitutitpërPolitika PublikedheMirëqeverisjewww.ippm.al 2https://www.imf.org/en/Publications/Books/Issues/2020/09/03/WellSpent-How-Strong-Infrastructure-Governance-Can-End-Waste-in-Public-Investment-48603 3 https://blogs.worldbank.org/developmenttalk/myopia-and-dis-incentives-political-economy-managing-risk 4https://www.imf.org/en/Publications/WP/Issues/2016/12/30/Corruption-Around-the-World-Causes-Consequences-Scope-and-Cures-2583 5https://euronews.al/al/ekonomi/ 2020/11/12/raporti-i-berzh-rritet-korrupsioni-ppp-te-rrezikojne-borxhin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura