Invalidi, 1 vit në terr: Drejtori i OSHEE-së do para t’i rilidhë dritat

Jan 18, 2016 | 8:28
SHPËRNDAJE

Një familje prej pesë anëtarësh, e cila jeton në fshatin Domgjon në Fan të Mirditës, prej gati një viti ndodhet në errësirë të plotë.

Ata jetojnë në kushte të vështira ekonomike dhe në pamundësi për të paguar faturat e energjisë. Për pasojë, borxhi ndaj OSHEE-së ka arritur në vlerën e 90 mijë lekëve të rinj. Por për familjen e Gëzim Ndojit, të cilët jetojnë vetëm me pensionin e invaliditetit të tij në masën 10 mijë lekë, pagesa e faturave është e pamundur.

Familja Ndoj në Mirditë
Familja Ndoj në Mirditë

Krahas mungesës së energjisë, ata jetojnë në varfëri ekstreme brenda një dhome, që vetëm emrin ka të tillë. Fëmijëve të mitur, më i vogli 3 muajsh, u duhet të mësohen me errësirën, pasi prindërit e tyre nuk kanë mundësi financiare për të paguar energjisë elektrike.

Në mes të ftohtit të këtyre ditëve, ku temperaturat shënojnë nën zero, fëmijët struken në një cep të oxhakut të ngrohen me shkarpat e mbledhura prej tyre. Kryefamiljari Gëzim Ndoj thotë se është i sëmurë dhe se ka kryer dy ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Edhe bashkëshortja e tij është e papunë.

E vetmja e ardhur për ta është pensioni i invaliditetit, me të cilin mundohen të shtyjnë muajin me thesin e miellit e ushqime. Gëzimi thotë se pamundësisë së tij për të paguar debinë i shtohet edhe ryshfeti që i kërkon drejtori i OSHEE-së në Mirditë për t’i rilidhur dritat.

“Ka më shumë se 11 muaj që ne si familje jemi pa energji elektrike. Shkak është bërë se ne jemi debitorë ndaj OSHEEsë, në një vlerë prej 90 mijë lekësh të rinj. Unë nuk kisha mundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike dhe drejtori i OSHEE-së në Mirditë, madje me ka kërkuar 30 mijë lekë të rinj nën dorë për të më rilidhur energjinë. E vetmja e ardhur që kemi ne si familje është pensioni i invaliditetit, 10 mijë lekë. Me ato më duhet të jetoj dhe të mbaj tre fëmijët. Unë jam i operuar në zemër dy herë dhe nuk jam i aftë të kryej asnjë lloj pune. I bëj thirrje shtetit që të shikojë gjendjen se si jetoj bashkë me fëmijët, pasi askush nuk është interesuar. E vetmja kërkesë që unë kam, është të më lidhin energjinë elektrike në një llambë, të paktën për fëmijët”, u shpreh kryefamiljari Gëzim Ndoj.

shtepiaBashkëshortja e tij, Kleudina, përlotet teksa rendit vështirësitë për rritjen e tre të miturve të saj. I shoqi nuk pati mundësi të paguajë as mjekun për ndërhyrjen në zemër. Por ky i fundit thirri policinë dhe Gëzimi përfundoi në burg. Kleudina shprehet se u detyrua të shesë unazën e martesës për ta nxjerrë bashkëshortin e sapo operuar nga burgu.

“Burri ka shkuar në spital për t’u kuruar dhe nuk ka pasur mundësi që të paguajë as doktorin. Në këto kushte, mjeku ka njoftuar policinë, pasi burri nuk i ka dhënë dot lekët. E arrestuan. U detyrova të shkoj në Tiranë, dhe shita unazën e martesës që të nxjerr burrin nga burgu, pasi s’kisha para që të paguaja. Ne jemi në kushte ekstreme në një dhomë gati të shembur. I bëj thirrje çdokujt që ka mundësi, të paktën të na ndihmojë që na rikthehet energjia elektrike, pasi kam edhe fëmijën 3 muajsh që po vdes nga i ftohti. Është tepër e vështirë që të jetohet pa drita”, shprehet mes lotëve e zonja e shtëpisë, Kleudina Ndoj.

ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura