Inva Mula, regjisore: Shfaqje kundër dhunës ndaj gruas

May 26, 2015 | 14:36
SHPËRNDAJE

Ajo nuk e mendon veten në të ardhme si një regjisore, por iu duk e arsyeshme që të rikthehej në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me një projekt të madh, të veçantë, në të cilin të derdhte gjithë eksperiencën e saj si artiste, por edhe si grua.

Inva Mula

Me një mesazh të fortë kundër dhunës ndaj gruas, Inva Mula kthehet në skenën e TKOB, jo vetëm si soprano, por edhe si regjisore. Ajo do të ngjisë në skenë operën me dy akte “Pagliacci” nga Ruggero Leoncavallo, një vepër të cilën ajo e ka interpretuar në skena të mëdha botërore e tanimë ka zgjedhur ta sjellë në Tiranë, jo vetëm si një spektakël, por edhe përshtasë atë me kontekstin shqiptar.

Për të realizuar këtë vepër, Mula jo vetëm që nuk ka kërkuar asnjë shpërblim financiar nga TKOB, madje i ka ofruar kësaj të fundit pagesën e saj për koncertin e realizuar dy javë më parë në Butrint.

Dje, në një konferencë për shtyp, në TKOB, Inva Mula u shpreh se “Pagliacci” është një vepër që ajo e njeh shumë mirë dhe pas ftesave të vazhdueshme për t’u rikthyer në skenën shqiptare, ajo zgjodhi të vinte me një projekt të ri, interesant, por që të ngacmonte publikun.


“Është një operë që gjithnjë më ka intriguar, pasi ngjan si një film, si një ngjarje që nuk ka një kohë dhe një vend. Duke qenë në korrent me problemet shqetësuese në Shqipëri, doja të vija jo vetëm me një projekt që ngjall kënaqësi estetike te publiku, por që të ndihet në rrugët e qytetit tonë. Jetojmë ende në kohëra kur pozicioni i gruas në shoqërinë shqiptare nuk është shumë i favorshëm. Jemi ende në atë fazë kur gruaja dhunohet dhe me këtë vepër ne duam t’i themi: ndal dhunës ndaj gruas. Të mos kufizohemi vetëm në një shfaqje prej një ore e dhjetë minutash, por të sjellim mesazhe të forta”, tha Mula.

Dhe “Pagliacci” flet për dhunën ndaj gruas. Nedda, heroina e veprës, që do të luhet nga vetë Inva Mula dhe dubluar nga Mariana Leka, pëson një fund tragjik, vritet.

KONCEPTI
Kudo ku “Pagliacci” ngjitet në skenë, për shkak të minutazhit të veprës, shoqërohet edhe me një vepër tjetër, si “Cavalleria Rusticana”, por Mula ka vendosur të sjellë një spektakël krejt ndryshe. Ajo thotë se 40 minutat e para të shfaqjes do të paraprihen nga disa numra koreografikë, me koreografi të Ezdalin Goranit, që sipas sopranos i ka hyrë thellë në brendësi konceptit regjisorial dhe mesazhit që kërkohet të përcillet.

Po ashtu janë përzgjedhur disa arie të fuqishme, që sjellin në vëmendje të publikut figurën e gruas, si “Voi lo sapete, o mamma”, aria e Santuzza-s, interpretuar nga mexosopranoja Vikena Kamenica dhe “Io son l’umile ancella”, “Monologo di Fedra”, interpretuar nga sopranoja Eva Golemi. Sipas Mulës, nuk janë pjesë të përzgjedhura për të mbushur minutazhin, por për të nxjerrë ca ngjarje nga jeta e gruas. “Muzika flet me gjuhën e saj ndërkombëtare dhe kuptohet prej të gjithëve”, thotë Mula.

Në funksion të konceptit të saj regjisorial, vjen edhe skenografia e Bledar Gërcalliut, i cili e vendos “Pagliacci”-n në kryeqytetin shqiptar. Sipas sopranos, në operë do të jetë i pranishëm kaosi urban, në forma e në ngjyra. Do të jetë lumi i Lanës, që gjarpëron mes kryeqytetit, me urat lidhëse, që sipas Mulës ka parë sa e sa histori, e ku do të vendoset edhe tragjedia e Nedës.

Sipas saj, është e vërtetë që historia nuk ka ndodhur në Shqipëri, por ajo ndodh në mentalitetin shqiptar. Ajo është e ndërgjegjshme që një shfaqje nuk mund të bëjë revolucion, e megjithatë ajo shpreson që të hedhë një hap dhe ta bëjë spektatorin të reflektojë.

Sopranoja: Prindërit u dashuruan gjatë operës “Pagliacci”

Në sallën e TKOB nuk mund të mos shquash edhe Avni Mulën. Ka ardhur të ndjekë punën e së bijës. Jo se ia ka merakun, por një këshillë mund t’ia japë. “Këshillat e tim ati janë gjithnjë të vlefshme për mua. Ai e ka luajtur vetë këtë vepër e mund të më japë ndonjë mendim. Ai është në një moshë, kur vështrimi i është zbehur, por ai ndien dhe çdo këshillë apo vërejtje të tij, unë e marr parasysh”, thotë sopranoja Inva Mula. Përveçse e ka luajtur në skena të mëdha botërore, Inva Mula ka edhe një lidhje afektive, personale me këtë vepër. “Unë vetë jam një produkt i operës ‘Pagliacci’.

Dikur në konservatorin ‘Tchaikovsky’ të Moskës, studentët e Kantos vendosnin në skenë këtë operë dhe dy të rinj u dashuruan gjatë duetit të Neddës dhe Silvios, por me ndryshimin që ngjarja nuk rrodhi si në operë, por në një dashuri të madhe nga ato më të bukurat dhe pasionantet ku dy të rinjtë, studentë vazhduan ta përjetonin jo vetëm në operë, por në 55 vitet që jetuan së bashku”, tregon sopranoja.

“Nuk e di nëse unë zgjodha për të vendosur në skenë këtë operë, apo ajo më zgjodhi mua, për të mos qenë vetëm interpretuese, por për ta konceptuar atë si një ngjarje në rrugët e qytetit tim të lindjes. Historia e Neddës mund të jetë edhe ajo e çdo vajze shqiptare, ku fatkeqësisht jeta nuk ka vlerën që meriton dhe ajo mund të merret nga burri, i dashuri, ish-bashkëshorti. Publiku mbas kësaj shfaqjeje do dalë duke reflektuar. Ne sjellim një mesazh kundër dhunës ndaj gruas, çmojeni atë, nënën, motrën, gruan dhe vajzën shqiptare, vetëm kështu do rrisim breza që do të kontribuojnë në emancipimin e shoqërisë tonë”. Alma Mile 

PAGLIACCI

Operë me 2 akte nga Ruggero Leoncavallo
Regjisore: Inva Mula
Dirigjent: Michelangelo Mazza
Skenografia: Bledar Gercaliu
Kostumet: Elva Bella
As/Regjisore: Ada Gurra
ORKESTRA SIMFONIKE E TKOB
Kori i TKOB dhe Kori i Liceut Artistik
Dirigjent kori: Dritan Lumshi
Me pjesëmarrjen e veçantë të Cirkut të Tiranës
Udhëheqës Artistik: Alketa Haxhiu
Interpretojnë:
Nedda – Inva Mula, Mariana Leka
Canio – Valter Fraccaro, Davide La Verde
Tonio – Gocha Abuladze, Ylber Gjini
Silvio – Armando Likaj
Arlecchino – Klodjan Kaçani, Denis Skura
Banorë të fshatit – Ogert Islami, Erlind Zeraliu
Figurant – Kastriot Shehi
Me pjesë nga:
Cavalleria Rusticana
Operë nga Pietro Mascagni
Vikena Kamenica
Adriana Lecouvreur
Operë nga Francesco Cilea
Eva Golemi
Shoqëron: Trupa e Baletit
Koreografia nga: Esdalin Gorani

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura