Inva Mula kthehet si regjisore, vë në skenë “Pagliaccin”

Mar 27, 2015 | 16:52
SHPËRNDAJE

Pasi ka qeshur e ka qarë, ka vdekur e është ringjallur bashkë me heroinat më të njohura të repertorit operistik botëror, pasi ka shkelur në skenat më të mëdha të botës, ka shijuar suksesin, sopranoja Inva Mula rikthehet në Tiranë në rolin e regjisores.

Inva Mula

Bëhet fjalë për operën “Pagliacci”, me muzikë dhe libret të Ruggero Leoncavallo, e cila do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Tashmë këtë lajm e ka konfirmuar drejtori i TKOB, Ilir Kerni, sipas të cilit ngjitja në skenë e “Pagliacc”-it me regji të Inva Mulës, me gjasë do të jetë ngjarja më e madhe artistike e vitit.

Sigurisht që kjo do të jetë një sfidë e re për sopranon, e cila do të ketë një rol të dyfishtë në këtë vepër. Asaj nuk do i duhet vetëm të këndojë në rolin e Nedës, heroinës, por të lëvizë fijet e gjithë shfaqjes. Ndoshta për faktin se është një eksperiencë e re për të, Mula ka zgjedhur një operë në dy akte, me pesë personazhe, jo shumë e gjatë, por gjithsesi aspak e thjeshtë për shkak të dyzimit dhe dramës së personazheve.

Mësohet se Inva Mula do të vijë falas për të vënë këtë vepër në skenë, ashtu si kanë bërë para saj edhe yje të tjerë të operistikës botërore tashmë, si Ermonela Jaho, Gëzim Myshketa, Oriana Kurteshi etj.

“Ajo vjen për dashurinë ndaj skenës dhe ndaj artit”, është shprehur drejtori Ilir Kerni. E megjithatë, nuk do të mungojë investimi për këtë vepër. Mësohet se skenografia dhe kostumografia, e cila është shumë specifike, do të krijohen nga e para për këtë debutim të Mulës si regjisore. “Pagliacci” është një operë, të cilën sopranoja shqiptare e njeh më së miri. Vetëm pak muaj më parë, në nëntor, ajo ka interpretuar rolin e Nedës në skenën e Teatrit Komunal të Sao Paolos, në Brazil.

Një nga vendet më tërheqëse të qytetit për vlerat arkitekturale dhe historike, që sollën një revolucion të vërtetë në Brazil. Në këtë eksperiencë braziliane, Mula ka interpretuar në krah të këngëtarëve lirikë Tuija Knihtlä, Giancarlo Monsalve, Alberto Gazale, Ëalter Fraccaro etj., shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori lirik i Sao Paolos. Mes një kalendari të ngjeshur aktivitetesh, Mula do të gjejë hapësirat për të ardhur në Tiranë.

Në nëntor të vitit 2012 ajo ishte organizatorja e një koncerti gala në Pallatin e Kongreseve, por në Teatrin e Operës dhe Baletit ajo kthehet pas “Përrallave të Hofmanit”. Vetëm dy ditë më parë ajo ka dhënë një koncert në sallën “Le Nouveau Siècle” në Lille, së bashku me tenorin Leonardo Caimi dhe basin Jaques-Greg-Belobo, shoqëruar nga Orkestra Kombëtare e Lille. Ndërsa më 13 mars, shoqëruar në piano nga Genc Tukiçi, dha një koncert në “Royal Mirage” në Dubai.

 ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura