Inva Mula, koncert me këngë shqiptare në Nju Jork

Mar 28, 2016 | 13:27
SHPËRNDAJE

Pak aromë Shqipërie ka çuar Inva Mula në Nju Jork. Mbrëmjen e së shtunës, nën shoqërinë e pianistit Genc Tukiçi, sopranos Deshira Ahmeti Kerliu, baritonit Kreshnik Zhabjaku, tenorit Raid Ymeri, sopranoja me famë botërore, Inva Mula, ka dhënë një koncert në sallën me 2 mijë spektatorë në “Town Hall”, Nju Jork, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mula, një nga sopranot që ka ngjitur me kryerole skenat operistike më të mëdha botërore, e duartrokitur kudo që ka interpretuar, ka përjetuar këtë herë një moment të veçantë. Kjo sepse ky koncert nuk do të kishte në program arie të mëdha nga repertori operistik botëror, por muzikë shqiptare.

pas koncerti“Është e mahnitshme se si muzika i bashkon njerëzit, i sjell bashkë të këndojnë dhe të marrin emocion, muzika ka gjuhën e shpirtit dhe ajo kuptohet ndërkombëtarisht, s’ka nevojë për përkthyes”, është shprehur Inva Mula.

KONCERTI

Prej ditësh në Manhatan ishin vendosur reklamat për koncertin e Inva Mulës dhe të ftuarve të tjerë. Ajo prezantohej si Diva, e cila mori një famë botërore, sidomos pas interpretimit në filmin “Fifth Element” të aries së Diva Plagalaguna. Por në këtë koncert Mula nuk ishte një “Diva Plagalaguna”.

iva koncert1E veçanta e koncertit të së shtunës, organizuar nga “Artistic Promotion”, qëndron në faktin se ai ishte ndërtuar mbi krijimet e albumit të sopranos Inva Mula, me titull “Për ty atdhe”, ku përmblidhen perlat e muzikës shqiptare. Janë disa nga këngët më të bukura shqiptare të të gjitha kohërave, përfshirë në to edhe jaret shkodrane.

inva koncertInterpretimi i Inva Mulës dhe të ftuarve të tjerë në këtë koncert është shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Nju Jorkut, nën drejtimin e dirigjentit shqiptar me banim në Toronto, Bujar Llapaj. Organizatorët e koncertit e kanë konsideruar si një promovim të “artistëve dhe të kulturës shqiptare, e cila është e mbushur me dashuri, dhimbje, luftëra dhe trimëri. Ne jemi një popull shumëdimensional, të veshur në kostume të vjetra dhe një histori të paharrueshme. Muzika është shprehje e krenarisë për trashëgiminë tonë kulturore dhe fuqinë e unitetit si një popull shumëbesimesh”.

inva mula para koncertitDuke konsideruar numrin e madh të shqiptarëve që pritej të merrnin pjesë në këtë koncert, programi ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të çonte atje një copëz Shqipërie. Pjesë e albumit “Për ty atdhe” të Inva Mulës janë këngë të tilla, si “Dua më shumë Shqipërinë”, “Për mëmëdhenë”, “O moj e bukura Arbëri” etj. “Këngët që kishte zgjedhur në repertor i ngritën peshë emocionet e shqiptarëve të Nju Jorkut”, do të shprehej një nga spektatorët, pas koncertit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura