INTERVISTA/ Alibeaj tregon pse refuzoi Bashën: Tepelena ishte më pak se kontributi im në PD

Mar 2, 2015 | 16:19
SHPËRNDAJE

Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një intervistë për “Panorama” shpjegoi arsyet pse ka refuzuar vendimin e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, për të qenë drejtues i fushatës për vendoret e 2015-s, në qytetin e Tepelenës dhe në Memaliaj.

Enkelejd Alibeaj

Ish-deputeti i PD-së ka theksuar se nuk ka çfarë ofron në zonat ku nuk gëzon mbështetje personale të elektoratit dhe se nuk i është komunikuar më parë vendimi për të qenë koordinator.

“Publikut të Tepelenës dhe Memaliajit, me gjithë dashamirësinë për demokratët e asaj zone, nuk kam ç’t’u ofroj në termat e mësipërm të maksimizimit të votave”, theksoi Alibeaj.

Ju keni refuzuar të koordinoni procesin e përzgjedhjes së kandidatëve në Tepelenë dhe Memaliaj. Përse nuk e pranuat këtë pozicion të propozuar nga kryetari Basha?

Arsyeja e parë është fare praktike. Unë besoj që angazhimi në një proces elektoral edhe i koordinatorëve duhet të jetë në funksion të rritjes dhe mbështetjes elektorale. Gara është tashmë me kundërshtarin. Ai mposhtet duke marrë më shumë mbështetje në elektorat. Çdo i deleguar nuk duhet të jetë thjesht një kalimtar i përkohshëm në organizimin e strukturave lokale të partisë, e sidomos në proceset zgjedhore. Duhet të jetë një përplotësues i drejtueseve lokalë, pra, një vlerë e shtuar në terma numerikë elektoralë. Kërkohet të ketë jo vetëm profil politik nacional, por edhe njohje dhe familjaritet me publikun lokal. Vetëm kështu mund të shtohen vota, mbështetje apo besim në strukturat lokale. Unë besoj fort në këtë gjë. Në gjykimin tim, koordinatori këtë mbështetje e rrit vetëm në ato territore ku ka milituar politikisht, sepse njeh njerëzit, njeh problematikën, kupton ndjesitë e tyre, e kështu rikrijon marrëdhënien e besimit midis publikut dhe formacionit politik që ai përfaqëson. Në rastin tim, ndaj publikut të Tepelenës dhe Memaliajit, me gjithë dashamirësinë për demokratët e asaj zone, nuk kam ç’t’u ofroj në termat e mësipërm të maksimizimit të votave.

Vetëm kjo ishte arsyeja që ju shtyu të refuzonit Bashën?
Ka edhe një arsye tjetër, më e madhe se kaq. Shpërndarja e të deleguarve, angazhimi në një sfidë shumë të rëndësishme elektorale siç janë zgjedhjet e qershorit, e kuptuar si një segment jo pak i rëndësishëm në karrierën politike, duhet të pasqyrojë në mënyrë të sinqertë dhe masën e kontributit politik dhe performancës brenda një formacioni partiak. Këto janë projektime edhe të karrierës politike në të ardhmen. Kam ndjesinë e fortë se në rastin tim ka një disproporcion mes kontributit tim, performancës sime dhe peshës politike që ofron angazhimi që më është caktuar. Mora mbështetje jo të paktë qoftë në garën brenda Këshillit Kombëtar, e qoftë në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë, rezultate këto që nuk duhet të vlejnë thjesht për përkëdhelje të sedrës. Besoj fort gjithashtu që ishte mbështetje jo aq shumë personale sesa mbështetje edhe ndaj një modeli politik, i cili pse jo edhe duhet promovuar.

Si ju është njoftuar caktimi në zonën e Tepelenës dhe Memaliajit dhe a e kundërshtuat?

Angazhimi që më është caktuar tashmë (madje as duke m’u njoftuar apo diskutuar paraprakisht), më duket se nuk u përshtatet pritshmërive të mia. Çdo anëtar i PD-së, nga më i thjeshti militues e deri tek kupola drejtuese në strukturat partiake, së paku duhet të jetë i aftë të vlerësojë me sens altruizmi, përkushtimi dhe objektiviteti, dhe jashtë çdo ambiciejeje individualiste jorealiste, masën e përgjegjësisë që i takon të marrë në përballjet politike dhe elektorale. Mbi të gjitha, t’i dalë për zot e të mbajë përgjegjësi për dështimin eventual. Ky duhet të jetë tharmi i solidaritetit njerë- zor më së pari, e pastaj politik në një formacion partiak. Unë kaq pak do të kërkoja me shumë kënaqësi. Thyerja e këtyre rregullave krijon paqartësi, pasiguri, dekurajim e deri mungesë besimi.

Pas kësaj që ndodhi ju jeni shkëputur përfundimisht nga Partia Demokratike?

Jam i qartë në qëndrimin tim. Epitetet shkëputje, braktisje nuk kanë vend për rastin tim. Kam milituar sepse kam besuar tek kauza dhe ideologjia e djathtë. Vazhdoj të besoj tek ideologjia e së djathtës, kauzë e së cilës presupozohet të mbartet nga PD. Kjo ideologji, tradicionalisht përbën edhe formësimin tim politik, të cilin, si përfaqësues i një shtrese sociale historike të këtij vendi, jo modestisht përfaqësoj. Kam treguar përgjatë këtij angazhimi politik, tashmë mbi 13-vjeçar, se besoj te puna, te koherenca morale në politikë, tek integriteti dhe te sakrifikimi madje.

Pra, nuk vazhdoni të besoni më te ky sistem vlerash?

Tashmë, me keqardhje dyshoj që ky sistem vlerash nuk është modeli më i mirë në politikë. Për pasojë ndihem i panevojshëm apo i padobishëm, së paku përgjatë këtij procesi. Kjo nuk është braktisje, por të ndihesh i braktisur. Procesi i organizimit në një parti politike dhe sidomos kur ajo pëson rezultate humbëse si në 2013-n, kërkonte dhe këtu të paktën u shpresua deri diku, pikërisht një rivendosje apo një ridimension të këtij sistemi vlerash, përfshi ato të karrierës. Në rastin tim po më rezulton të mos ketë ndonjë përmirësim cilësor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura