Investimet e huaja direkte, mjet për zhvillimin ekonomik

May 27, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

valbona-zeneli1VALBONA ZENELI

Investimet e huaja direkte (IHD-të) mbeten një nga faktorët më të rëndësishëm të ekonomiksit të globalizimit. Në vendet në zhvillim, IHDtë konsiderohen nga studiuesit dhe nga politikëbërësit  si katalisti kryesor i zhvillimit ekonomik, dhe përdoren për transferimin e teknologjive të reja dhe aftësive menaxheriale, rritjen e cilësisë dhe produktivitetit, si edhe zgjerimin e aksesit në tregjet botërore.

Po ashtu, niveli i lartë i IHD-ve në një ekonomi është një tregues i rëndësishëm i shëndetit dhe stabilitetit ekonomik. Në këtë medium (shiko “Panorama”) kam shprehur disa herë mendimin tim në lidhje me domosdoshmërinë e thithjes së IHD-ve cilësore drejt tregut shqiptar, sfidë kjo shumë aktuale për t’i dhënë shtytje serioze rritjes së qëndrueshme ekonomike.

Investimet dhe investitorët e huaj nuk janë qëllim në vetvete (pjesë kjo që shpesh ngatërrohet në debatet publike), por janë mjeti më i mirë për të zhvilluar ekonominë dhe kompanitë vendëse. Përcaktimi i faktorëve që tërheqin investimet e huaja drejt vendeve të ndryshme, është një temë që ka tërhequr studime të shumta ne të gjithë botën.

Nga ana tjetër, duhet përmendur se ka edhe debate të ndezura në lidhje me efektet e IHD-ve në vendet pritëse, sidomos kur bëhet fjalë për vendet në tranzicion. Evidencat empirike dhe studimet tregojnë se efektet e IHD-ve varen nga kushtet e vendeve pritëse, duke nënvizuar se benefitet nuk janë automatike dhe të njëtrajtshme për të gjitha vendet, sektorët apo komunitetet.

Në të vërtetë, janë politikat kombëtare dhe arkitektura ndërkombëtare e investimeve që janë shumë të rëndësishme, si për të tërhequr IHDtë, por edhe për të marrë benefitet e plota të tyre. Këto kushte lokale apo “kapacitete absorbuese” janë kryesisht: cilësia e kapitalit njerë- zor, hapja e tregut, institucionet ligjore dhe financiare lokale. Rendi ligjor dhe qeverisja e mirë, janë primare për thithjen e IHD-ve.

Sipas të dhënave të institucioneve financiare ndërkombëtare, shumica e IHD-ve vazhdojnë të lëvizin drejt vendeve të zhvilluara dhe ka ende probleme me mungesën e mobilitetit drejt vendeve në zhvillim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi që renditet si tregu kryesor për thithjen e IHD-ve, me 22 për qind të stokut botëror të IHD-ve në 2014-n, sipas UNCTAD, duke mbajtur prej shumë vitesh statusin e mjedisit me atraktiv global për investimet e huaja (Kearney´s FDI Confidence Index).

Sipas raporteve, faktorët që influencojnë në vendimmarrjen e investitorëve të huaj për t’iu drejtuar ekonomisë amerikane janë: tregu i hapur dhe klima e investimit, tregu i madh konsumator, mjedisi rregullator transparent, fuqia punëtore cilësore dhe me produktivitet të lartë, sistemi shumë cilësor i arsimit të lartë, si edhe kultura e inovacionit dhe sipërmarrjes.

Ndërkohë, nëse merren në konsideratë tregjet rajonale, Bashkimi Europian (BE) është rajoni që ka thithur nivelin më të lartë të IHD-ve globale, me një vlerë prej 32 për qind të stokut botëror deri në vitin 2014. Brenda BE-së vendet që tërheqin pothuajse gjysmën e këtyre investimeve janë: Britania e Madhe, Gjermania, Spanja dhe Holanda. Nga ana tjetër, vendet e BE-së janë edhe investitorët kryesorë në ekonominë globale, me 37 për qind të totalit të stokut të investimeve globale.

Rajoni i Europës Juglindore (Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Bulgaria dhe Rumania)1 ka thithur më pak se 1 për qind, (saktësisht 0.9 për qind) të stokut global të IHD-ve deri në vitin 2014, sipas të dhënave të UNCTAD. Edhe më keq, nëse përjashtohet Bullgaria dhe Rumania, të cilat kanë tërhequr sasi më të larta investimesh të huaja pas hyrjes në BE, shifra arrin në nivelin shumë të ulët të vetëm 0,4 për qind të stokut global të IHD-ve.

Konkurrenca globale për thithjen e investimeve të huaja ka rezultuar në një numër të lartë politikash dhe iniciativash, por edhe targetim selektiv për investime “cilësore”. Ideja e investimeve cilësore apo “investimeve të dëshirueshme” shpjegohet me gjerësinë dhe rëndësinë e impakteve të dëshirueshme ekonomike të IHD-ve.

Ideja është e bazuar përgjithësisht në dikotomi të thjeshta, si për shembull madhësia e kompanive (firmat e mëdha janë më të dëshirueshme se të voglat), industria (preferohen industritë me vlerë të lartë të shtuar dhe jo ato të bazuara thjesht në krahun e lirë të punës), fokusi funksional i një kompanie (funksione si p.sh. kërkimi dhe zhvillimi (R&D) preferohen më shumë sesa operacionet e thjeshta të asemblimit (industritë fasone), forma e hyrjes në treg (duke preferuar investimet greenfield dhe jo ato që lidhen me privatizime apo koncesione), apo orientimi dhe motivi i hyrjes në treg të kompanive.

Në një studim për IHD-të në Europën Juglindore, që merr në konsideratë tregun e këtij rajoni për një periudhë 20-vjeçare, shpjegohen statistikisht faktorët kryesorë për thithjen e IHD-ve. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rreth 70 për qind e IHD-ve në Europën Juglindore janë të lidhura kryesisht me proceset e privatizimit.

Për këtë arsye, në studimin e mësipërm, analizat statistikore u përsëriten si për investimet totale, edhe ato greenfield (jo të lidhura me ndonjë proces privatizimi apo koncesioni). Cilësia e institucioneve, mirëqeverisja rezulton faktori më i rëndësishëm dhe sinjifikativ për thithjen e IHD-ve në rajon, me një efekt edhe më të fortë, sidomos për investimet greenfield. Nga ana tjetër, niveli i lartë i korrupsionit ndikon në mbajtjen larg të investimeve serioze.

Një variabël tjetër e marrë në konsideratë, janë të ardhurat për frymë (që tregojnë edhe standardin e nivelit e jetesës) dhe rezulton se janë një faktor me efekt favorizues për thithjen e IHD-ve, sidomos në rastin e investimeve greenfield, duke sugjeruar se pjesa më e madhe këtyre investimeve janë në kërkim të tregut. Niveli i rritjes ekonomike është pozitiv për thithjen e IHD-ve, por josinjifikativ në të gjitha analizat, pra nuk rezulton një nga faktorët kryesorë përcaktues.

Në përgjithësi, rritja e lartë ekonomike është indikator i politikave të besueshme dhe i stabilitetit makroekonomik. Burimet natyrore rezultojnë të rëndësishme vetëm për investimet e lidhura me proceset privatizuese dhe koncesionare, por jo me investimet greenfield, duke konfirmuar se këto të fundit nuk janë në kërkim të burimeve natyrore, por janë në kërkim tregjesh apo eficience.

Niveli i hapjes së tregut të ekonomisë pritëse është gjithashtu shumë i rëndësishëm për thithjen e IHD-ve, duke konfirmuar se kompanitë e huaja tërhiqen nga vendet me avantazhe lokacioni dhe synojnë të eksportojnë produktet e tyre finale në tregje më të mëdha. Interesante është që taksat dhe tarifat luajnë rol vetëm kur konsiderohen investimet greenfield dhe jo ato të lidhura me privatizimet.

Një nga përfundimet jo të pritshme të studimit sugjeron se cilësia e kapitalit njerë- zor, që është një faktor shumë i rëndësishëm në ekonominë botërore, nuk është sinjifikative në rastin e rajonit tonë. Sigurisht kapitali njerë- zor është më i rëndësishmi për implementimin e teknologjive prodhuese inovative dhe është faktori kryesor për rritje të qëndrueshme ekonomike, por fatkeqësisht në rajon konfirmohet një nivel shumë i ulët i teknologjive të reja industriale të sjella nga investitorët e huaj.

Është e rëndësishme të theksohet se një tjetër përcaktues i rëndësishëm për thithjen e IHDve janë investimet vendase, duke treguar se marrëdhënia midis tyre dhe IHD-ve është komplementare dhe jo përjashtuese.

Kjo jo vetëm tregon se kompanitë e huaja ndihen më të sigurta të investojnë në vende ku mund të gjejnë rrjete industrish të stabilizuara lokale për zinxhirin e bizneseve të tyre, por edhe që IHD-të ndihmojnë në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së industrive vendase.

Duke marrë parasysh rezultatet e studimeve të shumta në këtë fushë, është i rëndësishëm adoptimi dhe implementimi i një legjislacioni të ri dhe efektiv, për të bërë të mundur thithjen dhe drejtimin e IHD-ve cilësore drejt sektorëve që rrisin investimeve vendase dhe krijojnë rritje ekonomike të qëndrueshme.

Kjo është arsyeja që investimet e huaja “të dëshirueshme” duhet të konsiderohen primare në politikat ekonomike në të gjithë rajonin.

*Dr. Valbona Zeneli është Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë “George C. Marshall”. Ky artikull reflekton pikëpamjet e autorit dhe jo domosdoshmërisht pozicionin apo politikën zyrtare të Qendrës Marshall, dhe të Qeverive të SHBA dhe Gjermanisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura