Intriga dhe loja me zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese. Përplasja me KED dhe qëndrimi i Presidentit

Nov 8, 2019 | 10:40
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Teksa ngritja e Gjykatës Kushtetuese është konsideruar jetike për sistemin, institucionet përgjegjëse për emërimin e anëtarëve të rinj nuk po ia dalin t’u shpëtojnë ngërçeve procedurale.

meta-ked

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me anë të një njoftimi të gjatë, bëri të ditur se nuk do të vazhdonte me procesin e emërimeve, pasi kështu do të shkeleshin parashikimet ligjore, të cilat kërkojnë që anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese ta zgjedhë Presidenti, të dytin Kuvendi dhe të tretin Gjykata e Lartë.

Presidenca shpjegoi se ky ngërç është krijuar për shkak se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka dërguar listën e kandidatëve për dy vende vakante në një datë, ndërsa Kuvendit i është dërguar 6 ditë më vonë. Dërgimi i listës për dy vende vakante në Presidencë do të niste automatikisht afatin kohor për të dyja vendet dhe ky institucion është i detyruar që brenda 30 ditëve të emërojë dy anëtarë. Në dukje një situatë lehtë e evitueshme, por Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas kërkesës së Presidentit për pezullimin e procesit, iu përgjigj me një njoftim të thatë për mediat, ku gjente me vend t’i përcillte një kopje të “dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar, që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi”. KED Këshilli i Emërimeve në Drejtësi njoftoi se kishte zhvilluar një mbledhje për të diskutuar në lidhje me qëndrimin e Presidentit të Republikës.

Më tej, në njoftim KED shpjegon se pas verifikimit të kandidatëve, ka dërguar listat për dy organet emërtuese, përkatësisht për Presidentin e Republikës dhe Kuvendin, duke dërguar pranë tyre edhe listat përfundimtare të renditjes së kandidatëve.

“Këshilli vlerësoi t’i përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës, kopje të dokumentacionit të administruar dhe të shqyrtuar, që përmban dosja e kandidimit të secilës prej 4 kandidateve të listuara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11133 datë 04.03.2019, për disponibilitetin e dërgimit të të cilave KED ka vënë në dijeni këtë organ emërtese me raportin e arsyetuar për renditjen e kandidatëve të lejuar, për plotësimin e këtij vendi vakant, përcjellë pranë institucionit të Presidentit me shkresën nr. 553, prot datë 08.10.2019″, shkruhet në njoftim.

NGËRÇET SIPAS PRESIDENCËS

Presidenti emëroi në 15 tetor 2019, anëtarin e parë të Gjykatës Kushtetuese, prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçin, duke plotësuar kështu vendin bosh të lënë nga ish-gjyqtari Sokol Berberi. Pas kësaj, Presidenca ka vlerësuar se emërimi i një kandidati tjetër nga Presidenca, do të çonte në shkelje të ligjit dhe krijonte vështirësi për Kuvendin që të zgjedhë anëtarin e dytë. Presidenca, gjithashtu, pretendon se listat janë dërguar nga kreu i KED dhe jo KED në mënyrë kolegjiale. “Siç del qartë nga informacioni i përcjellë nga KED-ja, rezulton se kryetari i KED-së, në të njëjtën datë, 08.10.2019, ka realizuar procesin administrativ të dërgimit të listave pranë Presidentit të Republikës për plotësimin e 2 (dy) vakancave njëherazi. Nuk rezulton që KED-ja, në mënyrë kolegjiale, të ketë marrë ndonjë vendim për mënyrën dhe kohën e dërgimit të listave pranë organeve të emërtesës, por ky veprim administrativ është kryer nga kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”, shkruhet në njoftim.

RADHA

Sipas Presidentit, procedura administrative e ndjekur nga kryetari i KED-së për dërgimin e listave në të njëjtën ditë, krijon kushtet e një vështirësie ligjore, për të mos thënë që në një vlerësim bën logjikisht të pamundur që brenda 30 ditëve, Presidenti i Republikës të respektojë parashikimet kushtetuese, që diktojnë radhën dhe alternimin e përzgjedhjes për emërimin e gjyqtarëve të rinj kushtetues. “Parashikimet kushtetuese dhe ligjore saktësojnë në mënyrë shteruese kompetencën, radhën kronologjike, alternancën dhe afatin kohor, brenda të cilit duhet të veprojë secili prej organeve të emërtesës, në rastet kur secili prej tyre iu takon të emërojnë/zgjedhin më shumë se një anëtar të Gjykatës Kushtetuese, në të njëjtën kohë. Neni 179 pika 2 e Kushtetutës, përcakton: Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji”, njoftoi Presidenca.

MUNGESA E KANDIDATËVE

Një tjetër problem që krijon kjo situatë, sipas Presidencës, është edhe fakti që Kuvendi mund të mbesë me 2 kandidatë, kur ligji parashikon që duhen minimalisht 3 të tillë që do të votohen. “Në të gjitha vakancat aktuale, për të cilat KED-ja ka zhvilluar procedurën e verifikimit, vlerësimit dhe renditjes, ka aplikantë, të cilët gjenden njëkohësisht në cilësinë e kandidatit qoftë në vakancat që i përkasin për plotësim Presidentit, qoftë në vakancat që plotësohen nga Kuvendi. Kështu, një përzgjedhje e mundshme e Presidentit, pa ruajtur radhën kronologjike që Kushtetuta përcakton, mund të sillte/ sjellë teorikisht deri edhe në vendosjen e Kuvendit në kushtet e pamundësisë praktike për të pasur numrin e nevojshëm të kandidatëve për të zgjedhur anëtarët që i takojnë”, shkruhet në njoftim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura